Krijohet përshtypja se Ballkani i Hapur do të shërbej si një paralagje geto e BE-së, e cila do të pres gjithmonë para derës së Unionit por që asnjëherë nuk do të integrohet plotësisht brenda tij.

Sefer Selimi  

Në momentin kur Kryeministrat Zaev, Rama dhe Vuçiç e paralajmëruan iniciativën që sot njihet si Ballkani i Hapur në opinion u shfaqën shumë dilema, paqartësi dhe thuajse një refuzim i fuqishëm jo vetëm nga liderët e tre vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor që nuk iu bashkëngjitën nismës por edhe nga faktor relevant politik e shoqëror brenda shteteve nismëtare. Ballkani i Hapur si koncept i ndërtuar mbi katër parimet themeltare të Bashkimit Evropian për lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe qytetarëve, në sytë e oponentëve duket sa utopike aq edhe i parealizueshëm për më shumë faktor, por mbi të gjitha dominojnë tre faktor kryesor të frikës:

  1. Frika nëse Serbia, e cila ishte e përfshirë drejtpërdrejtë në luftërat ballkanike mund për të rikthehet në Ballkan si një shtet pa ambicie territoriale ndaj fqinjëve dhe si partner konstruktiv për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në paqe dhe mirëqenie. Kjo frikë në radhë të parë i mbanë jashtë iniciativës tre shtet tjera: Kosovën, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi.
  2. Frika nga ‘’Shqipëria e Madhe’’ që përdoret si gogol nga shumë oponent të Ballkanit të Hapur, të cilët tek Edi Rama shohin ambicie për të shtrirë ndikim e vet jashtë kufijve të Shqipërisë si dhe për ta jetësuar këtë koncept të cilin të gjithë politikanët relevant shqiptar etnik e konsiderojnë si anakronik, dhe për të cilin koncept ka vetëm një alternativë – integrimi i plotë i shteteve ku jetojnë në strukturat Euro-Atlantike.
  3. Frika e për zëvendësimin e BE-së që paraqet shqetësimi se kjo iniciativë mund të përdoret si alternativë për të. Stërzgjatja e procesit të integrimit për faj të korrupsionit dhe paaftësia e klasës politike për të prodhuar reforma të qenësishme që do ti transformonin plotësisht shtet dhe shoqëritë e Ballkanit Perëndimor kanë ngulfatur shpresën e qytetarëve se në një të ardhme të afërt shtet e tyre do të jenë anëtare të plotfuqishme të BE-së. Nëse shtojmë këtu edhe qorrsokakun ku e kanë shtyrë këtë proces liderët e BE-së, krijohet përshtypja se Ballkani i Hapur do të shërbej si një paralagje geto e BE-së, e cila do të pres gjithmonë para derës së Unionit por që asnjëherë nuk do të integrohet plotësisht brenda tij. Për këtë, duhet një qartësi e procesit të integrimit, të cilën qartësi për fat të keq e mban peng Bullgaria, ndërkaq liderët tjerë janë të pafuqishëm për ta garantuar në këtë moment.

 

Ekzistojnë  edhe shumë dilema tjera nga të cilat disa me e disa pa të drejtë ngrihen si shqetësime rreth kësaj iniciative por duhet pasur gjithmonë parasysh që të tilla nisma gjithmonë do të ndiqen prej tyre, ashtu siç është ndjekur edhe themelimi i Bashkimit Evropian, zonës së Shengenit, Eurozonës e të ngjashme. Posaçërisht është e kuptueshme që frika nga e kaluara në një rajon si Ballkani i cili ende nuk e ka përmbyll plotësisht procesin e pajtimit dhe ka ende pyetje të qenësishme të hapura mes fqinjëve mund të kthehen në faktor mjaft të vështirë për ta ecur para procesin.

 

Sefer Selimi, Drejtor Ekzekutiv në Asociacionin për Avancim Demokratik – Democracy Lab