“Normalja e re” për ata që jetojnë në shtëpitë sociale do të thotë se edhe sot, një vit nga fillimi i pandemisë, ata nuk janë në gjendje të lëvizin përtej oborrit të vogël të institucionit ku ndodhen.

Nikoleta Kosovac

Atë mëngjes shtatori, unë u zgjova nga një mesazh i punonjësve socialë të organizatës Liceulice, që më shpjegonte se ata nuk u lejuan të vizitonin personat në Strehën për të Rritur dhe Pleq në rrugën Kumodraska,  megjithëse vizita ishte planifikuar paraprakisht. Ka shumë paqartësi rreth rregullave të Strehës, të cilat u vendosën me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19 në të gjitha institucionet e mbrojtjes sociale në Beograd; një nga këto rregulla ishte se vizitat – të cilat bëheshin në ambiente jashtë në atë kohë – nuk do të lejoheshin nëse temperaturat ishin nën 18 gradë Celsius.

Në atë kohë, prej disa muajsh ishim duke jetuar në këto kushte të paprecedent pandemie. Nuk dinim se për kë apo për çfarë të kujdeseshin së pari – nëse po i ndiqëm të gjitha procedurat higjienike një milion herë në ditë, nëse i kishim të gjitha furnizimet e nevojshme, sepse çdo gjë do të mbyllet në ditët e ardhshme, nëse do të kishim një punë gjatë muajve të ardhshëm, sa kohë do të zgjaste e gjitha kjo, dhe për të mos përmendur shëndetin mendor dhe se si ndjeheshim në të vërtetë për gjithë këtë situatë.

Megjithatë, ajo që është shkatërruese është se mënyra e vetme në të cilën qyteti i Beogradit është përpjekur të mbrojë ata që jetojnë në shtëpitë sociale dhe Strehën për të Rritur dhe Pleq, ku jetojnë shumë nga personat që ndihmonim ne, ka qenë mbyllja e tyre dhe ndalimi i tyre për të dalë nga institucionet – deri në një njoftim tjetër. Menjëherë pas shpërthimit të pandemisë, u miratua një politikë me qëllim mbrojtjen e përfituesve të kësaj ndihme sociale prej infektimit me virus. Rregullat nuk kanë qenë gjithmonë të qarta, as në lidhje me vizitat, as për miratimin e paketave mbështetëse. “Normalja e re” për ata që jetojnë në shtëpitë sociale do të thotë se, edhe sot, një vit më vonë, ata nuk janë në gjendje të dalin përtej oborrit të vogël të institucionit ku ndodhen.

Në biseda të rregullta telefonike, një nga personat që jeton në një nga institucionet e strehimit social, më pyet për jetën ‘jashtë’, nëse ka njerëz në rrugë dhe si sillen. Ju kujtoj se ky njeri ka qenë i mbyllur në azil për më shumë se një vit dhe, ndonëse është rivaksinuar ndërkohë, nuk do të lejohet të largohet nga institucioni dhe për shumë kohë, as t’i kthehet jetën së mëparshme, të cilën e ëndërron, dhe ka të drejtë plotësisht ta jetojë.

Çfarë është më e rëndësishme në këtë rast – të ndjekësh procedurat e paqarta, ndonjëherë shumë të çuditshme, apo shëndeti mendor i njerëzve që nuk janë më të sigurtë nëse janë duke luajtur në një film me regji të dobët, apo po jetojnë në burg, apo në një azil që supozohet t’ua bëjë jetën më të lehtë?

Ndërsa Liceulice ka punuar për fuqizimin ekonomik dhe social të pjesëtarëve të grupeve të ndryshme të margjinalizuara gjatë 10 viteve të fundit, na është dashur të jemi krah tyre gjatë vitit të kaluar më shumë se kurrë. Ishte e rëndësishme t’i ndihmonim ata në disa nivele – të garantonim që të ishin ekonomikisht të sigurt, përkundër faktit se shumë prej tyre nuk kanë qenë në gjendje të punojnë, se ata marrin mbështetje për qiratë, produkte ushqimore dhe higjienike, mbështetje të përditshme psiko-sociale, mbrojtje nga infektimi i mundshëm me Covid-19 duke i furnizuar me mjete të mbrojtjes personale, dhe duke qenë burimi i tyre i informacionit, sepse shumica e tyre nuk kanë qasje në televizor, internet apo telefona inteligjentë.

Edhe pse ky shtet prej kohësh i ka neglizhuar plotësisht qytetarët e vet, ne asnjëherë nuk do ta bëjmë këtë. Ne do të luftojmë edhe më shumë, të bashkuar dhe në solidaritet, derisa interesi i komunitetit, shëndeti publik,  e drejta për një strehë mbi kokë, e drejta për ushqim dhe punë, kujdes të duhur dhe në kohë për anëtarët më të pambrojtur të shoqërisë sonë të jetë në qendër të politikave sociale, jo vetëm në letër, por edhe në praktikë.

 

Nikoleta Kosovac, koordinatore e Liceulice