Nisma e re ligjore, pavarësisht ndonjë efekti anësor pozitiv, nuk arriti të ngrihet mbi politikat e ditës dhe t’i ofrojë qytetarëve një model se si të ndahemi me të shkuarwn kriminale që na ka futur në lak për 30 vjet dhe nuk na lëshon.

Jonila Godole

Në javët e debatit tw nxehtë për dosjen sekrete të shtetasit I.M., Euronews Albania kreu një sondazh në lidhje me qëndrimin e shqiptarëve kundrejt ish-Sigurimit dhe krimeve të kryera gjatë komunizmit. Kampioni i pyetur na ofron një informacion të vlefshëm për perceptimet e shoqërisë rreth kësaj çështjeje. Sipas Barometrit, socialistë e demokratë bien njëzëri dakord në shumicën e pikave, si p.sh: Krimet e komunizmit nuk janë dënuar sa duhet!

99% e shqiptarëve ende nuk e dinë se gati 40 funksionarë ish-komunistë u dënuan në vitet 1993-1997:  ca për „kafe“, ca për genocid dhe krime ndaj njerëzimit. Por në vitet 1998-1999 ata morën të gjithë pafajësinë dhe ironikisht, edhe dëmshpërblimet! Në Shqipëri nuk figuron asnjë i dënuar, mbi krimet e pashembullta të regjimit komunist. Dosjet nuk janë hapur për të gjithë!

Debati për dekomunistizimin qysh në fillim të viteve 1990 është përqendruar te hapja e dosjeve të Sigurimit, a thua ato përmbajnë të vërtetën absolute mbi diktaturën?! Ky ka qenë një marifet për ta larguar vëmendjen nga ideatorët e krimit. Nga ana tjetër, shoqëria ka një koncept të gabuar për „hapjen“ e dosjeve, sikur ato do botohen në „pazarin“ e Facebook-ut. Në amendamentet e miratuara së fundmi nuk gjen askund të flitet për „hapje dosjesh“ dhe për konsultim pa kushtëzim të dokumenteve. Edhe sikur procesi i deklasifikimit të jetë i rregullt, nuk do të thotë se dosjet mund t’i lexojë çdokush. Ligji i arkivave e shpreh qartë këtë përmes dispozitës së shfrytëzimit të dokumentit. Ligji i mbrojtjes së të dhënave personale të vendos gjithashtu kufirin te thana. Konsultim pa kushtezim i dokumenteve

Ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit nuk duhet të ishin përfshirë në politikë.

Çdo vend postkomunist e ka zgjedhur vetë mënyrën e lustracionit. Çekia, për shembull, zgjodhi të mos i kandidonte ish-bashkëpunëtorët e policisë sekrete në poste publike. Sipas modelit çek, çdo qytetar ka sot akses të lirë (edhe online) për të kontrolluar nëse një person ka qenë apo jo i lidhur me shërbimin sekret të shtetit. Në Shqipëri, verifikimi i kandidatëve për deputetë, pavarësisht certifikatës së pastërtisë nga komisionet Mezini dhe Bezhani, është një hap pozitiv, por fatkeqësisht shumë i vonuar. Ish-oficerët, agjentët dhe kuadrot e Sigurimit të Shtetit me poste vendimmarrëse gjatë 30 viteve të fundit kanë dalë tashmë nga skena politike. A ka një mekanizëm ligjor që mund të kishte efekt mbrapaveprues ndaj këtyre, si dhe ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, drejtuesve në polici, akademi, universitete dhe struktura të tjera të shtetit?! Jo nuk ka dhe ndryshimet e fundit ligjore nuk e adresojnë këtë problem.

Të dyja partitë politike do të prekeshin njësoj nga lustracioni!

Perceptimi i qytetarëve shqiptarë është se të dyja partitë e mëdha kanë pasur deri tani në gjirin e tyre ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, prandaj e kanë të vështirë të bëjnë lustracion. Është ironik fakti që PS, një parti që nuk u distancua kurrë nga krimet e PPSH, ka marrë në dorë, prej vitit 2013, flamurin e dekomunistizimit në aspektin artistik, simbolik, përkujtimor, tani edhe përmes nismave ligjore. Mazhoranca e ka hedhur topin në mënyrë diabolike në fushën e opozitës, e cila nga ana e saj, për shkak të kësaj kauze themelore për të, as nuk i shmanget dot një dakordësimi të detyruar me socialistët, dhe as nuk mund të jetë golshënuese!

58% e shqiptarëve mendojnë se jemi distancuar nga komunizmi dhe krimet e tij!

Përtej perceptimit shpresëplotë të sondazhit, për fat të keq kjo nuk ka ndodhur. Mjafton të analizojmë sistemin politik që kemi ngritur dhe ushtritë e militantëve e patronazhistëve që ruajnë pushtetin, që të kuptojmë se shoqëria shqiptare nuk ia ka dalë të ndahet nga botëkuptimi komunist dhe autoritar. Një shoqëri e keqkuptuar dhe e keqinformuar, veçanërisht në lidhje me pasojat e organeve represive të diktaturës.

Në këtë kuptim, nisma e re ligjore, pavarësisht ndonjë efekti anësor pozitiv, nuk arriti të ngrihet mbi politikat e ditës dhe t’i ofrojë qytetarëve një model se si të ndahemi me të shkuarwn kriminale që na ka futur në lak për 30 vjet dhe nuk na lëshon.

 

Jonila Godole, pedagoge e gazetarisë në UT, me fokus kujtesën dhe ndërgjegjësimin e brezit të ri për pasojat e rregjimeve totalitare