Në kushtet e ekonomisë së tregut dora e padukshme e Adam Smithit duket qartazi, në rastin e HECeve të vogla, nuk vepron mbi bazën e kërkesë ofertës në treg, por vetëm në funksion të ofertës të pakërkuar.

Lavdosh Ferruni

Qeveria komuniste e Shqipërisë, duke njojtur pasuritë e mëdha ujore të vendit e mbështeti politikën e prodhimit të energjisë elektrike tek kaskadat e hidrocentraleve të mëdhenj në lumenjt ku mund të maksimalizonte leverdinë ekonomike, sidomos mbi lumin Drin. Me gishtat e dorës numëroheshin HECet e vegjël që shteti komunist ndërtoi në disa fshatra në zona të thella malore e zona kufitare, duke shmangur leverdinë ekonomike të prodhimit të energjisë, për hir të sigurimit të vetëfurnizimit me energji elektrike të kumuniteteve të largëta malore të vendit, sidomos ato në zona kufitare.

Në kushtet e ekonomisë së tregut dora e padukshme e Adam Smithit duket qartazi, në rastin e HECeve të vogla, nuk vepron mbi bazën e kërkesë ofertës në treg, por vetëm në funksion të ofertës të pakërkuar.   Paradoksi është se Qeveria e Shqipërisë i është bashkangjitur ofertës së pakërkuar duke krjuar lehtësira ligjore, në dobi të ofertuesve, pa studime, pa konsultime, në dëm të buxhetit të shtetit, në dëm të banorve të zonave malore që jetojnë përgjatë luginave të degëzimeve të lumenjve, në dëm të ekosistemve dhe biotës së këtyre luginave. Ofertuesit e HECeve të vogla marrin subvencion për 30 vjet për energjinë e prodhuar. Ofertuesit me ligj lejohen ta thahin lumin për kilometra të tëra e ta fusin atë në tuba. Gjoja në ligj shkruhet se HECi që ndërtohet duhet të lejojë rrjedhjen e ujit në atë që quhet prurje ekologjike. Qeveria përcaktoi me ligj një formulë e vjetër (e quajtur Q355), sipas të cilës për gjithë vitin prurja ekologjike mesatare ditore të jetë sa mesatarja e 10 ditëve me prurjen më të vogël të vitit, formulë që tash është e abandonuar në vende të tjera, pasi kjo prurje ndërpret funksionimin normal të ekosistemit. Duke ditur se në Shqipëri, si vend mesdhetar tharrja e shumë përrenjve që furnizojnë lumenjtë thahen në ditët e nxehta të verës, ofertuesi, mund ta ndërtoj një HEC dhe të marrë 100% të ujit të burimit ujor gjithë vitin. Në këto HECe të ndërtuar deri tani dhe funksional në Shqipëri, fatmirësisht nuk e kalojnë akoma 3shifrorin, edhe pse koncesionet e aprovuara janë epidemike dha kapin shifrën 700, në shumicën dërmuese ofertuesit operojnë me zero rrjedhje ekologjike, pamvarësisht se në cdo VNM që kërkon ligji shkruhet të respektohet rrjedhja ekologjike. Monitorimi sigurisht mungon.

Një lehtësi të madhe i ka bërë këto 10 vitet e fundit qeveria shqiptare koncesionarve të HECeve, që mund të jenë cfarëdo, por që duhet të kenë, sic kanë, me ndonjë përjashtim, një “simpati” për partinë në pushtet, apo njeriun e besuar të parties, duke promovuar sukseset e mëdha të qeverisë për politikat me HECet.

Kryeministri Sali Berisha inkurajoi ofertuesit në 2011 duke thënë : “Shqipëria do të behet, një superfuqi e vogël  energjetike në rajon” dhe se “ Qeveria është e gatshme të siguroj kuadrin ligjor me më shumë stimuj për ndërtimin e tyre”.

Kryeministri Edi Rama në 2017 për lejet e dhëna për ndërtimin e 2 HECeve në Parkun Kombëtar të Valbonës shkroi : “Thjesht nuk do të jetë më virgjëresha që ishte, por .. do të mbetet një shtojzovalle e mrekullueshme me dy nishane të pakuptueshëm në trupin e saj.”

Dhe me këto promovime epidemia e HECeve shpërtheu duke patur 3 valë të fuqishme në vitet e zgjedhjeve parlamentare.

 

Burimi: Ministria e Financave 2017; Porta vendore, Artan Rama, Gusht 2019, KKT 2021

 

Dora e padukshme e Adam Smithit u bë e dukshme në rastin e HECeve të vogla në Shqipëri. Në fillim të viti 2019 Qeveria tha se paguante 30 milion EURO ne vit si subvencion për HECet e vegjël dhe subvencioni duhej ndaluar. Pak muaj më vonë kryeministri Edi Rama duket se përmbysi situatën kur i cilësoi HECet e vogla si shushunja ”..që thithin gjakun e organizmit të vendit..”. Në vitin 2020 nuk u miratuan leje ndërtimi për HECet e vegjël.

A do ketë valë të katërt të epidemisë së HECeve?

 

Lavdosh Ferruni është aktivist dhe expert mjedisor ne Shqiperi. Drejton nje organizate ne fushen e agrokultures.