Ky komunitet ende është i detyruar të jetojë “fshehurazi”, dhe me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

 Pranvera Behluli-Restelica

 “Edhe n’shtet, edhe n’familje” ishte motoja e Paradës së gjashtë të Krenarisë që u mbajt në Prishtinë, më 9 qershor të këtij viti (2022).

Përgjatë javës u mbajtën një sërë aktivitetesh me qëllim avokimin e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë.

Slogani pasqyronte praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, edhe në familje.

Aty nga të gjithë, pa përjashtim, u kërkua bashkëpunim më i madh ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile për avancimin e të drejtave të personave LGBTIQ+ dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi.

Por si qëndron pozita e komunitetit LGBTIQ+ sot në Kosovë?

Organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë, thonë se gjendja e tyre nuk është e mirë.

Ata vazhdimisht kërkojnë mbështetje më të madhe institucionale për këtë komunitet duke e vënë në pah se e drejta për martesë, për jetë familjare dhe për mosdiskriminim, nuk duhet të vihet në diskutim.

Ky komunitet ende është i detyruar të jetojë “fshehurazi”, dhe me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

Pjesëtarë të komunitetit LGBTIQ+ detyrohen të jetojnë jetë të dyfishtë, të martohen të krijojnë familje, për shkak të dhunës fizike e psikike që mund t’u vie nga familja.

Personat që i përkasin këtij komuniteti në rrëfimet e tyre tregojnë për pjesën e errët me të cilën përballen që nga fëmijëria, duke u bullizuar, kërcënuar, ofenduar e duke u përjashtuar nga rrethi.

Megjithëse vërehet se kohëve të fundit në Kosovë ka pasur edhe paraqitje publike të personave që vijnë nga ky komunitet, rastet e kërcënimet që marrin ata nuk janë të pakta.

Është shqetësues raporti i publikuar më 13 janar të këtij viti nga organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Ëatch, me seli në SHBA, ku përmendet shqetësimi i organizatës “CEL Kosova” për hetimet joadekuate të kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes kundër personave dhe aktivistëve të komunitetit LGBT, sidomos në rrjetet sociale.

“Në korrik [2021], CEL ka raportuar se një aktivist i LGBT-së në Prishtinë është sulmuar nga tre persona të panjohur, të cilët e kanë pështyrë, duke i thënë: ‘Do të të vrasim’”, thuhet në raportin e HRË-së.

Parlamenti i Kosovës, në mars të vitit 2022 nuk e miratoi në parim Kodin Civil mes kundërshtimesh dhe debatesh të rrepta për shkak të mospajtimeve me një pjesë të këtij Kodi , më konkretisht neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Por një gjë tjetër e thotë Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Aty parashihet se “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Kodi Civil aktual, thotë se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Nga organizatat që merren me të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ kanë paralajmëruar se nëse versioni i ri i Projketkodit Civil nuk rregullon martesat midis gjinive të njëjta, atëherë ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për opinion.

 

Pranvera Behluli-Restelica është redaktore përgjegjëse në portalin “Front Online” në Prishtinë