Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nënvizoi se Kosova nuk do t’i bashkohet një nisme të udhëhequr nga një vend që nuk e njeh sovranitetin e Kosovës.

Samir Beharic

Nisma për Ballkan të Hapur është iniciativa më e fundit që promovon kufijtë e hapur, tregtinë e lirë dhe bashkëpunimin ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor. Sapo u pranua zyrtarisht nga Serbia dhe Shqipëria në vitin 2019, nisma u përball me kritika të ashpra dhe mbështetje të fortë. Përkrahësit e Ballkanit të Hapur e përshkruajnë nismën si një shtysë të fortë për integrimin në BE, ndërsa kritikët e saj e konsiderojnë atë një zëvendësues të dobët për BE-në, të dominuar fuqishëm nga Serbia. Me Maqedoninë e Veriut që i bashkohet me shpejtësi nismës dhe tre vendet e mbetura të rajonit që e  kundërshtojnë një ide të tillë, Ballkani i Hapur na lë me shumë pyetje të hapura.

Në fillim të këtij muaji, Maqedonia e Veriut priti Samitin për Ballkan të Hapur në Ohër, duke mbledhur së bashku liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe përfaqësuesit e Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi për të marrë pjesë në këtë ngjarje si vëzhgues. Vendet themeluese besojnë se Ballkani i Hapur do të nxisë ekonomitë e tyre dhe do të përmirësojë sigurinë dhe bashkëpunimin. Megjithatë, liderët e Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi janë ende të ndarë ose nuk dëshirojnë t’i bashkohen nismës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në samitin në Ohër, duke theksuar se Kosova tashmë është e angazhuar në Procesin e Berlinit, një nismë me synim të ngjashëm për të nxitur bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nënvizoi se Kosova nuk do t’i bashkohet një nisme të udhëhequr nga një vend që nuk e njeh sovranitetin e Kosovës, duke kritikuar kryeministrin shqiptar Edi Rama për udhëheqjen e nismës së bashku me atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Mali i Zi janë të përçarë nga brenda në lidhje me anëtarësimin në Ballkanin e Hapur. Ndryshe nga kryeministri i Kosovës, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq mori pjesë në Samitin për Ballkanin e Hapur në Ohër duke argumentuar në favor të bashkimit të vendit të tij në këtë nismë. Megjithatë, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq nuk mendon njësoj si Abazovic. Duke folur në Samitin Globsec në Bratislavë në fillim të qershorit, Gjukanoviç kundërshtoi bashkimin duke cilësuar nismen si “një nisme që nuk bazohet në vlerat e BE-së dhe paralele me Procesin e Berlinit”.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila nuk është anëtare e NATO-s, kërcënimi i vazhdueshëm i sigurisë nga përfaqësuesit e mbështetur nga Serbia dhe të mbështetur nga Rusia është një shqetësim i madh. Për forcat pro-boshnjake brenda vendit, Procesi i Berlinit mbetet një prioritet – i cili nuk është një nocion që nuk ndahet nga të gjithë në vend. Partitë nacionaliste serbe kanë bërë thirrje që lidershipi boshnjak t’i bashkohet Ballkanit të Hapur, duke e përshkruar atë si një nismë që synon “sigurimin e paqes, forcimin e stabilitetit dhe zgjerimin e lidhjeve ekonomike” brenda rajonit.

Samiti për Ballkan të Hapur, nuk përfshiu vetëm lidershipin e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në tubim rreth integrimit të Ballkanit Perëndimor në një treg të përbashkët rajonal. Edhe pse nuk ishte e pranishme në samitin në Ohër, Rusia doli si mbështetësja më e fundit e nismës së Ballkanit të Hapur, duke hapur një grup tjetër pyetjesh që do të duhet të adresohen përpara se të dalë një nismë tjetër rajonale.

 

Samir Beharic është zyrtar kërkimor i Forumit Ballkanik