A po përballemi me një ironi të këndshme, ku fitimi po bëhet motivi kryesor pas shpëtimit të planetit?                                                                                                               .

Kur miku im i ngushtë Borjan Jovanovski më kontaktoi me idenë për të shkruar një artikull për ekologjinë, përgjigja ime e parë ishte refuzuese, pasi përfshirja ime direkte në këtë fushë mbetet tek përdorimi i koshave të ndryshëm për llojet e ndryshme të mbetjeve dhe leximi i nivelit të ndotjes në aplikacionet në telefon. Në fakt, ajo çka më çudit më shumë, i thashë atij, është që ekologjia ka qenë një temë e nxehtë prej shumë kohësh, dhe po prej kaq shumë kohësh nuk kemi parë ndonjë progres global drejt një ‘shoqërie të gjelbër’. A ka kuptim që ne të gjithë duam të thithim ajër të pastër, të pimë ujë të pastër dhe të hamë ushqime të shëndetshme? Pse nuk janë këto gjëra përparësia kryesore kudo? Hm, mbase kjo është një temë për të cilën, në fund të fundit, mund të kem diçka për të thënë.  Zmadho pamjen – i them vetes – shih pamjen e plotë.

Ajo që ne zakonisht e quajmë ekologji, është në fakt një degë e biologjisë, por kur e përdorim në terma amatoresk, ne në fakt  i referohemi ‘ambjentalizmit’, ‘lëvizjes sociale që synon të influencojë proceset politike nëpërmjet lobimit, aktivizmit dhe arsimit, me qëllim mbrojtjen e burimeve dhe ekosistemeve natyrore’. Kjo lëvizje filloi në mes të shekullit 19-të, kur revolucioni industrial e bëri të ditur që teknologjitë e reja po na krijonin mundësinë të ndryshojmë ndjeshëm por edhe të dëmtojmë mjedisin. Kjo është arsyeja pse çështjet serioze etike janë në qendër të diskursit publik, veçanërisht në lidhje me gjetjen e balancës ndërmjet zhvillimit të ekonomisë dhe mbrojtjes së mjedisit; pyetje të cilave nuk ua kemi gjetur përgjigjen (e dakordësuar globalisht) akoma sot.

Aksidentalisht apo jo, fillimet e lëvizjeve të para ekologjike përkojnë me rritjen e një tjetër efekti anësor të revolucionit industrial – kapitalizmin, si sistemin ekonomik më të përhapur. Pranueshmëria e gjerë në shoqëri e tregut të lirë dhe ‘dorës së tij të padukshme’ ishte pa dyshim një nga faktorët më kryesorë në përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe avancimin e qytetërimit tonë veçanërisht në shekujt 19-të dhe 20. Sipërmarrësit e zgjuar dhe të zotë investuan në studime kërkimore dhe zhvillim, krijuan produkte dhe shërbime gjithnjë e më të mira, duke rritur standardin e jetesës – për shumë njerëz, gjithçka po ecte për mirë, dhe në drejtimin pozitiv.

Për shkak se motivi kryesor i kapitalizmit është fitimi, babëzia njerëzore del në sipërfaqen sociale, e stimuluar përmes një pikëpamje konsumiste të suksesit në ‘botën moderne’, thuajse në mënyrë ekskluzive përmes lenteve të parave dhe fitimit. Bashkë me këtë, fenomeni i korporatave të mëdha të shekullit 20 ka çuar në ‘depersonalizim’ të pronësisë. Rritja dhe fitimi u kthyen në vlerat e vetme të korporatave dhe synimin e tyre të vetëm – pa marrë në konsideratë ndikimin e tyre në mjedis. Shumica e pronarëve nuk janë të informuar për këto tema, ose thjesht nuk janë të interesuar. Sigurisht, ndërsa temat ekologjike po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për publikun, edhe korporatat po fusin kapituj të ‘qëndrueshmërisë’ tek objektivat e tyre – shpesh të konsideruar si ‘e keqja e nevojshme’, dhe jo një nevojë e vërtetë.

 

Sado që eko – aktivistët kanë synime të mira, dhe sado këmbëngulës janë në zgjidhjen e problemeve ekologjike, ata (shumë shpesh) trajtojnë simptomat, dhe jo problemin bazë sistemik – babëzinë e korporatave.

Kjo çështje sistemike mund të zgjidhet në dy mënyra – njëra është një ‘ribërje’ ose ‘rinovim’ i konceptit të kapitalizmit. Kjo, sigurisht, nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Mënyra e dytë është që ‘teknologjitë e gjelbra’ të bëhen fitimprurëse. Kjo është më realiste dhe duket se është në rrugë e sipër, duke filluar nga tendencat në fushën e burimeve të rinovueshme të energjisë, makinat elektrike, apo me (nano) materialet e reja dhe eficente për përdorime të ndryshme. Do të ishte një ironi e këndshme që fitimi të bëhej motivi kryesor pas shpëtimit të planetit tonë.

 

Ilijančo Gagovski, Inxhinier elektrik