Civil Rights Defenders thekson se gazetarët përballen me kërcënime, gjuhë urrejtje dhe sulme fizike. Raporti shkon më tej duke theksuar se paditë ndaj gazetarëve kanë nisur të përdoren si një mjet për të nxitur vetë-censurën.

Lorin Kadiu

Dita e djeshme shënoi zyrtarisht një vjetorin e identifikimit të rastit të pare të infektuar me COVID-19 në Shqipëri. Pandemia e ndjekur nga muaj të tërë izolim dhe masa shtrënguese e goditi vendin në thuajse çdo aspekt.

Në një kohë kur informacioni u kthye në domosdoshmëri dhe çështje të shëndetit publik, ndikimit të pandemisë COVID-19 nuk i shpëtuan as media dhe gazetarët, të shënjestruar nga retorika e ashpër e politikë bërësve dhe një sërë ligjesh të shumë debatuara, që zënë fill kohë përpara shpërthimit të koronavirusit të ri.

Një studim i Këshillit Shqiptar të Medias, publikuar në janar të vitit 2021 tregoi se gazetarët, veç vështirësive ekonomike, u përballën me pengesa në cilësinë, paanshmërinë dhe saktësinë e raportimit gjatë muajve të izolimit për shkak të COVID-19.  Ndërsa publiku i tejngop me lajme rreth koronavisusit (rreth 60% e volumit të informacioni të monitoruar nga studimi), thuajse një e katërta e këtyre lajmeve kishte si burim të vetëm institucionet qeveritare apo rrjetet sociale të Kryeministrit Rama.

E njëjta panoramë paraqitet edhe në vështrimet që organizatat ndërkombëtare bëjnë për Shqipërinë. Pak ditë më parë u mësua se vendi humbi një pikë në vlerësimin vjetor që “Freedom House” i bën lirisë në botë ndërsa në analizën që Civil Rights Defenders (CRD) i bën politikave dhe shtetit ligjor, evidentohen një sërë problemesh me sistemin juridik, korrupsionin, lirinë e medias dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

CRD thekson se gazetarët përballen me kërcënime, gjuhë urrejtje dhe sulme fizike. Raporti shkon më tej duke theksuar se paditë ndaj gazetarëve kanë nisur të përdoren si një mjet për të nxitur vetë-censurën. Vetëm në muajin dhjetor të vitit 2020, media “BIRN Albania”, gazetarët Artan Rama dhe Juli Krisafi u paditën nga kompani private të denoncuara për lidhje me qeverinë.

Liria e Medias shënoi probleme të theksuara edhe pse në këtë periudhë Shqipëria mori kryesimin e OSBE, theksohet në vlerësimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe një rrjeti organizatash partnere. Kreu i katërt raportit, përgatitur nga “BIRN Albania” ngre një sërë problemesh që lidhen me klimën armiqësore ndaj medias.

Mes problemeve të tjera, raporti i rikthehet çështjes së ligjeve për median, prezantuar nga qeveria shqiptare si “Paketa Anti-Shpifje”.  Një iniciativë që daton prej vitit 2018 e cila kishte për qëllim rregullimin e medias online nëpërmjet një organi administrativ të zgjedhur nga partitë politike, duke i dhënë atij të drejtën për të vendosur gjoba të majme me titull ekzekutiv.

Qeveria shqiptare duket se u tërhoq momentalisht nga insistimi për të çuar përpara këtë paketë ligjore, pas një debati të gjerë dhe reagimeve të shumta lokale dhe ndërkombëtare si edhe vërejtjeve të Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, konfirmuar në pjesën më të madhe dhe nga opinioni i Komisionin e Venecias, konsiderimi i të i cili u vendos edhe si një  nga kushtet për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Një notë pozitive e zhvillimeve në këtë sektor duket se vjen si një iniciativë e vetë mediave për rregullim. Mediat janë vënë në lëvizje për duke hedhur hapat e para drejt krijimit të mekanizmave vetërregulluese. Në shkurt të vitit 2020, një iniciativë e Këshillit Shqiptar të Medias, e përshëndetur nga organet e Bashkimit Evropian në Shqipëri, themeloi Aleancën për Median Etike (AME). Ky organ i përbërë aktualisht nga rreth 25 media elektronike dhe audiovizive ka arritur të krijojë një mekanizëm funksional ankesash të cilat shqyrtohen nga një Bordi i Etikës i zgjedhur me votë nga AME, me qëllim rritjen e raportimit cilësor dhe zbatimin e Kodit të Etikës së Gazetarit.

 

Lorin Kadiu, prej vitesh është angazhuar pranë një sëre mediash lokale dhe ndërkombëtare si gazetar, redaktor dhe trajnues në metodat inovative të gazetarisë. Aktualisht është drejtor ekzekutiv i Qendrës Citizens Channel.