Njëzet e dy vjet më pas, Kosovës i mungon ende një strategji kombëtare për trajtimin e së kaluarës së saj. Kjo strategji nuk ekziston kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit politik, por edhe për shkak të mungesës së angazhimit real të aktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Jovana Radosavljevic

Që nga viti 1999, qasja e Kosovës për trajtimin e së kaluarës ka qenë e paqëndrueshme dhe e pamjaftueshme. Krimet e luftës janë gjykuar nga gjykatat ndërkombëtare (ICTY), institucionet ndërkombëtare (UNMIK dhe EULEX) dhe gjykatat kombëtare. Ndërsa drejtësia për krimet e luftës është e rëndësishme, fokusimi tek këto gjyqe ka çuar në lënien pas dore të investimeve në burime për promovimin e bashkëjetesën dhe pajtimit.

Përpjekjet e Kosovës për të arritur pajtim ende nuk kanë dhënë rezultatet e pritura, sidomos pasi nuk ka pasur ndonjë interes apo investim serioz politik, dhe për shkak të një mungesë mirëkuptimi konkret dhe të vlefshëm të mekanizmave thelbësorë për pajtim. Nismat e drejtësisë tranzicionale në Kosovë janë politizuar dhe personalizuar nga liderët politikë, dhe kanë vuajtur nga mungesa e koordinimit, prandaj nuk kanë arritur të sigurojnë përfaqësimin e duhur dhe përfshirjen e komuniteteve të prekura (si viktimat e konfliktit, ashtu edhe të mbijetuarit).

Përveç iniciativave për të drejtën për drejtësi, duke përfshirë edhe Këshillin e Posaçëm të Kosovës, në vitin 2017 u lançua një nismë në lidhje me të drejtën për të vërtetën nga presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, ku njoftoi ngritjen e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Ndërkohë, ishte ngritur ekipi përgatitor, i përbërë nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe të autoriteteve, roli primar i të cilit ishte hartimi i Aktit Normativ të Komisionit, në përputhje me gjetjet e marra përmes konsultimeve publike me palët e interesuara. Mandati i ekipit përgatitor përfundoi në tetor 2020 pa u formuar Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin. Asnjëherë nuk u vendosur se si do të formohet ky komision, në Kuvendin e Kosovës – si ligj, apo si dekret i Presidentit. Pozicioni im personal si ish-anëtar i ekipit përgatitor, si dhe pozicioni i shoqërisë civile dhe të anketuarve (66%), në anketën e opinionit publik të zhvilluar nga Integra në vitin 2019, është se Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin duhet të formohet në Kuvend.

Problemi me këto iniciativa në Kosovë është se të gjitha iniciativat varen nga iniciatori, dhea kur ai person largohet nga pozicioni i tij edhe iniciativa përfundon po ashtu. Në këtë rast, mandati i ekipit përgatitor përfundoi në tetor 2020 dhe nuk u rinovua për shkak të pritshmërive për paditë e para të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, disa nga të cilat mund të vinin në adresë të Thaçit. Menjëherë pas skadimit të mandatit të ekipit përgatitor, një avion me të akuzuarit për krime lufte u nis për në Hagë. Në atë avion ishte Hashim Thaçi, i akuzuar për krime ndaj shqiptarëve, serbëve dhe romëve në Kosovë dhe Shqipëri, 1998-99, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Çështja është se sa mirëkuptim do të ketë qeveria e ardhshme e formuar nga Albin Kurti për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, pasi simbolizon fundin e krahut të luftës dhe politikanëve që vijnë nga UÇK. Për këtë arsye, është me rëndësi që ky Komision të formohet në mënyrë të ligjshme, në Kuvend. Kjo mund të sigurojë legjitimitet më të gjerë politik dhe social, veçanërisht nga komunitetet e prekura dhe ato të pakicës.

Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë, nëse do të formohet ndonjëherë, do të jetë pjesë e strategjisë së përgjithshme kombëtare për trajtimin e së kaluarës. Një hap pozitiv është se Departamenti për Drejtësi Tranzicionale i Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, në bashkëpunim me shoqërinë civile, është duke punuar shumë për të filluar procesin e hartimit të kësaj strategjie, e cila duhet të vendosë viktimat dhe të mbijetuarit në qendër të saj.

 

Jovana Radosavljevic, Drejtoreshë ekzekutive e Nismës së Re Sociale, një organizatë e shoqërisë civile me qendër në Mitrovicën e Veriut; ish anëtare e ekipit përgatitor në Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë.