Të jetosh në një mjedis tjetër është diçka që, për ata që kanë pasur mundësinë ta përjetojnë, zgjeron horizontin në mënyrë të tillë sa vetëm atëherë e kuptojmë se askush nuk mund ta përcaktojë fatin tonë dhe që nuk duhet të jetojmë në një ‘sistem’ me të cilin jemi mësuar, atë në të cilin jemi rritur.

Milan Nikolic

“Thjesht shko diku tjetër, do të jetë më mirë”, “çfarë do bësh këtu, gjithçka ose është shkatërruar ose është shitur”, “ata kanë vjedhur gjithçka, ik prej këtu”, janë vetëm disa nga frazat që të rinjtë dëgjojnë çdo ditë kudo në Serbi …

Shumë largohen nga vendi çdo ditë, disa thonë janë 30,000 deri në 40,000 vetë çdo vit. Një pjesë e mirë e këtyre të rinjve kanë mbaruar universitetin dhe largohen në përpjekje për të siguruar një të ardhme më të mirë për veten dhe familjet e tyre.

A largoheni gjithmonë thjesht sepse gjërat janë më mirë diku tjetër, sepse sistemi politik është i organizuar më mirë, apo sepse ‘bari është më i gjelbër në arën e fqinjit’?!  Në të vërtetë, jo!  E thënë thjeshtë, të rinjtë duhet të përfitojnë nga gjithçka që ofron shekulli i 21-të dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi, si në Serbi edhe në vendet e tjera.   Unë jam një nga ata. E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja që e pret vendin tonë nuk ka qenë kurrë faktor vendimtar për sa i përket dëshirës time për tu zhvendosur diku tjetër për një periudhë të gjatë ose të shkurtër kohe.   Unë nuk jam nga ata njerëz që besojnë se dikush thjesht e vendos dhe thotë ‘Ika, shihemi!’, pasi unë jam gjithashtu nga ata njerëz që e planifikojnë me detaje çdo lëvizje.

Dëshira ime për aventura filloi të zhvillohej që në shkollë të mesme.  Nga viti 2015 deri në vitin 2021, kam jetuar në Amerikë, Holandë, Rumani dhe së fundi në Hungari, ku pata mundësinë të përfundoja një Master dy-vjeçar në ekonomi dhe biznes ndërkombëtar në Universitetin e njohur Corvinus, i cili konsiderohet si një nga shkollat më të mira në këtë pjesë të Evropës.

Çështja është, për çfarë vlen e gjitha kjo? Me pak fjalë – është shumë e vlefshme!  Përfitimet janë të shumta, duke filluar që nga krijimi i njohjeve që më vonë mund të hapin shumë mundësi si për jetën tonë personale ashtu edhe për sa i përket punës. Të jetosh në një mjedis tjetër është diçka që, për ata prej nesh që kanë pasur mundësinë ta përjetojnë, zgjeron horizontin në mënyrë të tillë që vetëm atëherë e kuptojmë se askush nuk mund ta përcaktojë fatin tonë dhe që nuk duhet të jetojmë në një ‘sistem’ me të cilin jemi mësuar, atë në të cilin jemi rritur.

Megjithatë, është e gabuar ideja se vetëm njerëzit nga rajoni ynë po largohen me shpejtësi marramendëse.

Migrimi ndodh kudo dhe për këtë arsye nuk duhet ta lidhim gjithmonë largimin e dikujt me kushtet e këqija të sistemit nga ka ardhur. Sigurisht, është dhe kjo, por gjithashtu njerëzit duan të arrijnë një lloj suksesi profesional diku tjetër.   Prandaj pyetja që shqetëson këdo që ka lindur në Serbi është: ‘A jemi të sigurt financiarisht dhe profesionalisht?’

Jemi rritur në një mjedis që është i orientuar drejt familjes dhe miqve, si themeli i tij (që nuk mund të thuhet për asnjë vend tjetër), dhe ky ishte faktori themelor në vendimin tim për të zgjedhur Serbinë si habitatin tim të përhershëm, megjithëse mbështes çdo largim dhe qëndrimin në çdo vend të botës që do të na bëjë më të mirë dhe më të suksesshëm në drejtim të zhvillimit personal dhe profesional.  Pavarësisht nëse njerëzit e pranojnë apo jo, është fakt se shumica prej tyre përfitojnë nga çdo mundësi për të vizituar Serbinë sa herë të jetë e mundur.

Secili prej nesh është individ dhe i merr vetë vendimet për të ardhmen dhe vendin ku do ose nuk do të jetojë, por çelësi është që të tregojmë mirëkuptim dhe mbështetje ndaj njëri-tjetrit dhe të lëmë kohë të mjaftueshme që gjërat të mendohen si duhet.   Unë gjithmonë do ti jem mirënjohës familjes dhe miqve të mi që patën kohë të dëgjonin idetë e mia dhe të jepnin mendimin e tyre të sinqertë sa herë që më është dashur.   Kjo më ka bërë më të mirë dhe më të sigurt në vetvete dhe jua kam kthyer duke u treguar me hollësi historitë e aventurave që kam përjetuar. Shpesh më thonë: ‘Milance, ti je dritarja jonë në botë!’

 

Milan Nikolić, ekonomist