Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja janë ende duke lëvizur në një rreth vicioz nismash të shumta të papërfunduara dhe të ngadalta që po grumbullohen ndërkohë që shtetet qëndrojnë në vend…
Jovana Marovic
Qershori shënon 20 vjet nga samiti i Selanikut, ku liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian miratuan Deklaratën për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Qershori shënon gjithashtu 11 vjet që kur Mali i Zi filloi negociatat zyrtare për anëtarësimin e plotë në këtë komunitet mbikombëtar, gjë që e bën atë vendin që ka qenë në procesin e përmbushjes së kushteve të anëtarësimit për kohën më të gjatë nga të gjitha ato që kanë negociuar deri më tani (Kroacia u bë anëtare tetë vjet pas hapjes së negociatave, dhe negociatat përfunduan në gjashtë vjet). Jemi dëshmitarë të këtyre jubilenjve famëkeq pjesërisht për shkak se BE-ja ndryshoi kushtet që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përmbushin, duke i bërë ato më të rrepta, por edhe sepse niveli i arritur i reformave në Mal të Zi, si dhe në vende të tjera të rajonit, nuk është ende mjaftueshëm për të hyrë në fazën përfundimtare të procesit të integrimit.
Edhe pse titulli i Liderit në procesin e integrimeve europiane, të cilin ne e mbajmë me “krenari” prej shumë vitesh, nuk ka asnjë rëndësi pas përpjekjeve të pasuksesshme për të bërë atë kthesë vendimtare, në mënyrë paradoksale, Mali i Zi ka ende perspektivat dhe shanset më të mëdha për t’u anëtarësuar në Union. Rruga ka kushtet e saj kërkuese që lidhen me korrupsionin, krimin, punësimin e bazuar në parimin e meritës, pavarësinë e institucioneve, ose thënë ndryshe, gjithçka që është e nevojshme për funksionimin e shtetit të së drejtës. Edhe pse ulja e polarizimit të thellë në shoqëri dhe arritja e një mazhorance prej dy të tretave në parlament për reforma të rëndësishme deri më tani kanë qenë sfida kryesore për përmbushjen e asaj që Komisioni Europian ka vendosur para nesh, përcaktimi i prioriteteve kyçe të nevojshme për anëtarësimin në BE mund të arrihet pavarësisht nga ekuilibri i pushtetit, sepse deklarativisht të gjitha partitë politike janë pro anëtarësimit në BE, dhe këto janë edhe pritshmëritë e 76% të qytetarëve që ende e mbështesin fuqishëm këtë synim të politikës së jashtme. Pavarësisht se vendi është në një gjendje të vazhdueshme krize politike, institucionesh të prishura dhe të politizuara, një Qeveri e qëndrueshme me agjendë të qartë mund të bëjë progresin e nevojshëm brenda një mandati. Vetëm ai nivel rritjeje dhe “përfundimi i detyrave të shtëpisë” do të na lejonte të vëmë në provë gatishmërinë e sapozgjuar të BE-së për të na integruar. E them të sapozgjuar, sepse angazhimi retorik ndaj rajonit dhe shtytja e procesit të zgjerimit si një nga prioritetet është në fakt një reagim i pritshëm ndaj agresionit rus dhe luftës në Ukrainë. Megjithatë, nuk ka risi të rëndësishme në qasje, përveç transformimit retorik dhe disa vendimeve (hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, statusi kandidat për Bosnje dhe Hercegovinën, liberalizimi i vizave për Kosovën) të cilat janë të rëndësishme pas shumë vitesh vonesa, por do të kishin pasur një efekt shumë më të madh në demokratizimin dhe lidhjen e rajonit nëse do të kishin ardhur në kohë.
Mali i Zi, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja ende po lëvizin në një rreth vicioz nismash të shumta të papërfunduara dhe të ngadalta që po grumbullohen ndërkohë që shtetet janë në vend: me demokraci gjysmë të konsoliduara apo regjime hibride, nacionalizëm në rritje, ndikime të huaja ku mungesa e demokracisë është në fakt një trampolinë për përhapjen e autoritarizmit. BE-ja nuk po nxiton të zhvillojë disa mekanizma të mirë në metodologjinë e re të zgjerimit që prezantoi së fundmi, si udhërrëfyesit apo stimujt për rezultatet e arritura, ndaj ne ende presim një përgjigje konkrete për realitetin e ri gjeopolitik. Përgjigja në pyetjen nëse do të mbetemi përgjithmonë lider në garat e nivelit të dytë, pa asnjë mundësi për të kaluar në ligën e parë, varet nga sinqeriteti i veprimeve dhe reagimeve të palës malazeze dhe europiane.
Formula për këtë transferim është e thjeshtë: 1. rezultate – 2. përfitime konkrete për qytetarët – 3. përfitime nga anëtarësimi i plotë.
Jovana Marović është anëtare e Grupit Këshillues për Ballkanin në Europë dhe ish-zëvendëspresidente dhe ministre e Çështjeve Europiane në Qeverinë e Malit të Zi.
Leave A Comment