Fqinjësia në rajonin tonë, ashtu si pothuaj e gjithë gama e marrëdhënieve ndëretnike e ndërshtetërore, është e ndikuar skajshëm nga ndërveprimi midis identiteteve të ndryshme, qoftë të karakterit kombëtar, qoftë edhe të atij fetar e politik. E parë në këndvështrimin romantik, prania e shumë identiteteve do të duhej të ndikonte si faktor që i jep një larmi jetës dhe marrëdhënieve midis popujve e shteteve në gadishullin ballkanik.

E shkruar nga: Eva Hyskaj Tafili 

Në këtë kuptim është bërë jo pak, duke nisur veçanërisht nga dhjetëvjeçari i parë i shekullit XXI, por, që rajoni të hyjë në një periudhë ku të mbizotërojë më së fundi një Pax Balcanica, duket se edhe shumë na mbetet për të bërë të gjithë bashkë. Për shkak të së kaluarës, qoftë të periudhës së mesjetës, apo edhe të asaj më të afërt, kombet dhe grupet fetare në Ballkan kanë qenë në pjesën më të madhe të kohës në një armiqësi të heshtur, por që herë-herë pasojat e saja i ka shfaqur si një rrufe në qiell të kaltër, duke e prishur kësisoj jo vetëm ekuilibrin e brishtë të bashkëjetesës, por edhe duke i dhënë udhë periudhave të mbushura me luftëra që jo vetëm kishin pasoja në aspektin jetësor e ekonomik, por edhe në atë social e politik. Aq shumë jemi mësuar me lidhjen shkak pasojë të identitetit, sa thuajse nuk na befason fakti që në sulmin terrorist në Vjenë, viktima, polici dhe agresori kishin të njëjtin identitet kombëtar.

Identiteti, “ndryshe nga përcaktimi i mësipërm, që është i pranuar gjerësisht”, duket i ndryshueshëm në varësi të situatave në të cilat njeriu jeton. Themeli i normave dhe burimi për veprimtarinë jetësore e më pas politike, duket se jo vetëm në rajonin tonë, por në mbarë botën është trandur prej pandemisë dhe situatës së pazakonshme që ka rrjedhur prej saj. Në momentin kur duket se pandemia COVID 19 kërkon distancim social, ndjehet në fakt që njerëzit priren drejt shkrirjes së barrierave, qofshin ato politike, kufitare, apo sociale. Fatkeqësitë dhe gëzimet në Ballkan gjithmonë na kanë bashkuar e prej tyre shpesh herë janë ndalur edhe luftërat e janë hedhur ura bashkëveprimi. Kësisoj, pavarësisht kësaj, rrjedha e jetës ndjek drejtimin e vet edhe në këtë situatë të vështirë për të gjithë rajonin, në të cilin krahas lajmeve mbi viktimat e pandemisë fokusi bie më shumë mbi politikën, që duket se na e tërheq vëmendjen mbi gjithçka.

Në këtë kuptim, tronditja e kësaj vjeshte pandemike është dorëheqja e Thaçit. As më shumë e as më pak e bujshme se dorëheqja e R. Haradinajt verën e kaluar, edhe kjo e Thaçit tani duket si një dëshirë për t’u paraqitur ne Gjykatën Speciale si qytetar i thjeshte, pa përgjegjësi institucionale. Haradinaj asokohe u shqyrtua e doli i pafajshëm. A thua do ta ketë edhe Thaçi këtë fat? Vetë Haradinaj, pas dorëheqjes së Thaçit e Veselit bën thirrje për të forcuar unitetin, që Kosova të mund të përballojë me sukses sfidat e reja institucionale. Sa herë flitet për unitet, ndjehet se identiteti e sidomos ai kombëtar ka ndërruar pak. Meqenëse të gjitha llojet e identitetit lidhen me njeri-tjetrin, le të shpresojmë se në rajon Kosova, më të cilën ndajmë të njëjtin identitet kombëtar, të na jetë shembull edhe për identitetin politik e atë social. Dorëheqja e mbajtja e përgjegjësive si njeri i thjeshte nuk është aspak fenomen i njohur për rajonin dhe veçanërisht për Shqipërinë, ndaj përsëritja e këtij fenomeni tek shqiptarët e Kosovës ndoshta nxit të gjithë shqiptarët dhe ballkanasit drejt një qasje të re identitare, politike e sociale.

 

Eva Hyskaj Tafili is a lecturer at the Tirana University , Faculty of History and Philology. She graduated in Tirana University than she attended post graduate studies in KU Leuven Belgium, CEU Budapest, Siena University etc . Her phd thesis focuses on Nationalisms in post comunist Balkans. Her main publications are also focused in Balkans history, identites, political transitions and current policies.