A e njohin këta njerëz njëri tjetrin aq mirë sa duhet, a mbështeten këto emocione të forta në përvojat personale, apo janë një pasqyrim i: narrativës së përditshme politik, ngjarjeve historike apo përfaqësimit mediatik të të tjerëve?

Dr. Metodija Stojçeski

Nëse bëjmë një shumë të popullsisë së të gjitha vendeve të rajonit, do të kishim një total prej rreth 42.3 milionë banorë, popullatë që është shumëkombëshe, shumë-fetare dhe e përhapur në një hapësirë relativisht të madhe. Por më e rëndësishmja, është një popullsi me lidhje të forta emocionale që variojnë nga keqardhja e fortë tek urrejtja e fortë. Por është e lehtë të urresh kur nuk di asgjë për anën tjetër.

A e njohin këta njerëz njëri tjetrin aq mirë sa duhet, a mbështeten këto emocione të forta në përvojat personale, apo janë një pasqyrim i: narrativës së përditshme politik, ngjarjeve historike apo përfaqësimit mediatik të të tjerëve?

Para se të dalim në një konkluzion, do të doja të ndaja me ju disa nga përvojat personale që kam patur nga pjesëmarrja në ekipin që po zbaton nismën për krijimin e zyrave bilaterale për bashkëpunim rinor në mes të Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Greqisë për më shumë se një vit.

Në fillim të nismës, ne kryem një anketë për të kuptuar perceptimet e të rinjve në të dy anët e kufirit rreth njëri-tjetrit. Studimi përfshinte të rinjtë (16-29 vjeç).

Nga informacionet e shumta që kemi marrë në këtë rast, dëshiroj të interpretoj lirisht si më poshtë:

Gati 60% e të rinjve grekë që u anketuan nuk kanë udhëtuar kurrë në vendin fqinj, ndërsa pothuajse 85% e të rinjve nga Republika e Maqedonisë së Veriut e kanë vizituar Greqinë.

Nga të rinjtë që kanë vizituar vendin fqinj, numri i atyre që mund të thonë se njohin dikë apo kanë miq aty është i pa konsiderueshëm, dhe numri i atyre që dinë nevojat reale dhe kushtet e jetesës së të rinjve nga vendi fqinj është akoma edhe më i vogël. Zakonisht, të rinjtë nga Greqia patën rastin të kalojnë kufirin verior në një udhëtim në një vend tjetër në rajon, ndërsa për të rinjtë nga vendi ynë, Greqia është thjesht një destinacion për pushime verore dhe për të bërë blerje.

Ajo që më bën veçanërisht të lumtur është se qëndrimet e të rinjve për bashkëpunim pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës kanë ndryshuar dukshëm për mirë, e vetmja gjë që mungon janë mjetet për realizimin e këtij bashkëpunimi.

Lirisht mund të dal në konkluzion se të rinjtë nga të dyja vendet nuk e njohin njëra-tjetrën, se zhvillojnë emocione ndaj palës tjetër bazuar në informacionin që u jepet atyre në shoqëritë në të cilat ata jetojnë. Ekziston nevoja për të krijuar një platformë për komunikim ndërmjet fqinjëve të rinj, në mënyrë që ata të njihen me njëri-tjetrin.

Për fat të keq (apo për fat, varet), situata reale është ndryshe nga video-lojërat që i mbajnë të lidhur të rinjtë midis mësimdhënies on-line dhe ndalim daljes, kështu ne nuk mund të klikojmë dhe transferojmë vendet tona në një rajon tjetër të Evropës, me privilegjin që të zgjedhim fqinjët tanë. Ne jemi këtu krah për krah dhe afër njëri tjetrit, dhe duhet të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme të bazuara në njohuri reciproke.

Shoqëritë në rajon janë të lidhura dhe funksionojnë si enë komunikuese, të mirat dhe të këqijat mund të kalojnë me lehtësi nga njëra shoqëri në tjetrën. Pa një mjedis të qëndrueshëm, nuk ka mundësi për prosperitet për asnjërin prej vendeve, pavarësisht nëse është anëtar apo vend kandidat  i BE-së.

Politikanët në rajon duhet të kenë më shumë kurajo dhe të pranojnë kompromise, pajtimin dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët sa më shpejt që të jetë e mundur, për hir të përparimit të gjithë rajonit. Vetëm këtë herë, le të veprojmë si rajon, në mënyrë që të kemi mundësi të dëgjojmë në kohë dhe të përballemi me hartimin e hartave të reja politike nga aktorët e tjerë.

 

Dr. Metodija Stojçeski, Drejtor Ekzekutiv i Aleancës Rinore – Krushevë