Edhe pse problemet me të cilat përballemi janë të dukshme, gjatë viteve të fundit kemi parë shenja që na bëjnë të shpresojmë se gratë do të kenë vendin që meritojnë në politikën e Kosovës. 

Marija Raduloviç

 Për ata prej nesh që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, veçanërisht ata që merren me të drejtat e njeriut, zbatimin e ligjit, administratën, aktivizimin në OJQ … fraza ‘ligji është shkruar mirë por nuk zbatohet mirë’ dëgjohet shumë shpesh , mbase më shpesh sesa e kërkon situata. Kur flasim për përfaqësimin e grave në institucionet publike dhe pozicionin e grave në politikë në përgjithësi, ligji është shkruar mirë dhe zbatohet mirë.  Pra, cila është hallka që mungon?

Kur shkruajmë dhe diskutojmë mbi rolin dhe përfaqësimin e grave në Kosovë, veçanërisht në fushën e politikës, duhet të marrim parasysh patjetër zakonet tradicionale që mbizotërojnë. Niveli më i ulët i besimit që gëzojnë qytetaret femra të përfshira në jetën politike në lidhje me homologët e tyre burra i ka rrënjët në familjen patriarkale, sistemin arsimor, rolet tradicionale gjinore në shoqëri dhe shumë gjëra të tjera. E gjithë kjo ka çuar në perceptimin se gratë ose nuk  janë të kualifikuara, të afta dhe të guximshme mjaftueshëm për të luftuar në arenën politike ose, nëse guxojnë dhe u jepet liri, mund të shihen si ‘kukulla’, ose thjesht përmbushin një detyrim ligjor për të qenë të pranishme dhe për të plotësuar kuotën, dhe jo shumë më shumë se kaq.

Edhe pse Kosova nuk është anëtare e disa organizatave ndërkombëtare dhe për këtë arsye nuk ka nënshkruar një sërë konventash ndërkombëtare që synojnë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, dhe rrjedhimisht të drejtën për barazi, e drejta e grave për të marrë pjesë në jetën politike është e garantuar në disa statute ndërkombëtare të përfshira drejtpërdrejt në Kushtetutën e Kosovës.  Për më tepër, garantues i pjesëmarrjes së grave në organet ligjvënëse, si qendrore ashtu edhe lokale, është Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili kërkon pjesëmarrjen e 30%  grave në Asamble.   Kjo na bën të ngremë pyetjen – a jemi vërtet të barabartë dhe çfarë do të thotë në të vërtetë barazi në një shkallë 30:70?

Pak më vonë (në vitin 2015), Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Barazinë Gjinore dhe Ligjin kundër Diskriminimit, të cilët gjithashtu janë garantues të barazisë gjinore, si dhe masat pohuese të prezantuara për nxitjen e barazisë. Le të kthehemi në fillim dhe të themi se korniza ligjore është ndërtuar mirë dhe  respektohet deri diku, por megjithatë diskriminimi sistemik ndaj grave si një kategori e dobët është ende i dukshëm.

Edhe pse problemet me të cilat përballemi janë të dukshme, gjatë viteve të fundit kemi parë shenja që na bëjnë të shpresojmë se gratë do të kenë vendin që meritojnë në politikën e Kosovës.   Numri i votave që marrin gratë në zgjedhje po rritet nga një proces në tjetrin dhe numri i vendeve që kanë në qeveri është gjithashtu më i lartë.       Dy gra morën mandatin presidencial në një hark kohor shumë të shkurtër, ndryshe nga shumica e vendeve të rajonit.    Sidoqoftë, ajo që mungon qartë është mbështetja nga partitë politike mëmë në mënyrë që gratë të ecin përpara në pozicionet vendimmarrëse.          Thjesht plotësimi i kuotave, caktimi i funksioneve më pak të rëndësishme në qeverinë ekzekutive për sa i përket përqendrimit të pushtetit, nuk është rruga drejt një zhvillimi të vërtetë demokratik dhe të qëndrueshëm, veçanërisht të një demokracie të re si Kosova.

Situata është përmirësuar dukshëm në krahasim me dekadat e mëparshme, me arsimimin e grave në universitete prestigjioze në të gjithë botën, dhe në një farë mase emancipimi brenda vetë familjeve tradicionale; kjo ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në ndërgjegjësimin e përgjithshëm të çështjes gjinore në shoqëri.  Kosova, veçanërisht si një shoqëri multi-etnike, ende ka një detyrim të fuqizojë si gratë e shumicës shqiptare ashtu edhe gratë e komuniteteve të pakicave, t’i inkurajojë ato dhe t’u sigurojë mundësi për zhvillim personal dhe profesional, duke pasur parasysh trajtimin e grave (kësaj here, të gjitha gratë, pa diskriminim) në dekada nga shoqëria në përgjithësi.

 

Marija Raduloviç, filologe dhe eksperte e shkencave politike, aktiviste e të drejtave të njeriut që lufton për barazi shoqërore dhe ligjore