Si mund të ndodhë që dikush që ka sulmuar seksualisht një fëmijë të dënohet me vetëm disa muaj burg, ose praktikisht ta shmangë burgun fare? Ne e kemi parë këtë në Mal të Zi.

Kristina Mihailović

 Çdo formë abuzimi seksual, dhe veçanërisht abuzimi ndaj fëmijëve, provokon një reagim dhe kërkesë të unifikuar si rrallë herë nga prindërit në Mal të Zi – dënim të përjetshëm për ata që provohet se e kanë kryer këtë krim. Ky sugjerim shpesh nuk dëgjohet, ose të paktën jo në shkallën sa duhet të kthehet në praktikë, pasi vendim marrësit as nuk kanë dashur ta marrin në konsideratë deri tani.

Mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi seksual është një temë e trajtuar në mënyrë shumë sipërfaqësore, dhe shpesh është bërë shumë pak për të. Kur ndodh një rast publik, në vend apo në rajon, siç po ndodh këto ditë, nxitet diskutimi për pak kohë, por harrohet shpejt.

Të dhënat do të sugjeronin se nuk ka shumë raste të abuzimit seksual në Mal të Zi, megjithatë realiteti është që pas çdo rasti të raportuar fshihen njëzet raste të paraportuara. Të dhënat e publikuara në Analizën e politikave penale brenda gjyqeve të Malit të Zi për rastet e abuzimit seksual që përfshijnë të miturit, gjatë periudhës nga fillimi i vitit 2013 deri në mars 2018, tregon se janë dënuar 35 burra, dhe një grua. Viktimat më të zakonshme të pedofilisë në Mal të Zi ishin vajzat e mitura dhe ato deri në 14 vjeç. Mes të dënuarve janë edhe dy mësues të dalë në pension.

Është e qartë se çfarë duhet bërë për të mbrojtur fëmijët. Dënimet minimale me tre apo katër vjet burg nuk janë të duhurat, dhe është edhe më pak e pranueshme që dënimet të jenë poshtë këtij minimumi ligjor. Nuk ka rrethana lehtësuese në këto raste! Si mund të jetë rrethanë lehtësuese fakti që i akuzuari ka familje dhe fëmijë dhe nuk është dënuar më parë? Kjo duhet të jetë rrethanë rënduese. Si mund të dënohet me ca muaj, ose praktikisht të shmangë fare burgun dikush që ka abuzuar seksualisht me një fëmijë? Ne kemi parë raste të tilla.

Ministria e Drejtësisë dhe Ligjit Penal i premtoi Shoqatës së Prindërve se reforma do të rriste dënimet për aktet e dhunës seksuale, megjithatë, nuk ka shenjë të prezantimit të dënimeve të përjetshme. Shpjegimi se kjo nuk përshtatet me detyrimet në rrugëtimin drejt BE -së është i vjetëruar, pasi ka vende të BE-së që lejojnë dënimet e përjetshme. Prandaj, nuk do ta pushojmë çështjen tonë, dhe kemi një sugjerim tjetër – të ndryshojmë normat që përcaktojnë rrethanat lehtësuese në këto raste. Është e qartë që politikat dhe praktika e butë aktuale nuk janë një paralajmërim i fortë për ata që i kryejnë këto krime. Historia nuk përfundon këtu – ka akoma shumë punë për të bërë me regjjistrimin dhe trajtimin e të dënuarve, trajnimin gjyqësor, por ne i dimë përparësitë tona.

Roli i prindërve është jashtëzakonisht i rëndësishëm, dhe duhet të vazhdojmë të punojmë që t’i mbajmë prindërit të informuar. Ne duhet të jemi në gjendje të flasim me fëmijët tanë, të jemi njerezit tek të cilët ata kanë besim, me të cilët mund të flasin; ne duhet t’i mësojmë ata që në moshë të re që të njohin atë që askush nuk mund t’ua thotë ose t’ua bëjë atyre. Rasti Aleksic serb na ka vënë në mendime – kush i kontrollon aktivitetet e atyre që organizojnë lëndë të ndryshme ekstra-kurrikulare, apo kush i kontrollon individët që janë të përfshirë drejtpërdrejt me fëmijët. ASKUSH, me sa dimë ne, dhe kjo është pikërisht gjëja që duhet të ndryshojë.

 

Kristina Mihailović, Drejtore Ekzekutive e OJG së Prindërve, Podgoricë