Hapja e muzeut nxiti fillimin e një sërë procesesh të tjera paralele; nisjen e turneut Walter Defends Sarajevo (Uolteri mbron Sarajevën), duke zgjuar interesin e industrisë së filmit kinez dhe atij global për ribërjen e filmave nga Siba Krvavac. 

Jasmin Durakovic

Hapja e muzeut Walter Defends Sarajevo në vitin 2019 ishte një lajm të cilin media rajonale e raportoi me emocion si një praktikë që rrallë kishte qenë e suksesshme në ruajtjen e trashëgimisë së filmit, si dhe një shembull të krijimit të vendeve të reja turistike në kryeqytetin e Bosnjë Hercegovinës.

Walter Defends Sarajevo është shumë më tepër sesa një film; kryevepra, filmi aksion lufte nga Hajrudin Siba Krvavac, me kalimin e kohës, është kthyer në një markë të mirëfilltë të kulturës popullore në ish Jugosllavi dhe është një nga simbolet e Sarajevës së sotme.

Fama e këtij filmi ka kohë që ka kapërcyer kufijtë e ish-Jugosllavisë, duke e bërë atë një nga filmat më të njohur në Kinën e largët.  Kinezët ishin vizitorët më të shumtë të këtij muzeu, por dhe ata nga Serbia, Sllovenia, Kroacia dhe Mali i Zi nuk mbetën pas, krahas një numri të konsiderueshëm vizitorësh nga vendet e Evropës Perëndimore të cilët janë të interesuar në kujtesën kolektive mbi Luftën e Dytë Botërore dhe antifashizmin Europian.

Vetë muzeu është krijuar sipas modeleve të ngjashme në të gjithë botën dhe është një ndërthurje e bukur mes muzeve me figura dylli dhe riprodhimit të skenave nga filmi, me një ambient audio-vizual që na kthen në atmosferën e filmit dhe Sarajevës së Luftës së Dytë Botërore.

Hapja e muzeut nxiti fillimin e një sërë procesesh të tjera paralele; nisjen e turneut Walter Defends Sarajevo, duke zgjuar interesin e industrisë së filmit kinez dhe atij global për ribërjen e filmave nga Siba Krvavac.

Për fat të keq, koronavirusi e ka ndaluar përkohësisht zgjerimin e mëtejshëm të këtij muzeu dhe vendosjen e tij në hartën e ofertës turistike të Sarajevës.

Si nismëtar i idesë për hapjen dhe vendosjen e këtij muzeu si pjesë të aktiviteteve të drejtuara nga Qendra e Filmit në Sarajevë, jam i kënaqur me ringjallen e interesit për këtë muze. Administrata e sapo zgjedhur e Qytetit të Sarajevës dëshiron të përfshihet në zhvillimin e kësaj historie të pazakontë kulturore dhe turistike dhe po shqyrton mundësitë për një vend të ri, shumë më tërheqës në pjesën e vjetër të qytetit – pjesa më tërheqëse turistike e Sarajevës.

Pak përpara goditjes nga pandemia, Sarajeva po përjetonte bumin e saj turistik dhe këto lloj projektesh ishin të mirëpritura me idenë për të përmirësuar ofertën turistike për qindra mijëra turistë të tërhequr nga trashëgimia historike e qytetit tonë në lumin Miljacka.

Në të njëjtën kohë, ky muze ka treguar se si kultura dhe arti, përveç rëndësisë së tyre në këtë fushë, mund të bëhen markë e tregtueshme me vlerë të prekshme, kësaj here në turizëm.

Ende ka shumë bërë për të bërë që Sarajeva të meritojë emrin e një atraksioni turistik ballkanik të gjithanshëm.  Pa infrastrukturë moderne dhe një industri të arrirë turizmi, rezultatet nuk do të jenë të kënaqshme. Në destinacione si Sarajeva, bota e sotme kërkon histori të treguara në mënyrë tërheqëse në muze, si dhe infrastrukturë dhe një ofertë turistike të mirë-projektuar.

Gjeniu i ‘partizanit perëndimor’, autori i filmit Walter defends Sarajevo, nuk do mund ta imagjinonte që pas kaq shumë vitesh ai do të vazhdonte të ishte i njohur për një audiencë kaq të gjerë dhe se do të hapeshin muze bazuar në filmat e tij.

Asnjë qytet nuk mund të ketë jetë pa njerëzit e tij. Nuk mund të ketë jetë pa njerëz krijues si regjisori Krvavac, por edhe pa vetëdijen mbi rëndësinë dhe mundësitë që ofron.

Kjo është arsyeja pse shpirti i njerëzve si Hajrudin Siba Krvavac, por edhe i të gjithë atyre që morën pjesë në krijimin e një filmi, që frymëzon kineastët e sotëm dhe breza të tërë, do të qëndrojnë përgjithmonë mbi Sarajevë; një qytet historik ku historia e trazuar solli momente të vështira, por gjithashtu la pas shenja, ngjarje dhe histori të mëdha. Ky shpirt mbi Sarajevë thotë thjesht:

Das ist Valter – Ky është Valteri!

 

Jasmin Durakovic, gazetar, producent, dramaturg, regjisor teatri dhe filmi në Bosnjë-Hercegovinë.  Filmat e tij më të njohur janë Nafaka dhe Sevdah za Karima