Sot, me shumë se kurrë në historinë tonë të re kërkohet vendosmeri dhe përkushtim i palekundur për t’i denuar politikanët të cilet mbjellin përçarje dhe bëjnë thirrje për luftë në rajon.

 Gazmend Bëralajolli

 Lajmet pozitive munguan edhe në vitin 2022: Agresioni rus në Ukrahinë, me lajme ç’orientuese nga gjitha anët, me të drejtë cilësohet si kryetema e vitit; Dialogu Kosovë – Serbi vazhdoi me një retorikë që i ngjan shekullit të kaluar dhe mungesa e një gjuhe reformuese e bën të besueshme teorinë se Ballkani has në pengesa që vet i sajon.

Bashkimi Evropian i ndërtuar mbi parimet e lirisë, demokracisë liberale u përball dhe u sfidua nga forcat skeptike të djathta që ndër tjerash besojnë se shtetet e Ballkanit Perendimor duke mos e parë tërësinë, mirren me detaje që ua pamundëson t’i kuptojnë si duhet faktoret që e ndërtojnë Bashkimin Evropian. Si rrjedhojë e këtyre ngjarjeve BE duket se ka vend-ndaluar në  një udhëkryq të cilit i mungojnë udhëzimet, shenjat se në ç’drejtim të lëvizet.

Inflacioni rrëndoi situaten socio-ekonomike pothuaj në çdo vend të globit, përfshirë edhe Kosoven.  Tregëtia ndërkombëtare nuk po mund të ngritet aty ku ishte para pandemisë dhe para  agresionit rus në Ukrahinë, duke bërë që zinxhiri i furnizimeve të mallërave, njerzve dhe energjisë të ndikon shumë në rritje enorme të çmimeve. Pyetja që shtrohet është si do të duket e ardhmja dhe si mund të krijojmë relacione mirëkuptimi me të tjerët në këto kohë krizash?!

Këto tema e bëjnë sfiduese të ardhmën sepse rrisin  pasigurinë në shoqëri.  Si individ mund të ndikojmë te familja dhe shoqëria se për çfarë të ardhme do duhej të punojmë dhe ta kërkojmë me ngulm. Pyejtet që duhet bërë janë: Pse të urrejmë kur mund të respektojmë? Pse e keqja zën vend më shpejt se e mira? Çfarë mund të bëj unë si individ që luftënxitja, urrejtja, jo-bashkëpunimi të bëhen tema të parëndësishme në shoqëritë tona.  Është mision i secilit ta kuptojmë dhe ta ndjekim rrugen e drejtë që të shpien të përparimi, të ngritja dhe jetësimi i vlerave dhe parimeve univerzale të njerzimit që i bëjnë vendet tona të këndshme dhe të deshirueshme për ne dhe për brezat që do vijnë.

Riaktualizimi i Procesit të Berlinit erdhi në çast të duhur. Samiti në Berlin u përcoll me takime të shumta të organizuara me synime dhe përpjekje për të arritur një vision përparimtar, me agjendë dhe veprime bashkëpunuese konkrete në fushen e integrimit ekonomik, prosperitetit dhe paqes së qëndrueshme. Ka shumë rëndësi që të ndihmohet ky process duke kontribuar në diskutime që promovojnë përpjekjet e deritanishme si dhe iniciativat tjera që synojnë ndryshimin e politikave dhe vendimeve në qarqet që janë përgjegjëse për integrimin e rajonit në BE.

Në këto kohë kur seriozisht është duke u kërcënuar e ardhmja e njerëzimit, popujt dhe qeveritë e vendeve të Ballkanit Perendimor nuk mund të mbajnë qendrim asnjanës (neutral), e as të rrijnë duarkryq si spektatorë. Sot, me shumë se kurrë në historinë tonë të re kërkohet vendosmeri dhe përkushtim i palekundur për t’i denuar politikanët të cilet mbjellin përçarje dhe bëjnë thirrje për luftë në rajon. Kërkohet unitet, solidaritet dhe  bashkëpunim për t’i mbrojtur dhe avancuar vlerat dhe aspiratat e popujve të Ballkanit Perendimor.

Për më shumë, nuk duhet ta harrojmë se planeti ynë është duke u kërcenuar edhe nga mosveprimi i duhur i vendeve kundrejt realizimit të politikave mbrojtëse dhe arritjen e synimeve të përcaktuara në Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së dhe Agjendes së Gjelber për Ballkanin Perendimor.  Mbrojtja e mjedisit dhe planetit nuk njeh kufij gjeografik, kombe e besime fetare, andaj edhe duhet të shihet si mundësi që afron shoqëritë të punojnë bashkë drejt një të ardhmëje që ofron perspektivë dhe zhvillim ekonomik.

 

Gazmend Berlajolli, Menaxher i Projektit, Ballkani Perëndimor Forumi Ballkanik