Pavarësisht bujës që bën tema e mbrojtjes së mjedisit, nuk bëhet edhe aq shumë punë për ta rregulluar dhe integruar këtë proces në rutinën e secilit qytetar.

Rinese Koca

Ligji për mbrotje të mjedisit ofron një strategji kualitative dhe lehtësisht të përballueshme për të ruajtur mjedisin ku jetojmë. Pavarësisht bujës që bën tema e mbrojtjes së mjedisit, nuk bëhet edhe aq shumë punë për ta rregulluar dhe integruar këtë proces në rutinën e secilit qytetar. Nëse do ta vlerësonim vetëdijësimin e qytetarëve nga një deri në dhjetë, do të arrinte një shtatëshe solide, mirëpo nëse flasim për veprimet e tyre në kuadër të kësaj fushe, do të duhej të bëhej shumë më shumë. Ne tani po jetojmë në kohën më të mirë të njerëzimit duke pasur në grusht gjithë botën me vetëm një buton. Pavarësisht përparësive që na ofrohen, iniciativa për t’i zbatuar gjërat që dimë se duhet t’i zbatojmë për një të ardhme të jetueshme nuk është edhe aq e theksueshme.

Disa nga problemet kryesore të qytetarëve sa i përket ndotjes së mjedisit janë: konsumimi i produkteve, përdorimi pa kontrollim i ujit dhe mospagesa për mbetje dhe ndotje të tilla. Menaxhimi i dukurive të tilla shihet të jetë i vështirë, qoftë në nivele lokale apo edhe regjionale.

Një ndër strategjitë më efektive të mbrojtjes nga ndotja është reciklimi, një proces i thjeshtë i cili duhet të kthehet në një rregull përditësor në shtëpitë tona. Si rrjedhojë, ndër masat e para që duhet ndërmarrë është krijimi dhe zbatimi i rregulloreve të caktuara nga qeveria për ta ngritur vetëdijësimin edhe veprimin e qytetarëve drejt reciklimit duke e bërë këtë çështje më serioze. Dhe jo vetëm, implementimi i detyrueshëm i këtij procesi sidomos në kompani të cilat bëjnë prodhim dhe në të njejtën kohë kanë mbetje dhe hedhje masive të mbeturinave.

Për të arritur deri në piken e ngritjes së vetëdijes tek qytetarët rreth ndotjes së mjedisit dhe pasojat që mund të shihen në të ardhmen, do të duhej të krijohej një kulturë dhe edukatë bazike qysh nga mosha fëmijërore tek qytetarët dhe fundamentalisht të krijohet besimi dhe mentaliteti se duhet të qendrojmë mjaft konkret dhe të drejtpërdrejt sa u përket çështjeve të ndjeshme.

Për të pasur suskes në këtë fushë, institucionet adekuate dhe qytetarët në përgjithësi, duhet të vazhdojnë të ngrisin zërin rreth çështjeve të cilat nuk marrin aq kohë apo përkushtim, por vetëm dëshirë për të mbrojtur planetin në të cilin jetojmë. Për ta zhvilluar mentalitetin dhe veprimet sa i përket kësaj fushe, nuk do të thotë të mblidhen njëqind persona e të protestojnë, mjafton secili prej tyre të dijë përgjegjësinë që u takon dhe t’i kryejnë detyrat e qytetarit të vetëdijshëm.