Ajo çfarë u kanë shkaktuar HEC-et familjeve të varfra rurale është e njëjta gjë sikur banorëve të një ndërtese, pavarësisht nga numri i kateve, tu ndërpritet uji, ose sikur grupi i mjekëve të konsultës të pretendojë se dikush të mund të jetojë me vetëm 10% të kapacitetit të mushkërive.

Ksenija Petovar

Për mendimin tim, çështja kryesore në zinxhirin e abuzimit me burimet natyrore është profesioni ose njohuritë profesionale (ose injoranca) dhe / ose, edhe më shkatërrimtare, humbja e standardeve etike dhe mentaliteti i nënshtruar i profesionit.

Profesioni, si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, e ka pranuar në mënyrë jo kritike konceptin e HEC-eve derivate si një nga burimet e mundshme të të ashtuquajturës energji e gjelbër. Që në fillim, profesionistët duhej ta dinin që marrja e ujit dhe garantimi i të ashtuquajturit minimum biologjik (ose 10% e rrjedhës së sasisë minimale të rrjedhës së ujit) do të nënkuptonte zhdukjen e paracaktuar të çdo jete të egër në lumenj. Analizat e ekspertëve gjithashtu kanë injoruar plotësisht ndikimin në mjedisin social dhe ekonomik – këto zona kodrinore dhe malore me rrjedha uji të vogla por të shpejta janë të banuara, kryesisht, nga familje të varfra dhe të moshuara, me të ardhura të ulëta dhe ferma të vogla, të cilat thjesht nuk mund të mbijetojnë pa atë burim uji. Për të mos përmendur pasojat që mund të ketë mungesa e ujit te pyjet, kafshë e egra dhe pjesë të tjera të natyrës. Çështja është, pse profesionistët ja dhanë dritën jeshile ndërtimit të HEC-eve derivate. Për mendimin tim, shpjegimi duhet të kërkohet në papërgjegjshmërinë e profesionit, në injorancën ose në prishjen e dimensionit etik të punës profesionale ose në mentalitetin e nënshtruar…  ose në të gjitha të mësipërmet.

Ajo çfarë u kanë shkaktuar HEC-et familjeve të varfra rurale është e njëjta gjë sikur banorëve të një ndërtese, pavarësisht nga numri i kateve, tu ndërpritet uji, ose sikur grupi i mjekëve të konsultës të pretendojë se dikush të mund të jetojë me vetëm 10% të kapacitetit të mushkërive.

Kur u provua ndikimi katastrofik i HEC-eve derivative në mjedis dhe shoqëri, shtetet e rregulluara ligjërisht i ndaluan ato projekte. Sipas të dhënave të Fakultetit të Pyjeve në Beograd, mes viteve 1993 dhe 2017, më shumë se një mijë hidrocentrale derivate u shkatërruan në SHBA dhe rreth 400 në Evropë.

Në Serbi, heqja dorë nga ndërtimi i HEC-eve të reja derivate dhe prishja e atyre që janë ndërtuar tashmë do të jetë shumë më e vështirë dhe e pasigurt. Është krijuar një kombinim i ‘biznesit’ (që do të thotë: plaçkitje nën mbrojtjen e shtetit dhe nomenklaturave politike) dhe politikës (që do të thotë: përvetësim në mënyrë moskokëçarëse i të mirave publike, shkatërrim dhe rrezikim i pronës private të të tjerëve), aktorët e së cilës marrin miliona euro nga donacionet shtetërore pasi janë ‘prodhues të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme që suvencionohen’. Sigurisht, këto tarifa paguhen rregullisht nga të gjithë qytetarët nëpërmjet faturave të energjisë elektrike.   Legjitimiteti i kombinimit të ‘biznesit’ dhe politikës u sigurua nga ekspertë të licencuar të punësuar në institutet urbane, institutet për mbrojtjen e natyrës dhe institutet shkencore të cilët prodhojnë në mënyrë të paskrupullt studime me vlerësime të rreme dhe jo të plota të ndikimit në mjedis. Asnjë HEC derivativ nuk mund të ndërtohet pa një analizë paraprake, një projekt dhe miratimin e ekspertëve përkatës. Megjithatë, duket se asnjë ekspert nuk e humbet licencën si pasojë e punës në një projekt / studim me të dhëna të fshehura, jo të plota ose të falsifikuara, sepse shoqatat dhe dhomat profesionale janë organizata pranë-shtetërore (ose më saktë pranë-partiake) pa asnjë autonomi dhe integritet profesional.

Sot, në Serbi mënyra e vetme për të ndaluar ndërtimin e mëtejshëm të HEC-eve derivate dhe për të prishur ato që janë ndërtuar tashmë është që qytetarët të bashkohen dhe të tregojnë rezistencë. Ata qytetarë që rrezikohen në mënyrë direkte dhe, akoma më tepër, ata që promovojnë përgjegjësinë civile për të mirën publike dhe interesin publik, si dhe të drejtën për mosbindje civile ndaj politikave dhe vendimeve që prodhojnë dëme publike. Qytetarët e bashkuar janë pengesa e vetme ndaj dëmit publik që nomenklaturat politike prodhojnë në mënyrë të pamëshirshme së bashku me ekspertët e tyre servilë.

 

Ksenija Petovar, profesor i përhershëm, në pension, i Fakultetit të Arkitekturës dhe Gjeografisë, Universiteti i Beogradit. Fusha e punës së saj profesionale përfshin: vlerësime të ndikimit të projekteve kryesore në infrastrukturën energjetike, rrugore dhe ujore dhe sektorit të gërmimeve sipërfaqësore në popullsinë dhe komunitetet lokale.