Ritmi i zgjidhjes së cështjes së mbetjeve të ngurta urbane është më i ngadalshëm se sa nevoja e Qeverisë për të krijuar përshtypjen se e ka zgjidhur.

Romeo Hanxhari

Kushti pa ekuivok për sukses në këtë luftë është angazhimi i përditshëm i publikut në zgjidhje. Që të realizohet ky angazhim i përditshëm, pubiku duhet të informohet, të edukohet, dhe të nxitet. Përndryshe nuk ka zgjidhje të qëndrueshme, por vetëm iluzion dhe stanjacion.

Deri në vitin 2011 menaxhimi i mbetjeve urbane në Shqipëri barazohej padrejtësisht me “pastrimin”, bazuar në Ligjin Nr.8094, datë 21.3.1996, “Për largimin publik të mbeturinave”. Në vitin 2011 Shqipëria e vendosi trajtimin e këtij problemi mbi baza të drejta ligjore, dhe filloi zgjidhjen e problemit kur Parlamenti aprovoi Ligjin Nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”,  dhe kur Qeveria nxori VKM nr. 175, datë 19.01.2011 “Për miratimin e strategjisë kombëtare të menaxhimit të mbetjeve dhe të planit kombëtar të menaxhimit të mbetjeve”. Këta hapa ishin të përafruara plotësisht me politikat sektoriale të BE-së për mbetjet, përkatësisht me Direktivën 2008/98/, datë 19 nëntor 2008, “Mbi mbetjet”, thelbi i së cilës është respektimi i “hierarkisë së mbetjeve” dhe “pjesëmarrja e publikut në zgjidhjet e qëndrueshme”.

Në Shqipëri nuk ka asnjë plan veprimi për të nxitur pjesëmarrjen e publikut në zgjidhjen e cështjes së mbetjeve. Arsyet kryesore janë dy. Së pari, është vendimi politik i qeverisë Rama në Shqipëri për t’I dhënë prioritet absolute trajtimit me incinerator rajonalë të mbetjeve të ngurta urbane. Ky vendim u shoqërua me iluzionin se cështja zgjidhet vetëm me 2 lëvizje strategjike: ndërtimin e impianteve djegëse në nivel rajonal, dhe detyrimin ligjor të njësive vendore për t’I dërguar mbetjet në incinerator me pagesa të subvencionuara nga Qeveria për një periudhe 5-7 vjecare. “Zgjidhja” me incinerator nuk ka aspak nevojë për pjesëmarrjen e publikut, dhe rrjedhimisht nuk ka nevojë as për edukimin, informimin, apo nxitjen e publikut për të njohur dhe zbatuar Strategjinë e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve të Ngurta Urbane nëpërmjet reduktimit, ripërdorimit, dhe ndarjes së mbetjeve në burim për riciklim.  Nga ana tjetër, kostot e trajtimit të mbetjeve do të duhej të përballoheshin nga publiku, në nivel të cdo njësie vendore. Ky motiv ekonomik i nevojës për të ulur kostot që ai vetë ka në shpinë, është në cdo vend të botës shtytja se pse publiku shkon me vullnet dhe me bindje drejt zbatimit të hallkave të reduktimit dhe riciklimit. Për këtë mjafton një fushatë e thjeshtë informimi. Por, duke subvencionuar tarifat e trajtimit të mbetjeve në incinerator, Qeveria indirekt jep tek publiku mesazhin se “kostot e trajtimit të mbetjeve janë zero”, dhe se publiku nuk është e nevojshme të bëjë ndonjë gjë përvecse të cojë sa mbetje të dojë në koshin e mbetjeve në lagje. Ky është iluzioni i parë që është krijuar.

Arsyeja tjetër e mungesës së ndonjë fushate edukimi dhe informimi është e lidhur me të mësipërmen. Ajo quhet “mospërputhja kohore”: pra, megjithëse realisht cështja e mbetjeve nuk zgjidhet dot brenda 4 apo 8 vjetëve sa c’janë mandatet qeverisëse, Qeveria ka nevojën që, brenda këtyre afateve elektorale, të krijojë tek publiku (elektorati) bindjen se e ka zgjidhur problemin. Normalisht, ritmi i zgjidhjes së cështjes së mbetjeve të ngurta urbane është më i ngadalshëm se sa nevoja e Qeverisë për të krijuar përshtypjen se e ka zgjidhur. Prandaj shkohet drejt krijimit të iluzionit të dytë, i cili a-priori e përjashton publikun nga nevoja për kontributin që ai realisht duhet patjetër të ketë në këtë luftë të gjatë.

Duke mos bërë betejat e përditshme, publiku në Shqipëri po jeton thjesht në iluzionin e “zgjidhjes”.

 

Romeo Hanxhari, Ka mbi 20 vite që merret me cështjet publike të karakterit mjedisor në Shqipëri nga pozitat e studiuesit, të aktivistit të shoqërisë civile, apo të administratorit publik