Diagnozat që marrim çdo ditë na kanë detyruar të arrijmë në përfundim se struktura arsimore ka nevojë të përmirësojë më shumë sistemin e saj mbrojtës dhe se do të duhet një kohë e gjatë për të kuruar sëmundjen tinëzare, bashkë-sëmundjet e së cilës i kemi fshehur të gjithë për dekada.

Sandra Grujevska

Sistemet arsimore në mbarë botën kanë qenë gjithmonë shkak i analizave, diskutimeve, reformave, konflikteve, talljeve, frikës, pasigurisë…

Dhe çdo vit, sistemet arsimore në shumë vende ndërpriten nga rreziqet natyrore të lidhura me ndryshimin e klimës, konfliktin e armatosur, propagandën politike ose, më keq, epidemitë.

Ndaj, kur ndodhi epidemia Covid 19, ne ishim, dhe mendoj se ende jemi, në një spazmë se si do të vijojë procesi arsimor në kushte të tilla.

Dhe na ka kapur në befasi, si një rrufe në qiell të kthjellët… akoma jemi kështu fatkeqësisht.

Tani, me siguri do të pyesim veten nëse shkalla e suksesit apo e dështimit në arsim do të duhej të testonte antitrupat tanë nga Covid 19? Pandemia, sigurisht, na detyroi të kontrollonim nëse sistemi ynë arsimor është i imunizuar dhe nëse di si ta mbrojë veten. Megjithatë, diagnozat që marrim çdo ditë na kanë detyruar të arrijmë në përfundim se struktura arsimore ka nevojë të përmirësojë më shumë sistemin e saj mbrojtës dhe se do të duhet një kohë e gjatë për të kuruar sëmundjen tinëzare, bashkë-sëmundjet e së cilës i kemi fshehur të gjithë për dekada.

Kam qenë, jam dhe do të jem ithtar i teknologjisë në klasë, i kombinuar me kreativitetin dhe lirinë e mësuesit. Unë mendoj se injorimi i mundësive arsimore të ofruara nga teknologjia i vë fëmijët në disavantazh dhe për këtë arsye ne nuk duhet t’i kishim injoruar apo kundërshtuar ato. Shumë do të thonë se kultura e jetesës përpara një ekrani kompjuteri e vështirëson punën (për mësuesit). Por, a e kemi zgjedhur rrugën e duhur për ta lehtësuar vendin tonë të punës nëpërmjet teknologjisë, dhe nuk e kemi përdorur atë si aleat? Shihni, pandemia na tregoi dhe na mësoi se çdo gjë është e mundur, ndaj shpresoj që ta nxëmë më lehtë mësimin tjetër. Por, nëse vazhdimisht kundërshtojmë ndryshimet dhe nëse aktiviteti i sistemit arsimor dobësohet plotësisht dhe imuniteti i tij bie, atëherë për fat të keq do të ketë ndikim në të gjithë shoqërinë tonë. Nevojitet që në të ardhmen sistemi arsimor të jetë i imunizuar ndaj të gjithë faktorëve që mund të ndikojnë negativisht mbi të. Mirë pra, ta vaksinojmë sistemin arsimor në mënyrë që të jetë i imunizuar!

Dhe ne, mësuesit, duhet t’i kujtojmë vetes pse jemi mësues, të ndalojmë për pak dhe të rifillojmë. Fëmijët kanë nevojë për ne në mënyra të ndryshme, për t’u treguar atyre se ç’kuptim kanë dhembshuria dhe durimi. Tani ata kanë nevojë për një mësues i cili do t’i ndihmojë ata të ndihen të sigurt, në një kohë kur ndodhen në një hapësirë të pasigurt mbi të cilën fluturojnë lloj lloj rreziqesh. Ndoshta, ne do ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të ristrukturuar aktivitetet arsimore, në mënyrë që të krijojmë lëndë që mundësojnë mendimin kritik dhe që do të zhvillojnë sisteme të vlerave njerëzore, dhe rrjedhimish botë më të drejtë?

Dhe në shekullin e 21-të, në kohën e globalizimit, kur bota po ndryshon në mënyrë dramatike, mund të jetë më mirë të ndiqen pak më nga afër nevojat e fëmijëve, sepse nëse ata ecin përpara ndërsa ne qëndrojmë në vend, atëherë sigurisht jemi në rrugën e dështimit.

 

Sandra Grujevska, ajo ka një titull Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo është Profesoreshë e gjuhës Angleze dhe themeluese e shkollës së gjuhës të huaja Step by step. Aktualisht, punon në Universitetin American College Shkup, si këshilltare karriere