Historia ime nuk ka nevojë të tregohet; rrëfimi im nuk është i vërtetë dhe nuk duhet të besohet. Ashtu siç viktimat e përdhunimit akuzohen se gënjejnë. Dhe jo ata që gënjejnë me të vërtetë: përdhunuesit.

E shkruar nga: Rumena Buzarovska 

Kohët e fundit pata një takim me një grup të vogël miqsh. Midis tyre ishte një mik i imi që e kam njohur pesëmbëdhjetë vjet më parë. Nuk jemi takuar me njëri-tjetrin për një kohë të gjatë, dhe padyshim që kemi marrë drejtime të ndryshme ndërkohë, kështu që nuk kemi interesa të përbashkëta, përveç asaj që kemi parë të dy në televizor. Me ne ishin dhe dy shokë të tjerë. Në një moment, ndërsa isha duke folur për veten time dhe frikën dhe kufizimet e mia në hapësirën publike, përmenda sfidat me të cilat përballen gratë sapo dalin jashtë shtëpisë dhe sesi pothuajse jemi mësuar me tensionin e vazhdueshëm kur dalim jashtë. Miku i rinisë sime të hershme hapi sytë dhe psherëtiu me përbuzje. Dy të tjerët heshtën dhe prisnin që të kalonte momenti i pakëndshëm që gjoja krijova.

Nuk është hera e parë që përballem me një reagim të tillë kur flas për përvojën nga jeta ime e përditshme si grua. “Po bën propagandë feministe përsëri” ose “Në djall feminizmi” janë fraza të zakonshme sulmi në përgjigje të vërejtjeve që shqetësojnë ndjenjën e rehatisë dhe mirëqenies së burrave, të cilët, imagjinoni, po përballen vetëm me atë çka do të thotë të jetosh si grua në një shoqëri patriarkale. Në fakt ndjenja e rehatisë, apo privimi i saj, – që do të thotë sikleti – duket shumë më e vlefshme sasa ndjenja e vazhdueshme e parehatisë, frikës dhe kërcënimit me të cilat përballen gratë në jetën e tyre të përditshme (nëse nuk ndjeheni rehat dhe nuk kuptoni për çfarë po flas, shihni rrëfimet në #сегакажувам#каденеодам në Maqedoni, si dhe homologen kroate #ženeujavnomprostoru).

U përballa me mikun e mëparshëm për reagimin e tij: që ai vlerësoi më shumë ndjenjën e tij të sikletit në atë moment, sesa ndjenjën time të vazhdueshme të parehatisë (i njëjti mik më bleu gaz lotësjellës shumë vite më parë, në rast se do të sulmohesha nga ndonjë maniak kur kthehesha në shtëpi në mbrëmje, duke ditur që kjo kishte ndodhur më parë. Gazi lotsjellës është në çantën e shpinës pas meje ndërsa shkruaj). I thashë se ai në fakt po përpiqej të më mbyllte gojën dhe nuk po më lejonte të tregoja historinë time. Ai nuk ndjehej rehat por “më lejoi” të vazhdoja të krijoja një situatë të pakëndshme duke i treguar atij çfarë më kishte ndodhur dy javë më parë.

Ishtë një mbrëmje e ngrohtë dhe unë me shoqen time po ecnin për rreth 20 minuta në qendër të qytetit për të arritur tek lokali ynë i preferuar. Qyteti ishtë thuajse bosh për shkak të pandemisë. Unë me shoqen time ecëm nëpër rrugica të cilat i njihnim mirë, duke shmangur vendet e errëta dhe qoshet ku kemi patur raste të pakëndshme me maniakët në të kaluarën. Sidoqoftë, gjatë 20 minutave të ecjes në qendër të qytetit, na fishkëllyen dhe thërritën disa herë, grupe burrash apo burra nga makinat e tyre (dhe një rast, nga autobuzi i transportit publik. Ne kemi shumë raste të tilla me shoferët e autobuzëve dhe kur udhëtojmë me autobuz). Në rast se ndonjëri por vret mendjen, të dyja ishim të veshura me fustane të gjata, të gjera dhe të zeza.

Miku im i vjetër më tha ndërsa flisja “më vjen keq, por unë nuk njoh të tillë njerëz”, duke dashur të thotë që ai nuk njeh dhe nuk ka takuar njerëz që sulmojnë vajza në rrugë, që i abuzojnë me fjalë apo fizikisht ato. Përsëri, kjo më vuri mua në pozitën e dikujt që ose a) gënjen b) ose ekzagjeron për të tërhequr vëmendje c) ose është e çmendur. Në këtë mënyrë, eksperienca ime si grua thjesht është e pavlerë. Historia ime nuk ka nevojë të tregohet; rrëfimi im nuk është i vërtetë dhe nuk duhet të besohet. Ashtu siç viktimat e përdhunimit akuzohen se gënjejnë. Dhe jo ata që gënjejnë me të vërtetë: përdhunuesit.

Për fat të mirë, rrëfimi tashmë është në duart e grave dhe ky proces është i pakthyeshëm. Miku im i vjetër, i cili mendon se ka qëllime të mira dhe ka harruar që ishte ai që më bleu gazin lotsjellës për t’u mbrojtur nga të njëjtën njerëz që ai pretendon se nuk i njeh, përdor metoda që janë të njohura për ne tashmë dhe nuk na e mbyllin gojën. Ndaj, metoda “mos flit sepse po më vë në siklet ” nuk funksionon më. Prandaj, shpresoj sinqerisht që të kem vënë ndonjë në siklet ndërsa lexon këto radhë.

 

Rumena Buzarovska është autore e katër koleksioneve me tregime tregimet e saj janë përkthyer dhe publikuar në Kroaci, Serbi, Bosnjë Herzegovinë, Mal të Zi, Slloveni, Itali, Hungari dhe Shtetet e Bashkuara. Ajo është përkthyese e letërsisë nga gjuha angleze në gjuhën maqedonase dhe profesoreshë e asociuar e letërsisë Amerikane në Fakultetin e Filologjisë në Shkup.  Ajo është bashkë -organizatore dhe bashkë – autore e “PitchPrich”, mbrëmja e tregimit të historive të grave.