Prej dhjetë vitesh po shkruajmë për përpjekjet për t’i thyer lidhjet e trekëndëshit politikë – biznes – media, si një nga të këqijat më të mëdha sociale që ende e mban tregun gazetaresk me kokë poshtë.

Mladen Chadikovski

Media dhe politika? Gazetaria e pavarur? Qasje subjektive ndaj problemeve të politikanëve apo vëzhgime objektive të problemeve të qytetarëve? Çfarë është media, lajmet dhe gazetarët? Në mes të një ndjekjeje të përgjithshme dhe vërshimit të narrativave të rreme, si po përballen televizionet dhe redaksitë e lajmeve maqedonase me fluksin e teknikave të reja të ofruara nga mjetet moderne të kohës së re – rrjetet sociale dhe telefonat inteligjentë, në vend të një kamere dhe mikrofonit në dorë, një fletore dhe regjistrues audio në xhepin e duhur? Si u përgjigjet gazetaria e sotme sfidave, që ende pluskojnë mes lirisë së dukshme, tendencave për (vetë) censurë dhe vartësisë financiare nga politika?

Prej dhjetë vitesh po shkruajmë për përpjekjet për t’i thyer lidhjet e trekëndëshit politikë – biznes – media, si një nga të këqijat më të mëdha sociale që ende e mban tregun gazetaresk me kokë poshtë. Ka një numër arsyesh që e kanë paracaktuar skenën e mediave në Maqedoni për t’u zvarritur në një fazë kënetore nga e cila është shumë e vështirë të dilet, dhe mund të mos ketë as dëshirë për të dalë nga kjo. Fluksi i parasë publike me të cilën qeveria arriti të blejë pëlqimin e medias në vend, në një dekadë që përfundoi 4 vjet më parë, çrregulloi shumë tregun në Maqedoni. Kjo krijoi kushte që pronarët dhe kryeredaktorët e mediave të garonin për të fituar para publike, në vend të një gare gazetarësh për gazetari cilësore dhe profesionale. Kjo çoi në shkatërrim të redaksive të lajmeve, dhe në gazetarinë e kopjo – hidh në letër që merrej vetëm me klasifikimin e serialeve turke dhe shfaqjeve turbo folk. Krijoi një martesë politiko-mediatike me interes, në të cilën bashkëshortët e lajkatojnë njëri-tjetrin, si në një telenovelë spanjolle. Interesimi i publikut e pësoi, si dhe liria e medias dhe profesionalizmi gazetaresk.

Kjo situatë e paqëndrueshme gjoja u ndalua pas ndryshimit të qeverisë. Burimet e parave publike janë tharë, tregu i mediave është qetësuar nga presionet e përditshme. Media tradicionale bëri një ndryshim të shpejtë në politikat editoriale, përsëri! E gjithë kjo u pasqyrua pjesërisht në klasifikimin e vendit në listën e “Reporterë pa Kufi”, me një rritje të lehtë nga pozicioni shumë i keq në vendin e 111-të në vitin 2017 në të 92-tin vitin e kaluar. Por a ishte e mjaftueshme kjo?

U pa se problemet në vend janë probleme të sistemit.

Problemi i parë madhor është tregu i vogël dhe numri i madh i mediave (120 kanale televizive dhe radiofonike, disa gazeta ditore dhe rreth 200 portale), të gjitha në garë për një copë të tortës së marketingut që nuk i kalon 20-25 milionë euro në vit. Në këto kushte, është e vështirë të flitet për pavarësinë reale financiare, dhe kur nuk ekziston, atëherë është vështirë të flitet për gazetarinë e pavarur dhe objektive. Varësia nga qendrat e pushtetit politik dhe të biznesit vazhdon të mbetet një nxitës i tregut, me një prirje të faktorëve politikë, dhe shpesh të disa prej vetë mediave, për të kthyer paratë e shtetit në sferën e medias. Nuk janë ende pak. Nëpërmjet zgjedhjeve, programeve të covid dhe koncensisoneve të dhëna, shteti “çliroi” rreth 6 milion euro për median vitin e kaluar.

Pjesa më e madhe e mediave tradicionale nuk kanë bërë ndryshime thelbësore në punën e tyre, duke iu përmbajtur sistemit tradicional të gazetarisë televizive dhe të shkruar dhe duke ndjekur pamjaftueshmërinë e trashëguar të programacionit.

Nga ana tjetër, cilësia mund të krijohet tek shërbimi televiziv dhe radiofonik publik në mënyrë të vërtetë dhe të shpejtë. Prej aty, ndryshimet cilësore mund të fillojnë të rrisin standardet profesionale, si kusht për krijimin e brezit të ardhshëm të gazetarëve, që do të përcjellin tendencat botërore në përmbajtje pas të cilës do të qëndrojë vetëm interesi i publikut dhe qytetarëve.

Liria është e vështirë të fitohet, por duke ndjekur qasjen e Ballkanit ndaj gjërave, ajo mund të humbet shumë lehtë. Le të mbetet i shkruar ky mendim si një udhëzues në mendjet e profesionistëve të vërtetë në Maqedoni, në mënyrë që të mos ndodhë që, me parimin “dy hapa përpara, tre pas”, të kthehemi aty ku ishim.

 

Mladen Chadikovski është Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (AJM), një gazetar me shumë vite përvojë profesionale në mbulimin e temave ekonomike dhe politike.