Duke pasur parasysh qëllimin dhe funksionet, zonat ku operojnë dhe grupet që i shërbejnë, vlera dhe potenciali i tyre mbetet i madh.

Juliana Hoxha

Sipërmarrja sociale në Shqipëri është zhvilluar kryesisht pas vitit 2011, me fillimin e debatit publik mbi këtë formë organizimi ekonomik me qëllim social. Debati u nxit nga zbatimi i Iniciativës së Biznesit Social (Social Business Initiative) nga Bashkimi Europian përfshi edhe Ballkanin Perëndimor.

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, si organizatë mbështetëse për sipërmarrjet sociale, ka pasur mundësinë të dëshmoj disa nga zhvillimet në këtë drejtim.

Si një sektor në formësim e sipër, pa vlerësimin e duhur nga shteti, vuan nga mungesa totale e të dhënave zyrtare. Kuadri ligjor që nisi në vitin 2016 dhe u kompletua në vitin 2019, paraqet problematika lidhur me organizimin dhe funksionim e SS. Ai ofron minimumin e masave nxitëse, edhe këto ende të pazbatuara, e për rrjedhojë nuk ka dhënë asnjë rezultat.

Pavarësisht këtyre, nga studimet tona rezulton se SS kanë filluar të përhapen. Tirana mbetet hub-i më i madh dhe i rëndësishëm. 40% e tyre kanë fokus integrimin në punë të grupeve të margjinalizuara. 31 % mbështesin interesin e punëtorëve, fermerëve apo artizanëve, duke garantuar pagesa të ndershme dhe 24 % e SS orfrojnë shërbime sociale. Në fokus të tyre janë të papunët, të rinjtë, gratë, individë nën nivelin e varfërisë dhe Romët.

Pjesa më e madhe e SS punësojnë mesatarisht pesë punonjës, ndonësë ka një përqindje të vogël me mbi 16 punonjës. Duke pasur parasysh qëllimin dhe funksionet, zonat ku operojnë dhe grupet që i shërbejnë, vlera dhe potenciali i tyre mbetet i madh. Veçanërisht gjatë kësaj periudhe të vështirë pandemie, ku SS pavarësisht se nuk u futën në skemën mbështetëse të shtetit, në një përqindje të lartë të tyre nuk e ndaluan aktivitetin ndonëse në masë të reduktuar.

Sipërmarrjet sociale ofrojnë shërbime jetësore për shumë grupe shoqerore që nuk adresohen nga shërbimet publike, përfshi këtu shërbimet e rehabilitimit të të gjitha formave, këshillimin psikosocial, shërbime mbështetëse për grupe në nevojë, përkrah aktiviteteve të integrimit në punë. Falë mbështetjes së donatorëve të huaj, SS arritën të adaptojnë shpejt shërbimet e tyre online.

Një zhvillim i rëndësishëm dhe inovator në fushën e sipërmarrjes, qagrq përdorimi social i pronave të konfiskuara nga krimi i organizuar. Kjo është një praktikë e re për Ballkanin Perëndimor, prezantuar dhe zhvilluar në Shqipëri para tre vjetësh nga Partnerët Shqipëri, me mbështetjen e Delegacionit të BE-së në Shqipëri. Tre sipermarrjet e para sociale janë krijuar në tre qytete të vendit, në prona të konfiskuara nga krimi i organizuar. Ato sot janë ekonomi të vogla prodhimi si pasticeri dhe vende prodhimi produktesh artizanale. Në to punësohen të rinj si dhe gra e vajza viktima të dhunës në familje. Kjo praktikë e suksesshme po shtrihet edhe në prona në qytete të tjera, e shoqëruar me zhvillime pozitive të legjislacionit në këtë drejtim. Në një rast të tillë, vlera e sipërmarrjeve sociale i tejkalon ato të sipërpërmendura, duke i bërë ato kontributore të drejtëpërdrejta në forcimin e shtetit ligjor dhe të angazhimit komunitar.

Për të mos humbur këtë moment zhvillimi të sipërmarrjës sociale, është e rëndësishme që mbështetja ndaj tyre të rriten. Nevoja për bashkëpunim në nivel rajonal, akses në treg, e burime të reja financimi është urgjente. Kjo nevojë është bërë publike nw DuaPartnerInvest, një platformë bashkëpunimi rajonal, që synon të tërheqë investime dhe asistencë të specializuar për sipërmarrjen në Ballkan.

E ardhmja e sipërmarrjes është e lidhur me bashkëpunimin rajonal si në shumë fusha të tjera të ekonomisë. Me interesin e lartë të aktorëve në Ballkan dhe mbështetjen në rritje të aktorëve privatë dhe shtetëror, sipërmarrja sociale pavarësisht vështirësive të rritjes, pritet të ketë zhvillime të rëndësishme.

 

Juliana Hoxha është Drejtore e Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim që prej themelimit të organizatës.