Asnjë nga 87 rastet e sulmeve ndaj gazetarëve apo pronës së medias nuk çoi në pushim nga puna, masë disiplinore,  apo gjobë për një prokuror të vetëm në Malin e Zi për dështim në hetimin e këtyre rasteve.       

     

Nikolla Markovic

 Fakti që janë raportuar 87 sulme ndaj gazetarëve dhe pronës së medias në Malin e Zi që nga viti 2004, që merret si statistikë referuese, ilustron më së miri nivelin e lirisë së medias në vendin tonë.

Organizatat e duhura ndërkombëtare, si Freedom House dhe Reporterë pa Kufi, e rendisin Malin e Zi si pjesërisht të lirë. Kjo mund të përshkruhet si shtet në të cilin mund të publikoni çdo gjë nëse jeni të gatshëm të përballeni me pasojat e paligjshme të shkrimit tuaj investigativ.

Rastet më drastike të sulmeve ndaj gazetarëve dhe medias (vrasja e Dushko Jovanovicit, vrasjet në tentativë të Olivera Lakicit dhe Tufik Softicit, por edhe sulmi me bombë në zyrën editoriale “Vijesti”) nuk janë zgjidhur, edhe pse kanë kaluar më shumë se 15 vjet.

Ekzistojnë dy arsye kryesore për këtë: mungesa e vullnetit politik të qeverisë së mëparshme dhe mungesa e kapacitetit profesional të prokurorisë dhe policisë. Në fund të fundit, Tufik Softic e fitoi gjyqin kundër Shtetit për shkak të një hetimi jo efektiv. Ka mjaft shembuj të këtyre akuzave: në rastin e vrasjes së Jovanovicit, prokuroria ende nuk e ka marrë në pyetje personin që kërkoi të ishte dëshmitar i mbrojtur në 2015; në rastin e një prej sulmeve ndaj Olivera Lakicit është provuar se një inspektor policie dha një deklaratë të rreme në gjykatë.

Asnjë nga 87 rastet e sulmeve ndaj gazetarëve apo pronës së medias nuk çoi në pushim nga puna, masë disiplinore,  apo gjobë për një prokuror të vetëm në Malin e Zi për dështim në hetimin e këtyre rasteve.  Në disa raste, si sulmi ndaj Mladen Stojovicit, rastet u parashkruan.

Përveç sulmeve fizike, redaksitë e lajmeve që nuk ishin nën kontrollin e partisë së Milo Gjukanoviçit u përballën me presion financiar prej vitesh. Kjo është pasqyruar në një numër padish për cënim nderi dhe reputacioni, të cilat kanë pretendime për dëme ekstreme. Media u padit kryesisht nga zyrtarë të partisë në pushtet, të afërm të tyre apo biznesmenë pranë regjimit të mëparshëm.

Megjithë kritikat prej viteve nga Komisioni Evropian, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) ka kërkuar të kufizojë liritë e medias edhe përmes normave ligjore. Vitin e kaluar, shumica qeverisëse e atëhershme e kaloi Ligjin e Medias i cili i detyron gazetarët të zbulojnë burimet e tyre me kërkesë të prokurorit në disa raste. Duke përmendur praktika të ngjashme në disa vende evropiane, regjimi i Gjukanoviçit paraqiti zgjidhje si karikaturë nga shoqëritë e zhvilluara evropiane me qëllim që të pengonte të brendshmit nga rradhët e tyre të bëhen burime të rëndësishme informacioni për gazetarët.

Pra, në praktikë, mund të ndodhë që prokurori të iniciojë një hetim dhe të detyrojë gazetarin që të zbulojë burimin e tij, dhe pastaj të ndalojë hetimin. Këto situata nuk janë të papritura, pasi dihet se edhe sot prokuroria dhe gjyqësori në Mal të Zi janë të anshëm dhe jo të pavarur.

Situata është e ngjashme me ligjin për qasje të lirë në informacione, si mjeti kryesor për gazetarinë investigative.

E treta, por jo më pak e rëndësishme, metodë e sulmit ndaj medias së pavarur është shpifja publike për gazetarët e shquar dhe aktivistët civilë nëpërmjet medias pro- regjimit jashtë Malit të Zi. Nuk ka pothuajse asnjë që ka hetuar qeverinë e mëparshme, i cili nuk ka qenë subjekt i një fushate të ndyrë nga mediat e përbaltura.

Për të gjitha këto arsye, pritshmëritë e komunitetit të medias janë të larta tani që ka ndodhur ndryshimi i qeverisë në Malin e Zi. Pritet që hetimet më në fund të mund t’ i shpëtojnë bllokimit, ligjet të rishikohen dhe të jepen zgjidhje që afirmojnë dhe nuk ndrydhin lirinë e medias.

Për fat të keq, gjërat po lëvizin shumë ngadalë, veçanërisht kur vjen puna te ndryshimi i kuadrit legjislativ. Megjithatë, ana e mirë e gjithë kësaj është se në Malin e Zi më në fund mund të kritikoni veprimet e qeverisë (të paktën deri tani) pa pasoja.

 

Nikolla Markovic, gazetar, deri para pak kohësh Zëvendëskryeredaktor i gazetës së përditshme ‘Dan’, Kryetar i Komisionit për Monitorimin e Hetimeve të Sulmeve ndaj Gazetarëve