Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë Hercegovina janë vende të lindura rob – të dyja janë fëmijë të marrëveshjeve të paqes (Dejtonit dhe Ohrit), në të cilat elitat etnike (rrethi i brendshëm i modelit të treguar më poshtë) kanë përfshirë interesat e tyre – për të kontrolluar si paratë, ashtu edhe zemrat dhe mendjet e njerëzve.

Ljupço Petkovski

Ky tekst frymëzohet nga libri “Shitu, Bëhu Indiferent, Largohu, ose Tmerrohu”, i cili u botua së fundmi nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit dhe Eurothink nga Shkupi.

Libri studion dukurinë e shtetit të kapur në “etnokracitë” e Bosnjë Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut dhe reflektimin e tij në mënyrat se si “njerëzit” reagojnë ndaj padrejtësive të sistemit. Libri “depatologjizon” dhunë politike dhe ekstremizmin, duke e shpjeguar këtë jo si pasojë e “korruptimit të individëve, por si një nga reagimet “normale” ndaj faktorëve” sistemik të prodhuar nga shteti i kapur.

Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë Hercegovina janë vende të lindura rob – të dyja janë fëmijë të marrëveshjeve të paqes (Dejtonit dhe Ohrit), në të cilat elitat etnike (rrethi i brendshëm i modelit të treguar më poshtë) kanë përfshirë interesat e tyre – për të kontrolluar si paratë, ashtu edhe zemrat dhe mendjet e njerëzve. Elitat mbështeten në “këmbësorinë” e tyre, “përzgjedhësit etnik”. Këta janë individët, të cilët, nën autoritetin joformal të elitave, kontrollojnë institucionet (rrethi i tretë), duke ndarë burimet (financiare, mosndëshkimin, punësimin) tek besnikët dhe duke ndëshkuar ata që nuk u qëndrojnë besnik, pra duke dhënë pëlqim të heshtur për shtetin e kapur.

Rrethi i katërt në modeli janë qytetarët. Kur njerëzit jetojnë në një sistem të kapur, në të cilin, siç thonë maqedonasit dhe boshnjakët, “edhe sanitaret e shkollave nuk mund të punësohen pa teserë partie”, atëherë njerëzit përdorin strategji të ndryshme për t’u përshtatur me një sistem që prodhon ndjenja të padrejtësisë.

Shumë njerëz, dhe shumica prej tyre jo për arsye ekonomike, por për cilësinë e jetës, largohen (ikin jashtë). Disa zhvillojnë një mungesë interesi për politikën, duke drejtuar energjinë drejt jetës së tyre private dhe betejave të përditshme (Bëhen Indiferentë). Shumë të tjerë nuk e bëjnë problematike situatën sepse marrin privilegje nga sistemi, të tilla si punësim dhe akses në burimet publike (marrëdhëniet ndër-vepruese) ose për shkak se janë vërtet të impresionuar nga ideologjia qeverisëse. Kjo strategji quhet Shitu.

Strategjia e fundit dhe më e rralla është Tmerrohu – ose nga ana negative ose pozitive. Ndonjëherë, njerëzit tjetërsohen nga sistemi deri në atë masë sa pranojnë ideologjitë ekstreme politike, që japin kuptim përkatësie, misioni dhe qëllimi. Ideologjitë e të djathtës ekstreme dhe ekstremizmit islamik janë reciproke dhe përfaqësojnë dy anë të të njëjtës monedhë – që të dyja humbin shenjën duke e zhvendosur fajin nga sistemi i korruptuar tek pakicat, bashkëqytetarët dhe më të dobëtit. Radikalizimi negativ mbështet status quo-në.

Tmerrimi është pozitiv nëse artikulon vizione politike bazuar në idetë e drejtësisë dhe barazisë. Protestat kundër korrupsionit në vitet 2014-2016 në Maqedoni ishin një shembull i radikalizimit pozitiv të njerëzve të zemëruar, të etur për drejtësi. E njëjta gjë edhe për protestat në Bosnjë më 2014. Të dyja ciklet e protestës nuk prodhuan ndryshim të sistemit. Megjithatë, pa radikalizim pozitiv, që do të thotë “njerëz përparimtarë”, nuk ka zhvillim të identiteteve politike përfshirëse që tundin etnocentrizmin e korruptuar. Gjithashtu nuk është e mundur që të ç’kapen shtetet e kapura.

Si reagon bashkësia ndërkombëtare liberale, e cila përfshin BE-në dhe SHBA-të ndaj formave të ndryshme të radikalizimit (Tmerrimit)? Analiza tregon se në drejtim të radikalizimit negativ, i është dhënë fokus dhe burime të tepruara adresimit të çështjes së CVE (Kundërvënia ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm), që në një numër të madh rastesh do të thotë adresimi i radikalizimit islamik dhe të kthyerve nga fushëbetejat në Siri. Një fokus i vogël, në rritje por i pamjaftueshëm në programe i është dhënë radikalizmit të të djathtës ekstreme.

Megjithatë, qëndrimi më interesant është ai i bashkësisë ndërkombëtare liberale drejt radikalizimit pozitiv, i cili, çuditërisht përfundon tek ‘zbutja’ dhe ‘ko-optimi’.   Kjo marrëdhënie bazohet tek supozimi se vetëm elitat e korruptuara etnocentrike mund të ofrojnë stabilitet. Ai kumbon me paragjykime të vjetra nga vitet 1990, sipas të cilave urrejtja etnike dhe jo faktorët strukturorë të tillë si korrupsioni, po vlon dhe mund të destabilizojë lehtësisht rajonin.

Të kapurit lokalë e manipulojnë këtë paragjykim duke e paraqitur si garantuesin e vetëm të stabilitetit. Kjo është arsyeja pse ne kemi një kontradiktë: nga njëra anë, thirrjet për “ç’kapje” të shteteve, të tilla si ato të Komisionit Evropian, dhe nga ana tjetër, pritshmëria që qasja institucionale dhe bashkëpunimi me ata që e kanë kapur shtetin do të sjellë rezultate. A është e mundur demokracia në Ballkan pa radikalizëm pozitiv? Përgjigjja e autorëve të raportit është “jo”. Korrupsioni, jo prapambetja e popullit, është kërcënimi më i madh ndaj stabilitetit.

 

Ljupço Petkovski është shkencëtar politik dhe studiues i pavarur nga Shkupi, me dekada përvojë në studime sociale.