Është e nevojshme që me kujdes të përqohet mesazhi se sikur edhe shumë herë në histori edhe kjo e keqe e madhe do të mbizotërohet me unitet dhe solidaritet të mbarë njerëzimit mbështetur mbi arritjet më bashkëkohore  profesionale e shkencore.

Dr. h.c. Ferid Agani

Virusi Covid -19 shkaktoi çrregullimin më serioz të shëndetit publik botëror në shekullin e fundit duke prekur të gjitha sferat e mirëqenies biologjike, psikologjike e sociale të shoqërisë njerëzore.  Ndikimi është aq shumëdimensional sa që mund të krahasohet vetëm me atë të luftërave botërore.

Në veçanti është goditur personaliteti i njeriut dhe familja e tij. Izolimi i detyrueshëm social, ankthi e frika, shkëputjet e lidhjeve familjare, rrënimi i bazës materiale ekonomike, humbjet e shumta të vendeve të punës, krizat serioze financiare, rrënimi i rutinës ditore, shtimi i dhunës në familje e deri te kufizimi i lirisë së lëvizjes, shkaktuan rritje enorme të stresit të jashtëm dhe të brendshëm që tek qytetarët gjeneroi ankth, frikë e pasiguri të skajshme. Manifestimet klinike në radhë të parë përfshinin përkeqësimin e patologjisë psikiatrike që ekzistonte para epidemis por edhe çrregullimet e reja të shëndetit mendor të cilat në masën më të madhe përfshinin çrregullimet e ankthit të gjeneralizuar, çrregullimet fobike, çrregullimet obsesive kompulzive, çrregullimet e gjumit e deri te çrregullimet e rënda depresive. Këto zhvillime stresogjene me pasoja serioze psikopatologjike po lënë pasoja të përditshme në shëndetin trupor dhe mendor të njerëzve të të gjitha hapësirave gjeografike, filluar me vdekjet e shumta deri te komplikimet më serioze shëndetësore. Është e qartë se frika, izolimi social dhe rrethanat e tjera të pandemisë kanë mbizotëruar jo vetëm forcat imunobiologjike të shumicës së qytetarëve por edhe mekanizmat mbrojtës psikologjik të personaliteteve të tyre duke hapur rrugë për procese komplekse regresive në rrafshin psikiatrik.

 

U dëshmua se ballafaqimi me këto zhvillime është tejet i rëndë dhe kompleks. Ajo që para së gjithash duhet bërë është përpilimi i strategjisë gjithëpërfshirëse që do të adresojë nevojat prioritare të qyetarëve. Në këtë drejtim hapat me urgjentë duhet të ndërmerren në drejtim të vendosjes së stabilitetit dhe perspektivës ekonomike – financiare të familjeve më nevojtare. Së dyti, duhet të sigurohen të gjitha parakushtet dhe kushtet për sistemin shëndetësorë të vendit për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të shumta psikosomatike të cilat do të gjenerohen nga ankthi i supresuar dhe i somatizuar që është krijua gjatë përjetimeve kronike stresogjene në ballafaqimin me Covid 19. Së treti, kërkohet që me përkushtim të zbatohet plani i veprimit për ballafaqimin me problemet specifike të shëndetit mendor, përfshirë parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin e pasojave psikopatologjike të ballafaqimit të rëndë me Covid 19. Në këtë drejtim vemendje e posaçme duhet ti kushtohet informimit cilësor dhe me kohë të popullatës për shenjat e hershme të çrregullimeve psikopatologjike të ndërlidhura me pandemin e Covidit në mënyrë që të bëhet parandalimi i hershëm i sëmundjeve e çrregullimeve psikosomatike si dhe atyre psikiatrike. Ndërkaq, në rrafshin individual qytetar është e nevojshme që me kujdes të përqohet mesazhi se sikur edhe shumë herë në histori edhe kjo e keqe e madhe do të mbizotërohet me unitet dhe solidaritet të mbarë njerëzimit mbështetur mbi arritjet më bashkëkohore  profesionale e shkencore. Nuk ka vend për frikë e pasiguri, stresin e vazhdueshëm aktual duhet mbizotëruar me rutinën pozitive familjare e sociale dhe gjetjen e çasteve të lumturisë me më të dashurit.

 

Prof. Ass. Dr. h.c. Ferid Agani