Ne kemi nevojë për një “kulturë kujtese”, jo një “kulturë spastrimi të gjithçkaje që është e huaj”. Një kulturë kujtese do të thotë gjithashtu të pajtohemi me të kaluarën. Nëpërmjet pajtimit mund të ringjallet dhe të krijohet një hapësirë e vlefshme kulturore post-jugosllave.

Petar Andonovski

Në librin kult tashmë “Kultura e Gënjeshtrave”, shkrimtarja kroate Dubravka Ugresic në esenë “Gjithçka ishte muzikë” flet se si vendet ish jugosllave po i pastrojnë hapësirat e tyre kulturore nga ajo që supozohet të jenë e huaj dhe po organizojnë familjet e tyre të vogla kulturore. Por, në këto tridhjetë vjet që kur shteti i përbashkët nuk ekziston më, a ia kanë arritur nacionalistët të “konfiskojnë tërësisht kujtesën” (Termi i D. Ugresic)? – Jo! Kultura e kujtesës është një përvojë e gjallë e një brezi dhe askush nuk mund ta ‘konfiskojë’ atë për të krijuar një tjetër. Ekziston diçka që quhet kujtesa e brezit, që do të thotë, ndajmë të njëjtat pikëpamje, vlera, besime me brezin tonë. Hapësira kulturore jugosllave është pjesë e identitetit të të gjithë atyre brezave që u rritën dhe jetuan në atë hapësirë kulturore.

Në dy muajt e fundit, dy raste të trishtueshme i kanë bashkuar përsëri Jugo- njerëzit. Ata nuk u bashkuan nga ekonomia që ne gjithmonë i referohemi si karta më e fortë kur përmendet Jugosllavia; edhe vetë Tito nuk mundi t’i bashkonte ata, por ia arriti kultura. Kultura është një hapësirë në të cilën është formuar identiteti personal, si dhe ai kolektiv, identiteti i kombit. Kultura është një pjesë e rëndësishme e identitetit, veçanërisht për vendet dhe shtetet e vogla. Është kultura që lidh kombet, jo politika. Vdekjet e Mira Furlan dhe Gjorge Balasevic ringjallën ato hapësira dikur të përbashkëta kulturore. Si Furlan, ashtu edhe Balaseviç (dhe vetë Ugresic, të cilës iu referova në fillim, dhe jo rastësisht), ishin Jugosllavia. Ishin ata që krijuan atë hapësirë kulturore në të cilën u ndërtua identiteti i një kombi që nuk ekziston më. Për këtë arsye largimi i tyre preku tërë atë brez që u rrit dhe jetoi me filmat dhe muzikën e tyre. Një brez, kujtimet e të cilit janë ndërtuar në atë kulturë. Kultura e kujtesës nuk është vetëm kombëtare, është gjithashtu kulturë e brezit. Me largimin e njerëzve që ishin pjesë e atij identiteti kulturor, duket sikur po humbasim identitetin tonë.

E ardhmja e hapësirës post-jugosllave, ose e “rajonit”, siç quhet sot, është pikërisht bashkimi i kulturës. Nuk po flas për kulturën e gjepurave të programeve ‘reality’ dhe “Zvezde Zvezda”, por për atë që trashëguam nga brezat e Balasevic dhe Furlan. Ne kemi nevojë për një “kulturë kujtese”, jo për një “kulturë spastrimi të gjithçkaje që është e huaj”. Një kulturë kujtese do të thotë gjithashtu të pajtohemi me të kaluarën. Nëpërmjet pajtimit mund të ringjallet dhe të krijohet një hapësirë e vlefshme kulturore post-jugosllave.

Unë do ta mbyll siç fillova, me një citim të perifrazuar nga filmi “Stefica Cvek in the Jaws of Life”, bazuar në romanin me të njëjtin emër nga Dubravka Ugresic, me protagoniste Mira Furlan: “Kujtesa kulturore nuk është sapun që mund të harxhohet.”

 

Petar Andonovski është shkrimtar maqedonas. Ai është autor i katër romaneve. Ai është fitues i Çmimit Evropian për Letërsinë.