Më pushtuan emocione të forta.  Çfarë duhet të bëj?   Kujt duhet t’ja them, kujt mund ti besoj? Unë isha e divorcuar dhe nuk mund t’u thoja asgjë gjyshërve të tim biri.

Më shumë se 30 vjet më parë, kur isha vajzë e re, dëgjoja histori ‘shume konfidenciale’ për një berber ta zonës, Suki, i cili nuk kishte pasur kurrë të dashur.

Motra ime e madhe më tregoi se kur po mësonte profesionin dhe jetonte në godinat e studentëve në Banja Luka, vazhdimisht ishte i rrethuar nga vajzat.  Ato talleshin me lëvizjet e tij ‘prej femre’, ngacmonin burrat që shkonin tek ai për të prerë flokët, edhe pse kishte dhe dy sallone të tjera për burra.  Unë në atë kohë nuk kuptoja asgjë, por me kujtohet një fjalë që ata e përdornin shpesh, e cila më vonë ndryshe do të quhej – LGBT.

As nuk e mendoja që, do ta gjeja veten në atë rreth në mënyrë indirekte. Këtë e kuptova ditën që im bir erdhi nga shkolla duke qarë.  Kur e mora vesh ketë ishte thjesht kulmi i një kohe të gjatë që ai nuk më tregonte për problemet që po kalonte.  Mendova: do të kalojë, ‘janë thjesht fëmijë’. Faktin që ai ishte i ndryshëm nga moshatarët e tij e pashë në shumë mënyra si unike.   Ai ishte student i shkëlqyer, edhe pse mjaft i ndrojtur … Më pushtuan emocione të forta. Çfarë duhet të bëj? Kujt duhet t’ja them, kujt mund ti besoj? Unë isha e divorcuar dhe nuk mund t’u thoja asgjë gjyshërve të tim biri.

Një qytet i vogël, gjithnjë kurioz, ashtu si në kohën e berberit Suki, që mbetet një legjendë urbane.

Unë duhej ta përballoja këtë me seriozitet, ndërkohë që e mbaja plotësisht të fshehtë. Nuk gjeja kurajo as te fakti se ka OJQ që merren me këtë, të cilat duan të ndihmojnë fëmijët që ndihen ndryshe dhe prindërit e tyre gjithashtu.

E kuptova që stigma e një personi LGBT nuk është më e lehtë as në qytetet më të mëdha.  Sepse edhe aty ka lagje. Po kaloja vështirësi me situatën time. Duhej të kuptoja nëse ky ishte një problem, apo thjesht jeta në thelbin e saj, dhe pastaj, ta ndaja këtë të vërtetë çdo ditë me fëmijën tim.

Pashë disa filma, mbaj mend që ishte një regjisore nga Kroacia, Dana quhej – ajo kishte bërë një film për këtë. Është e çuditshme por u ndjeva pak më e qetë kur pashë se me sa guxim ua tha prindërve të saj të vërtetën.  Por unë nuk jam aq e zonja sa Dana. Nuk jam aq e zonja as sot, nuk dua që emri im të shfaqet askund. Pavarësisht se e di se të qenit e hapur mund të më ndihmojë mua dhe prindërit e tjerë që ta marrim më lehtë. Nuk dua të shtirem si moderne dhe të them: është normale. Sepse nuk është normale.  Një temë tabu, e mbështjellë me një shtresë të madhe heshtjeje.  Ndoshta kjo është arsyeja pse është më e vështirë ta përballosh.

Po mendoja se si mund ta ndihmoja fëmijën tim?  E shoh si e mendon këtë çështje kjo shoqëri e ashtuquajtur moderne.    Politikanët e vendit heshtin. Ndërkombëtaret këmbëngulin se kjo është normale. Ambasadori amerikan zakonisht është mbështetës, ambasadori suedez gjithashtu. Rrjetet sociale janë plot me opinione. Mallkimet më vrasin më shumë. Ata që mallkojnë janë ushtarët më të këqij në luftë.

Kuptova se natyra është një shportë e madhe, ku gëlon larmia.  Dhe kjo duhet respektuar – thjesht gjithkush duhet të zgjedhë pjesën e shportës që i përshtatet më shumë.

Unë jam thjesht një nënë.  Im bir është LGBT. E di se ku jetoj dhe e di se guximi për të thënë emrin dhe mbiemrin e plotë do të mirëpritej vetëm nga ata që nuk e kuptojnë.  Këto janë faqe të shkëputura nga ditari im.

 

Identiteti është i njohur për redaksinë