Nevojat që kanë qytetaret, interesimi i tyre për të marrë kredi në bankat komerciale që operojnë në Kosovë ka qenë në rritje vazhdimisht.

Fitore Rrudhani

Institucionet bankare ofrojnë shërbime të vazhdueshme e të qëndrueshme për individët, ndërmarrjet e vogla dhe grupet e tjera të interesuara. Duke qenë instrument borxhi, kredia përfshinë rishpërndarjen e një shumë të hollash, sipas kushteve të caktuara në kontratën e kredisë, duke përfshirë kështu afatin dhe normën e interesit. Përderisa kredia jepet me një kosto, kjo kosto vazhdon të jetë një stimulim për kredidhënësin. Normat e interesit kanë qenë gjithëherë faktorë përcaktues për investime në nivelin e përgjithshëm të ekonomisë, duke pasur në konsideratë gjithmonë se një parashikim i normave të interesit është mjaftë i vështirë.

Nevojat që kanë qytetaret, interesimi i tyre për të marrë kredi në bankat komerciale që operojnë në Kosovë ka qenë në rritje vazhdimisht. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qëndrore të Republikës së Kosovës, niveli i kredive të përgjithshme në Kosovë, tashmë ka arritur në mbi 2 miliardë euro, apo për mbi 6 për qind rritja vjetore, mirëpo për shkak të situatës pandemike kthimi i kredive është bërë mjaftë i vështirë për qytetarët. Ngarkesat lidhur me pagesën e kësteve kreditore vendosin presion të madh buxhetor. Si rezultat i pandemisë në mbarë globin kemi rënien e të ardhurave për qytetarë, duke ndikuar poashtu edhe tek kërkesa e konsumatorëve për të marrë kredi. Kjo kërkesë ka tendencën të ndryshojë sipas kushteve të përgjithshme ekonomike.

Për të kontrolluar dhe mbështetur mirëqenien publike konform me situatën pandemike janë miratuar pakot ekonomike, duke synuar përfshirjen e të gjithë sektorëve të ekonomisë. Pakot e politikave të ekonomisë përfshijnë ndryshime të politikave monetare dhe fiskale. Si pjesë e politikës monetare gjatë periudhes së krizës pandemike u pezulluan pagesat e kredive për qytetarë për një periudhë kohore të caktuar.

Normat e larta të kamatës ndikojnë direkt në zvogëlimin e sasisë së të ardhurave diskrecionare që qytetarët/huamarrësit kanë për blerje jo thelbësore, duke pasur tendencë uljen e normës së rritjes ekonomike dhe presioneve inflacioniste. Normat e larta të kamatës gjithashtu dekurajojnë investimet duke bërë që qytetarëve tu zvogëlohet gatishmëria për të bërë blerje në shuma të mëdha/investime, kjo për arsye të rritjes së rrezikut dhe reduktimit të besimit. Ngarkesat që lindin si pasojë e zbehjes së mundësisë për investime, mund të ndikojnë në ndryshimin e drejtimit të shpenzimeve të mjeteve financiare në kanale të reja, largimin e investitorëve nga vendi, ndërprerjen e rritjes së mirëqenies individuale dhe familjare.

Normat e interesit ndikojnë poashtu në investimet e tjera dhe elementet tjerë në portofolin e secilit prej nesh. Duke qenë peng i normave të larta të interesit ndodhemi para ndryshimit në sjelljen tonë të huamarrjes, ngase me rritjen e çmimeve, kërkesa bie sepse ka më pak treg për të blerë mallra me çmime të shtrenjta, në të kundërt, kur çmimet bien, konsumatorët fitojnë më shumë fuqi blerëse duke ndikuar kështu në rritjen e kërkesës. Duke pasur parasysh uljet dhe ngritjet e normave të interesit është e rëndësishme të vlerësojmë dhe kuptojmë se si ndryshimet e normës së interesit mund të ndikojnë në përbërësit e portofolit tonë të investimeve.

 

Fitore Rrudhani is the Balkan Forum’s Finance and Admin Officer