Rruga e fqinjësisë së mirë midis Greqisë dhe Shqipërisë është e vështirë. Pengesa kryesore  bëhet fryma nacionaliste për konsum të brenshëm. Kjo e bën shumë të vështirë kontributin pozitiv të idnividit dhe përvoja personale flet shumë.

Panajot Barka

Investimi im publik, si politikan, publicist dhe akademik, flet për një angazhim të gjatë në kohë dhe serioz në favor të fqinjësisë në frymën e procesëve integruese, të bashkëjetesës, të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit. Ky investim lidhet së pari me identitetin tim. Konsideroj vlerë të shtuar dhe komplementare binomin e kombësisë greke me nënshetesi shqiptare, që synon krijimin e modelit të të qenit pjesëtar i denjë i shoqërisë shqiptare duke manifestuar pa ekuivoke identitetin etnik. Së dyti kam besuar se integrimi i shoqerisë shqiptare në strukturat euroatlandike, ashtu si edhe kontaktet e shtuara njerëzore greko-shqiptare do të çlironin energji pozitive në emancipimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Me këtë koncept isha pjesë aktive e përpjekjës së  minoritetit etnik grek për të mos qenë pengesë në rrugën integruese të Shqipërisë.

Por a pati impaktin e duhur ky investim?! Besoj se po edhe pse shpesh shndërrohet në heshtë kundër vetës.

Që me krijimin e shtetit shqiptar, midis dy vendeve manifestohen dy nivele marrëdhëniesh. Nivelin e parë dhe me vlera pozitive e vendosin njerëzit e thjeshtë, popujt. Niveli i dytë është ai i politikëbërjës që shfaq një natyrë shumë komplekse, por kryesisht pengues i nivelit të parë.

Në palën greke, politika shtetërore tregon impenjim për fqinjësi të emancipuar, bashkëpunuese e mirëkuptuese. Qarqet nacionaliste atje nuk përbëjnë politikë zyrtare. Prodhojnë trysni por nuk diktojnë. Shtresa intelektuale u paraprinë qëndrimeve shtetërore.

Në Shqipëri, shteti, qeveritë, shtresa intelektuale dhe opinionbërëse janë drejtuar nga e shkuara. Fokusohen tek disa episode negative të para një shekulli dhe i shikojnë marrëdhëniet me Greqinë tek paragjykimi, deformimi, stërmadhimi e fetishizimi  i tyre. Ndërkohë që shtresa intelektuale e asaj kohe, jo vetëm që ishte e ndërgjegjshme, por edhe e manifestonte se helenizmi qëndronte në themel të plazmimit të kulturës së re shqiptare dhe ideologjisë  kombëtare të Rilindjes.

Sot, për interesa të të njëjtëve faktorë të tretë që provokuan përplasjet e atëhërshme, funksionon një front politikëbërjeje dhe oponionformues që operon me pretendimin se themeli dhe realiteti i kulturës dhe civilizimit grek përmban brumin iliro-shqiptar. Njëkohësisht manifestohet frika se vlera civilizuese e helenizmit e pranuar botërisht, në Shqipëri ka tendenca asimiluese.

Potenca e këtij arsenali synon tregun e brensdshëm “patriotik”. Nuk pranon ballafaqim me mendimin ndryshe. Referimi i burimeve të treta bëhet i njëanshëm, selektiv, i deformuar. Fuqia e tij synon të sfidojë mendimin e shëndoshë shqiptar. Nuk aspiron krijimin e vlerave të vërteta kombëtare por kultivimin e një nacionalizmi të frymëzuar nga antihelenizmi, të ngritur madje në sistem referimi për vetëpërcaktimin etnik.

Ky mentalitet u jep të drejtën paternalizuese dhe për natyrën e Minoritetit Etnik Grek në Shqipëri, për masën dhe cilësinë e respektimit të të drejtave të tij. Për ta grek i mirë është ai që pranon formalisht identitin e tij etnik

Kuptohet që përballja me këtë front dhe nga pozitat e të qenit grek në Shqipëri është një mision i vështirë. Etiketohesh si antishqiptar dhe përballohesh si i rrezikshëm. Ashtu siç provon etiketimin “i shitur” në qarqet identike greke.

Mëgjithatë, personalisht shpreh falinderimet e mia për aksesin në mjedisin publik shqiptar, në medjen elektornike dhe të shkruar, për klimën e çliruar nga paragjykimet dhe presionet nacionaliste, që përbën investimin më serioz për një të ardhme evropiane të shoqërisë shqiptare dhe të fqinjësisë së mirë. Kuptohet që në këtë realitet ka dhe raste që shfrytëzojnë praninë time për të ushqyer nacionalizmin e sëmurë.

Sido që të jetë. Rruga mbëtet e vështirë por jo pa shpresë!

 

Prof.Asoc Panajot Barka aktualisht drejton Departamentin e Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek në Universitetin e Gjirokastrës.