Gjatë 10 viteve të kaluara, dhe veçanërisht gjatë 3-4 viteve të fundit, ka patur një betejë të vazhdueshme në Bosnjë Hercegovinë kundër ndërtimit të hidrocentraleve të vogla. Popullsia vendase e ka kuptuar se çfarë do të thotë në të vërtetë ndërtimi i tyre, dhe Qeveria Federale e ka pranuar që hidrocentralet e vogla shkaktojnë më shumë dëm sesa dobi.

Përshtypja e përgjithshme është që nuk mund të diskutohen projektet e energjisë së pastër dhe nga burime të rinovueshme, duke ditur që ndërtimi i këtyre hidrocentraleve shkatërron ekosistemin e lumenjve dhe të zonës përreth tyre, duke kërcënuar banesat rurale që gjenden pranë, dhe duke shkatërruar pyjet afër tyre. Deri tani janë ndërtuar 109 hidrocentrale dhe plani është që të ndërtohen edhe 350-600 të tjerë.

Të gjithë lumenjtë dhe përrenjtë në Bosnjë Herecegovinë janë të kërcënuar. Popullsia vendase është lënë pa përkrahje, dhe tani po kundërshton projektet shkatërruese të ndërtimit të hirocentraleve, që synojnë shtimin e pasurisë për disa individë në kurriz të komunitetit.

Aktualisht, vendasit dhe aktivistët po luftojnë për ruajtjen e perlave të vërteta të natyrës, dhe lumenjve të paprekur Kruščica, Neretvica, Doljanka, Bjelava, Bunski, Kasindolka, Kozica, dhe të tjerë. Aktivistët e dinë që premtimet për punësim, dhe përfitime nga ndërtimi i hidrocentraleve për komunitetin vendas janë thjesht gënjeshtra – ata po bashkohen me solidaritet dhe nuk po lejojnë që lumenjtë të futen nëpër tubacione. Duke mbrojtur lumenjtë e tyre, ata po mbrojnë mbijetesën e fëmijëve të tyre, dhe të gjithë brezave të ardhshëm.

Kjo nuk është një betejë vetëm kundër hidrocentraleve të vegjël, kjo është një betejë për drejtësi, dhe dinjitet. Beteja ligjore për lumenjtë ka hedhur dritë mbi një sërë mangësish dhe paligjshmërish gjatë procesit të dhënies së lejeve. Institucionet, në marrëveshje me investitorët, po shkelin ligjet me qëllim për të shmangur përfshirjen e komunitetit vendas dhe qëndrimin e tyre kundër këtyre projekteve. Gratë e Kruscica i mbrojtën lumenjtë nga makineritë për rreth 500 ditë. Në fund, ia dolën të kundërshtojnë ligjërisht lejet mjedisore dhe lejet e tjera pëkatëse. Megjithatë, beteja nuk ka mbaruar për sa kohë ka kontrata koncensioni, dhe për sa kohë planifikimi i territorit në Bosnjë Hercegovinë përfshin ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël.

Misioni ynë nuk do të ndalet derisa ndërtimi i tyre të jetë i paligjshëm, dhe me shpresë se të gjitha hidrocentralet aktuale do të nxirren nga përdorimi. Pas vitesh betejash dhe një fushate globale për mbrojtjen e lumenjve në Bosnjë Hercegovinë, Qeveria Federale papritur u bë e ndjeshme ndaj aktivizmit.

Në takimin e përfaqësuesve të Qeverisë Federale me koalicionin për mbrojtjen e Lumenjve, që u zhvillua në mes tetorin e këtij viti, qeveria mori një kthesë verbale në diskursin për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël.  Kryeministri i Federatës, Fadil Novalic, pranoi se ata shkaktojnë më shumë dëm sesa dobi, që nuk janë eficentë, dhe se ne duhet të drejtohemi tek burimet e energjisë diellore  dhe të erës.  Ai gjithashtu premtoi se të gjitha kërkesat tona do të shqyrtohen në nivel Federativ, me qëllim ngadalësimin, dhe në fund ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve. Kjo është arsyeja pse presioni ndaj qeverive është thelbësor për të shpëtuar lumenjtë dhe jetën. Ka nevojë urgjente për riformulim të ligjit federativ për të përcaktuar rregullore më të rrepta për lejet mjedisore nga Ministria Federative për Mbrojtjen Mjedisore, heqje të incentivave për ndërtimin e hidrocentraleve, dhe si rrjedhim një reformë e të gjitha ligjeve që kanë lidhje me mbrojtjen e lumenjve dhe pyjeve, për të parandaluar punimet ndërtuese në të ardhmen.

Situata është e njëjtë në entitetin e dytë bosnjë – hercegovin të Repuklikës Srpska, ku aktivistët po ushtrojnë presion mbi qeverinë për të vënë interesin publik para atij privat.
Beteja për lumenjtë është një betejë për ujë të pastër të pijshëm në Bosnjë Hercegovinë, një betejë për jetën. Ne kemi qenë dëshmitarë që kjo betejë i tejkalon të gjitha ndryshimet etnike apo tjetër qofshin, dhe se lumenjtë na bashkojnë. Kjo na jep shpresë për një Bosnjë Hercegovinë më të mirë, më të drejtë dhe më të bukur.

 

Lejla Kusturica, aktiviste