Nuk ka gjuhë më të arsyeshme dhe, në të njëjtën kohë, më të dashur se ajo e prindërve, të cilët i pranojnë fëmijët e tyre ashtu siç janë dhe përpiqen t’u japin atyre mundësinë e një jete dinjitoze. 

Koço Andonovski

Muaji i Krenarisë fillon pas një prej viteve më të vështira që të gjithë do ta kujtojmë për pandeminë dhe, rrjedhimisht, izolimin që mbijetuam.   Fatkeqësisht për shumë njerëz LGBT+, izolimi nuk është një risi që erdhi me pandeminë; shumë prej tyre jetojnë në izolim gjithë jetën, kryesisht në mjedise të vogla dhe të mbyllura.  Sidoqoftë, sipas hartës së re të ILGA Europe rreth progresit për sa i përket barazisë për personat LGBT + në kontinentin Europian, pas një periudhe të gjatë, në vendin tonë po vihet re progres.  Shumë njerëz më kanë kontaktuar sepse mendojnë se nuk ka progres, atëherë përse ILGA Europe e vëren këtë? Përgjigja ime është se; po, ka progres, duke filluar nga vullneti politik i udhëheqjes së shtetit; përmirësimi i kornizës ligjore, kryesisht me miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi; krijimin e një grupi të dytë ndërpartiak LGBTI në Parlament; por, gjithashtu, atmosfera e qetë ku personat LGBTI + nuk abuzohen më në zënkat dhe grindjet e përditshme politike me publikun. Sidoqoftë, duhet të theksojmë se nuk i shohim këto ndryshime dhe vullnetin politik të drejtuesve të zbresin në strukturat e institucioneve dhe shumica e tyre ende nuk janë të sensibilizuar për këtë temë.

Kohët e fundit, një tjetër gjë e rëndësishme ndodhi për personat LGBT + në vendin tonë: në revistën televizive “Klik plus” në TV21, dy nëna dhe një baba erdhën në mbrojtje të fëmijëve të tyre. Nuk ka gjuhë më të arsyeshme dhe, në të njëjtën kohë, më të dashur se ajo e prindërve, të cilët i pranojnë fëmijët e tyre ashtu siç janë dhe përpiqen t’u japin atyre mundësinë e një jete dinjitoze. Kjo është mënyra e duhur për të kapërcyer paragjykimet dhe stigmën që minon shpresat dhe mundësitë për një person LGBT+ për tu vetë realizuar dhe për të arritur lumturinë.

Forcimi i luftës për barazinë e personave LGBT + me prindërit që duan t’u japin fëmijëve të tyre mundësi të barabarta për jetën është një mesazh i fortë për të gjithë prindërit të cilët, për shkak të paragjykimeve ose frikës nga stigmatizmi, nuk i pranojnë fëmijët e tyre dhe i refuzojnë ata nëse zbulojnë se janë LGBT +. Një mesazh prindëror, plot me dashuri dhe përkushtim vetëmohues ndaj fëmijëve të tyre.

Unë mendoj se kjo risi në luftën tonë tregon se e gjithë lëvizja LGBT + po hyn në një fazë më të pjekur dhe ngadalë po zbut intolerancën ndaj pakicave seksuale.  Është një shenjë që në Ballkan mund të presim një ndryshim në lidhje me qëndrimin dhe rritjen e aksesit të personave LGBT + në drejtësi dhe shërbime, gjë që do të rrisë jo vetëm përmbushjen dhe lumturinë e atyre që identifikohen me këtë komunitet, por gjithashtu do të mundësojnë përdorimin e të gjithë kapitalit njerëzor të vendeve të Ballkanit në rindërtimin e tij pas 30 vjet keqkuptimesh, luftërash dhe shkatërrimesh, si dhe pozicionimin në hartën e rajoneve demokratike dhe të suksesshme.

Gjatë realizimit për herë të parë të ’Krenaria Shkup’ në vitin 2019, ne pamë që ndryshimi është i mundur dhe kuptuam se, nëse ekziston vullneti politik, policia mund t’i mbrojë këto ngjarje pa një sërë rreshtash me policë, gjë që çon në rritjen e frikës dhe pasigurisë.  Se është e mundur të mbrohet një paradë krenarie me aktivitete parandaluese dhe sigurimin në mënyrë strategjike të zonës ku mbahet dhe krijimin e mundësisë për të hyrë aty.    Kjo e ndryshon plotësisht imazhin e Krenarisë dhe përmbush misionin e tyre, por në të njëjtën kohë do të ndryshojë plotësisht imazhin e rajonit.

Padyshim, ndryshimi është i mundur, por varet shumë nga vullneti politik.

Jo me dinamikën që do të doja, por ndryshimi po ndodh.

 

Koço Andonovski, Drejtor Programi Qendra për Mbështetjen e LGBTI-ve, Shkup