Gjithashtu nuk janë të rralla raste kur komuniteti për këto por edhe arsye tjera si për shembull rrezikimin e ambientit ka dalë në kundërshtim të ndërtimit të HC , siç është rasti i protestave në komunat e Deçanit, Shtërpcës kohëve të fundit dhe para 4 vjetësh në komunën e Dragashit për projektin e  Eurokosit dhe paralajmërimin i ndërtimit të HC në pjesën e komunës së Prizrenit.

Gëzim Baxhaku

Në Kosovë sikurse edhe në tërë regjionin e Ballkanit Perëndimor të gjitha investimet e mëdha mbajnë vulën e bashkëpunimit dhe lidhjes në mes të përfaqësuesve politik dhe bizneseve.

Përjashtim nga kjo nuk janë as hidrocentralet e vogla të ndërtuara apo në ndërtim e sipër në vendin tonë.

Kjo edhe me tepër duke pas parasysh që investimi për një MW të energjisë elektrike nga uji kushton mesatarisht 2 milion euro. Këtë investim mund ta përballojnë vetëm bizneset e mëdha të cilat në të shumtën e rasteve janë të lidhura drejtpërdrejtë me politikën.

Ku fillon lidhja e bizneseve me politikën?

Për të filluar cilëndo procedurë të aplikimit për ndërtimin e hidrocentraleve vendi i parë është Kuvendi Komunal. Aty jepet një konfirmin i cili duket shumë formal por pa të cilin nuk ka mundësi të vazhdohet procedura.

Dhe këtu fillojnë lidhjet politik biznes.

Ka shumë raste që në lokacione të njëjta të konkurrojnë disa operator , por pa fije dyshimi pëlqimin gjithnjë e ka marr operatori i cili ka lidhje me udhëheqjen politike në atë komunë, ose për të cilët ka pas interferime nga lartë.

Hapi i dytë është parashtrimi i një sërë kërkesash në institucionet qendrore të Kosovës, kryesisht në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

Këtu shumë shpesh ndodh që procedurat të prolongohen me vite të tëra.

Edhe këtu dalin në sipërfaqe lidhjet e mundshme në mes të bizneseve dhe politikës. Në disa raste, të cilat është shumë vështirë të argumentohen punë kryen edhe korrupsioni.

Si ndodh korrupsioni?

Asnjë nga zyrtarët e këtyre institucioneve nuk kërkon para drejtpërdrejtë , por rekomandojnë institucionet e caktuara për të bërë dokumentet e nevojshme dhe aty ata janë pjesë e çmimit që paguhet për vlerësime ambijentale, të florës dhe faunës në afërsi të lumenjve e tjera e tjera.

Kur sigurohen këto dokumente vazhdohet procedura në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Sa po respektohet mendimi i komunitetit?

Në fillim të procedurës të gjithë kandidatët për operator të energjisë elektrike së bashku me Kuvendin Komunal  kanë obligim të organizojnë diskutim publik me komunitetin ku ndërtohet ajo HC.

Nuk janë të rralla rastet kur një gjë e tillë është anashkaluar.

Gjithashtu nuk janë të rralla raste kur komuniteti për këto por edhe arsye tjera si për shembull rrezikimin e ambientit ka dalë në kundërshtim të ndërtimit të HC , siç është rasti i protestave në komunat e Deçanit, Shtërpcës kohëve të fundit dhe para 4 vjetësh në komunën e Dragashit për projektin e  Eurokosit dhe paralajmërimin i ndërtimit të HC në pjesën e komunës së Prizrenit.

Problemi kryesor në këto raste është mbrojtja e ambientit dhe sigurimin i ujit të mjaftueshëm për nevojat e komunitetit, edhe pse pas disa nga këto protesta qëndrojnë edhe interesat politike të grupacioneve të veçanta.

 

Gëzim Baxhaku, me profesion gazetar. Ka punuar për agjenci të njohura ndërkombëtare dhe vendore të lajmeve si AP, Radio Evropa e Lirë, tash punon për agjencinë e lajmeve Beta.