Bashkëpunimi i harmonizuar i metodave populiste dhe modelit kulturor kontribuon në përshtypjen e përgjithshme se, kur vjen puna te sundimi i ligjit, Serbia e ditëve të sotme është shumë më afër despotizmit arkaik, oriental sesa Evropës moderne dhe të dëshiruar dukshëm.

Miodrag Majic

Për shumicën e qytetarëve, përralla e sundimit të ligjit nuk është asgjë tjetër përveç mençurisë tjetër serbe art për hir të artit, e cila asnjëherë nuk ka hyrë në punë. Sundimi i ligjit nuk e mbush stomakun, nuk ndërton rrugë, nuk e përmirëson cilësinë e ajrit, e as nuk zvogëlon sasinë e mbeturinave në lumenjtë tanë. Për pjesën më të madhe të këtyre realiteteve në tranzicion, çështja është e qartë – është koha për të hequr dorë nga puna e kotë dhe për t’i dhënë përparësi, siç thonë politikanët tanë, problemeve të jetës reale me të cilat përballen qytetarët tanë.

Me këtë lloj arsyetimi, policët tanë lokal tallen me sundimin e ligjit. Shkatërrimi i plotë i institucioneve tona, tallja në rritje e këtyre institucioneve, si dhe shkrirja e të treja degëve të qeverisë tek një individ, janë tërësisht në përputhje me këtë mendim. Bashkëpunimi i harmonizuar i metodave populiste dhe modelit kulturor kontribuon në përshtypjen e përgjithshme se, kur vjen puna te sundimi i ligjit, Serbia e ditëve të sotme është shumë më afër despotizmit arkaik, oriental sesa Evropës moderne dhe të dëshiruar dukshëm.

Kjo ndoshta vihet në dukje më mirë nga fakti se, në mënyrë unike, termi ‘legalist’ përdoret me tallje këtu, dhe është lëndë për zhargon. Në vend që të afirmohen individët që luftojnë për rendin, kushtetutën dhe ligjin, ata diskreditohen si “priftërinj dembelë që pagëzojnë dele”, të cilët, siç thoshte Broz, ‘kapen pas ligjit si një njeri i dehur pas gardhit’.

Pasojat e kësaj qasjeje duhej të ishin parashikuar. Një shoqëri që nuk e sheh  marrëdhënien shkakësore mes shtetit të së drejtës dhe cilësisë së përgjithshme të jetës është e destinuar të dështojë. Dhe kjo është pikërisht ajo që po shohim. Përveç shkatërrimit më të dukshëm, atij të institucioneve, Serbia është prekur nga varfëria ekonomike dhe kulturore, një hendek gjithnjë e më i gjërë ndërmjet numrit të vogël të të pasurve dhe shumicës së madhe të të varfërve, largimit të trurit të të rinjve dhe të arsimuarve, dhe mediokërve që e kanë vënë veten në krye të shtetit, të gjitha këto krahas ndotjes gjithnjë e më të rrezikshme të ajrit. Megjithatë, për shumicën e atyre që kanë mbetur në smog, shteti i së drejtës mbetet një temë e mërzitshme dhe e pa jetë.

Pra nuk është çudi që, kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, ne nuk mësojmë nga përvojat e të tjerëve, por nga gabimet tona. Raporti më i fundit i Parlamentit Evropian për Serbinë, së bashku me amendamentet e miratuara, e konfirmon këtë. Më qartë se kurrë, raporti i parlamentarëve evropianë paralajmëron aktorët politikë lokalë si dhe publikun e gjerë, për kalbjen e imagjinatës tonë të kuruar me kujdes. Këtë herë shumë më drejtpërdrejt, ne po diskutojmë për gjithçka për të cilën kanë folur për më shumë se një dekadë ata që nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të këtij absurditeti. Shkurt, ndërsa impresionoheshim nga ‘sukseset e pabesueshme ekonomike dhe politike të vendit tonë, që tani respektohet ndërkombëtarisht”, ne u zgjuam në një shoqëri institucionesh krejtësisht të rrënuara, të ndërlidhura ngushtë me krimin e organizuar, dhe një sistem ligjor krejtësisht të paaftë për t’iu përgjigjur këtyre sfidave. Ndryshe nga shumë vlerësime të mëparshme, kur sasia e lavdërimeve përkundrejt kritikave ishte e llogaritur me kujdes dhe në mënyrë diplomatike, çdo gjë thuhet aty – vlerësimi i gjendjes së gjykatave tona, por gjithashtu përmendja e skandaleve specifike si Savamala, Krusik ose Jovanijica. Çdo gjë që ne e kemi ditur dhe e kemi mbajtur në heshtje për vite.

Tani është bërë e qartë – është gjyqësori, dhe jo Kosova, që do të jetë pyetja kryesore e provimit për përsëritësit tanë vendorë të vitit. Do të jetë e nevojshme të tregohet gjithçka që ka munguar gjithë këto vite – hetime të shpejta dhe efikase të skandaleve të përmendura dhe shumë të tjera, ndjekje e korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisë, gjyqësor të pavarur…

Duke pasur parasysh rrethanat tona, por edhe (mos)interesin e lartpërmendur të qytetarëve në këto çështje dhe nivelet e informimit, pritet që liderët lokalë të blejnë kohë duke krijuar grupe të reja pune, departamente të  posaçme, si dhe duke miratuar rregulloret më të fundit. Sidoqoftë, çfarëdo që të transmetohet nga kanalet televizive në frekuencë kombëtare, nga tabloidët, ose nga goja e analistëve të blerë, fakti mbetet – ‘perandoria jonë është lakuriq’, dhe kjo lakuriqësi nuk është një pamje e bukur për askënd. Herët a vonë do të ballafaqohemi me dhimbje me pasojat e faktit se, fatkeqësisht, ne jemi cilësuar me të drejtë si një shtet i cili lufton seriozisht me arritjen tjetër themelore të civilizimit – organizimin e shoqërisë sipas ligjit, e jo sipas sundimit të më të fortit.

Kush do të vuajë nga kjo në fund? Sigurisht jo politikanët, të paktën jo drejtpërsëdrejti. Mungesa e kontrollorëve në gjyqësor dhe respektimit rigoroz të ligjit, gjithmonë kanë favorizuar ato në afat të shkurtër. Bizneset e tyre, aktivitetet prapa skenave, marrëveshjet e ndërsjella dhe pasuria në rritje do të vazhdojnë të zhvillohen normalisht nën këto kushte. Mbrojtësit e vjetër dhe të rinj në krye të gjyqësorit do të lejojnë që loja të vazhdojë, dhe ata shkruan rregullat kur fituan zgjedhjet.

Pjesa tjetër e këtij ekuacioni është po aq e sigurt. Qytetarët do të vazhdojnë të vuajnë në këtë marrëveshje. Shumica e tyre do të vazhdojnë të jetojnë në varfëri, do të ngasin makinat në rrugë të këqija dhe do të mjekohen në spitale të rrënuara, por vetëm në qoftë se i sjellin vetë ilaçet dhe garzat.

Dhe do të bëhet më keq, sepse historia na mëson se mungesa e ligjit nuk mund të ndalet vetë. Kjo situatë do të zgjasë deri sa të fillojmë të mësojmë nga përvoja e shoqërive që kanë ecur në këtë rrugë shumë kohë para nesh, dhe deri sa të kuptojmë lidhjen shkakësore që nga fillimi i kësaj historie. Shteti i së drejtës, prokuroria e lirë dhe një gjyqësor i pavarur janë përgjegjës direkt për prosperitetin ekonomik, ajrin e pastër dhe kujdesin më të mirë shëndetësor. Vetëm nëse dhe kur ne ta kuptojmë më në fund këtë, ndryshimet e shumë pritura në shoqëri do të fillojnë gradualisht të vijnë.

 

Miodrag Majkiç, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Beograd