Ashtu si demokracia e të drejtat e njeriut janë një proces që zhvillohet e mbrohet përditë po kështu lipset të ndodhë me kulturën e dialogut.

Genc Pollo

“Ne mund të dialogojmë por jo të negociojmë” përsëriste ministri i brendshëm shqiptar Sandër Lleshaj në pranverë 2017 duke e bërë të qartë se fliste në emër të qeverisë e të kryeministrit. Opozita kishte braktisur parlamentin për të protestuar kundër mpleksjes së qeverisë me krimin e organizuar dhe manipulimin e zgjedhjeve përmes tij.

Nga deklarata e ministrit kuptohej se mund të uleshin në tryezë me opozotën për të bërë muhabet, jo për të vepruar në përgjigje të shqetësimeve e të pretendimeve të saj.

Fjalia e ministrit shkëlqen si një shembull i asaj çfarë nuk është dialogu.

Dialogu i mirëfilltë të çon përmes kompromisit, ku palët bëjnë lëshime, në marrëveshje; mos-dialogu është shprehje e vullnetit për të mos bërë lëshime, për të mos rënë në kompromis e për të mos arritur marrëveshje. Natyrisht gjithkush mund të thotë se lëshimet lipset të jenë të arsyeshme dhe kompromisi duhet të mbetet parimor. Patjetër! Problemi që hasim më shpesh është mungesa e vullnetit për të konsideruar interesat e pikëpamjet e tjetrit. Sidomos kur tjetri është kundërshtar apo rival. Edhe kur këto interesa janë legjitime apo edhe kur pikëpamjet janë të bazuara e të arsyeshme.

Mungesa e dialogut dhe e sensit të kompromisit në shoqëritë post komuniste ka qenë objekt debati që në fillim të viteve 90. Studjues e intelektualë e shpjegonin me pikëpamjen e rrënjosur në komunizëm se kompromisi është diçka negative, dekadente e lidhur me rendin borgjez. Në esencën e vet totalitare komunizmi nuk kishte hapësirë për ide të tjera e të ndryshme e aq më pak për interesa të tilla. Rendi i ri shoqëror bazohej në mohimin absolut të rendit të vjetër borgjez si dhe në pohimin e idesë unike të socializmit shkencor të realizuar përmes pushtetit ekskluziv të partisë komuniste. Në kushtetutën e aprovuar nga Shqipëria komuniste në v. 70 shkruhej se pushteti politik i përkiste në mënyrë të pandashme kësaj partie.

Hijet e një mentaliteti të kultivuar prej dekadash  me këtë ideologji totalitare nuk mund të mos ndiheshin në fillimet e demokracisë. Ndryshimi i regjimit solli një paradigë të re politike ku forcat demokratike të themeluara rishtas dhe të ardhura në pushtet me të drejtë e shihnin veten si të legjitmuara demokratikisht. Partia komuniste ishte e diskredituar nga dekadat e regjimit represiv dhe mjerimi ekonomik. Ky ishte rasti i Shqipërisë dhe i disa shteteve të tjera. Por pati edhe shtete ku partia komuniste e ruajti pushtetin duke adoptuar pluralizmin në sistemin politik dhe duke përqafuar socializmin demokratik.

Në të tëra rastet mungesa e dialogut politik ishte e pranishme. Si pasojë kemi rritjen e tensionit politik. Ai shprehej me bojkotime të institucioneve përfshi parlamentin e me tubime protesta në rrugë që ndonjëherë agravoheshin me dhunë. Në raste ekstreme ka patur edhe bojkotim të zgjedhjeve nga partitë e opozitës.

Tentativat për të zgjidhur ngërçe të tilla janë orientuar në disa raste nga gjykatat, përfshi edhe gjykatën kushtetuese. Por gjyqësori shpesh ka qenë i ndikuar politikisht, sidomos nga partia në pushtet. Në këto kushte nuk ka dhënë gjithmonë zgjidhje paqëtuese e të pranuara nga palët. Tjetër adresë për të zgjidhur ngërçet ishin ndërkombëtarët me rolin e tyre mbidimensional: një sëmundje foshnjore e demokracisë që shfaqet edhe sot e kësaj dite. Ndonëse fillimisht autoriteti i ndërkombëtarëve ishte i lartë në vijim ka jo pak raste kur reputacioni i tyre është dëmtuar për shkak të qëndrimeve të njëanshme.

Për këto probleme nuk ka një zgjidhje deus ex machina. Ashtu si demokracia e të drejtat e njeriut janë një proces që zhvillohet e mbrohet përditë po kështu lipset të ndodhë me kulturën e dialogut. Shkolla është një institucion i rëndësishëm për ngjizjen e lulëzimin e saj. Por edhe familja e shoqëria në tërësi duhet të luajnë një rol.

 

Genc Pollo ka qenë Deputet i Kuvendi të Shqipërisë për disa mandate radhazi, qenë MInistër i Arsimit e më pas edhe zëvendëskryeministër