Pa dyshim, Mali i Zi nuk duhet të jetë rrëmbyesi i vetes në këtë udhëtim të gjatë e të dhimbshëm.

Jovana Marovic

Mali i Zi është në krye të listës së vendeve që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Në vitin 2012, shteti nisi negociatat e anëtarësimit, hapi të gjithë kapitujt negociues dhe përmbushi së paku disa nga kushtet lidhur me miratimin e legjislacionit të nevojshëm dhe forcimin e kapaciteteve në secilin prej tyre.

Në maj të vitit të kaluar, Mali i Zi miratoi metodologjinë e re të zgjerimit të Komisionit Evropian, megjithëse nuk ishte detyruese, duke shprehur kështu gatishmërinë e tij për të negociuar në kushte më të rrepta, që praktikisht do të thotë se trillimi i reformave duhej lënë pas. Për më tepër, pas zgjedhjeve të gushtit të vitit të kaluar dhe ndryshimeve që pasuan, për herë të parë në mbi 30 vjet Mali i Zi ka një qeveri me një parti tjetër në mazhorancë nga të gjitha të mëparshmet, që do të thotë se ne e kemi kapërcyer edhe ‘mungesën e vullnetit politik’, të paktën në letër.

Studimi më i fundit i agjencisë De Facto tregon se 75% e shtetasve malazezë mbështesin anëtarësimin në BE dhe ky është një konsensus midis partive politike gjithashtu. Ne mund ta lexojmë optimizmin në deklaratat e përfaqësuesve të qeverisë së re, dhe Mali i Zi po përgatit një strategji të re gjithëpërfshirëse për përmbushjen e angazhimeve vendimtare nga procesi i negociatave.

Pra, pse ka ende një pikëpyetje në fund të çdo projeksioni për kohën kur Mali i Zi mund të largohet nga praktikat jodemokratike dhe të përqafojë vlerat evropiane, sipas marrëveshjes themeluese të BE-së: dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe të pakicave.

Reformat shtetërore që synojnë përqafimin e këtyre vlerave janë të ngadalta dhe të dhimbshme, kryesisht sepse demokracia në fqinjësinë tonë nuk duket se po gjen tokë pjellore, duke patur parasysh se shtetet nuk kanë “përvojë demokratike” të nevojshme dhe as një sistem multi-partiak për më shumë se 30 vjet.

Ndryshimi i qeverisë nuk nënkupton automatikisht dhe në thelb transformimin e shtetit dhe shoqërisë, dhe gabimet e paraardhësve nuk duhet të përsëriten. Ndërtimi i institucioneve që do të garantojë të drejta të barabarta për të gjithë pa diskriminim është një sfidë e vërtetë në Malin e Zi, veçanërisht për shkak të situatës në gjyqësor dhe ndikimit ende të fortë politik të partisë së mëparshme qeverisëse në këtë aspekt të qeverisë. Në të njëjtën kohë, Mali i Zi është një vend i vogël me vetëm mbi 600,000 banorë dhe nuk është një detyrë e lehtë t’i presësh rrugën klientelizmit dhe nepotizmit. Përfaqësuesit e qeverisë së re, edhe pse në kabinet vetëm prej katër muajsh, kanë treguar tashmë se nuk janë imun ndaj kësaj sëmundjeje dhe se të drejtat e barabarta për të gjithë do të mbeten vetëm një frazë boshe në deklaratat e politikanëve për një kohë të gjatë në vijim.

Qytetarët nuk kanë mjaftueshëm njohuri për proceset e integrimit dhe miratimit, dhe as për vetë terminologjinë, për shembull të sundimit të ligjit. Ato gjithashtu nuk janë mjaftueshëm aktive në kontrollimin e punës së shërbimeve publike. Studimet politike tregojnë se 80% e qytetarëve nuk kanë paraqitur asnjëherë një kërkesë për qasje të lirë në informacion.

Së fundi, një kulturë e dobët e sundimit të ligjit është një problem që nuk mund të zgjidhet brenda natës dhe ne kemi nevojë urgjente për një strategji afatgjatë. Është e mundur që pika e fillimit e kësaj strategjie duhet të jetë të kuptuarit e asaj që ka ndryshuar në fqinjësinë tonë, një mjedis ku ligjet morale kanë diktuar rregullat e sjelljes për qindra vite.

Për të gjitha arsyet më sipër është e vështirë të parashikohet se kur do të jetë në gjendje Mali i Zi t’i japë hov angazhimit për të përqafuar me vërtetësi vlerat Evropiane, ndërsa, në të njëjtën kohë anëtarësia në BE është larg, dhe për shkak se strategjia e Unionit drejt Ballkanit Perëndimor është akualisht e paqartë dhe jo konsistente… Pa dyshim, Mali i Zi nuk duhet të jetë rrëmbyesi i vetes në këtë udhëtim të gjatë të dhimbshëm.

 

Jovana Maroviç, drejtore ekzekutive e rrjetit OJQ Politikon, një qendër kërkimore me bazë në Podgoricë dhe anëtare e Grupit Këshillimor të Politikave Evropiane (BiEPAG)