Sipas disa sondazheve, pandemia ka pasur ndikim negativ tek patriotët e këtyre anëve, ua ka ulur andrenalinën, i ka bërë të mos shfaqin ndjenja të zjarrta patriotike të atdhedashurisë.

Jeton Neziraj

Sipas IQAir, Prishtina, Shkupi, Beogradi, Sarajeva, Sofja e Zagrebi, janë këto ditë prej qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Natyrisht, ky ajër, sikur të ishte me të vërtetë ajër i ndotur (e përsërisim, “sikur të ishte”), do të duhej të na shqetësonte të gjithve, të na alarmonte për pasojat shëndetësore që do t’mund t’i vuajm. Megjithatë, jo, nuk ka vend për shumë shqetësim. Ky që duket si ajër i ndotur, në të vërtetë është tym artificial, respektivisht industrial, i krijuar në laboratorin e KFOR-it amerikan në Bondstill, me urdhër të CIA-s. Prandaj, siç keni mundur ta vëreni, ajrit këtyre ditëve i vie një erë e çuditshme limoni, e përzier me erëza orientale. Poashtu, me siguri e keni vërejtur që kur ekspozoheni më tepër sesa 10 minuta, ju nxë gjumi, mbusheni me shpresë, ju krijohen ca vizione optimiste për të ardhmen… Epo, ja, këto janë shenja që tregojnë se ky ajër, nuk është i kontaminuar, pra, nuk është ajër i ndotur, por thjesht, pjesë e një eksperimenti amerikan mbi vendet tona.

Tani, ju do të pyesni, çfar eksperimenti?! Kjo natyrisht është një pyetje e vështirë dhe ne nuk e dimë përgjigjen e saktë. Megjithatë, ekzistojnë dy pandehma mjaft bindëse. Të themi edhe se, sipas informatave që kemi, tymi i CIA-s ka qenë i dedikuar vetëm për territorin e Kosovës e Serbisë, megjithatë, zyrtarin amerikan që ka qenë përgjegjës për shtypjen e butonit ‘ndal’, e paska pas zërë gjumi dhe ka lëshuar shumë më shumë tym se sa që është dashur, aq shumë sa që ka mbuluar krejt rajonin.

 

Sipas një pandehme, ndoshta më bindësja, tymi është shpërndarë me qëllim, pasi që ekspertët amerikan, të deleguar nga Trump-i, janë duke bërë fizibilitetin e liqenit të Ujmanit, të ri-emëruar rishtash “Liqeni Trump” (me gjasë, do të ketë edhe një emërim të tretë, final, “Liqeni i tymit”), si dhe janë duke kryer ca ujdi të rëndësishme për marrëveshjen historike shqiptaro-serbe…  Dhe prandaj është dashur një tym si ky, për t’i shmangur tensionet e revoltat eventuale të qytetarëve nga të dyja vendet.

 

Pandehma e dytë, që i konkuron të parës për nga serioziteti e besueshmëria është se “tymi” është pjesë e një eksperimenti të CIA-s, që synon ngritjen e nivelit të patriotizmit tek popujt e rajonit. Sipas disa sondazheve, pandemia ka pasur ndikim negativ tek patriotët e këtyre anëve, ua ka ulur andrenalinën, i ka bërë të mos shfaqin ndjenja të zjarrta patriotike të atdhedashurisë e kështu me radhë. Dhe kjo, natyrisht është parë si shqetësuese, sepse, një Ballkan i patrazuar do të thot më pak punë e angazhim për Bashkimin Evropian, gjendje kjo që shumë  zyrtarë, nënpunës e qytetarë evropian do t’mund t’i çonte në depresion të thellë.

 

Gjithsesi, këto të dy ngelen pandehma, e para, dorën në zemër, pak më e besueshme se sa e dyta. Në cdo rrethanë, ajri “i ndotur” është këtu dhe duket që  atë do ta kemi për rreth edhe për ca kohë, ndoshta, për aq sa t’i duhemi CIA-s që t’i përfundoj eksperimentet e saja. Në anën tjetër, ky ajër ka edhe një anë tjetër pozitive. Të gjith ata që kan probleme me gjumin, këtyre ditëve do të mund të flejnë si qingja, nëse i ekspozohen kësaj mjegulle… Pak gjum nuk na bënë keq të gjith neve, ndoshta për ca ditë a javë, aq sa mund t’u duhet amerikanëve që t’i rregullojnë këto punët tona të koklavitura shqiptaro-serbe, për paqen dhe gjëra të tjera ngjajshme…

 

Jeton Neziraj, dramaturg, është drejtor i Qendrës Multimedia në Prishtinë, një asociacion që merret me letërsinë dhe teatrin.  Për punën e tij Neziraj ka marrë çmime e mirënjohje të shumta lokale e ndërkombëtare.