Si të jesh nxënës në pixhama, apo nxënës i cili nuk ka shokë  dhe shoqe klase? Si do të lindin edhe dashuriçkat e para? Përmes rrjetit”? A nuk janë pyetje legjitime?

Fadil Lepaja

“Vazhdoj me kryeneçësi dhe dashuri të kujdesem rreth rrobave, uniformes se shkollës, orarit të detyrave/mësimeve, të bërit të librave me orar për të lehtësuar sadopak atë çantë gjigante të cilën fëmija im adoleshent duhet çdo ditë me e bartë  mbi supet e  brishta. Libri digjital mbase kryen punë, por nuk mjafton vetëm mësimi online, mendon ajo. Shkolla në shtëpi, jo faleminderit!

Një nënë tjetër flet si po e kryen për të satën herë të njëjtën klasë, jo se ka “ngelur”, por sepse po e përcjell njërin nga fëmijët e saj, nëpër shkallët e rrëpinjëta të arsimit të obliguar fillor.

Ajo thotë se lexon në rrjet, gjithnjë nga autorët më të mirë.

Po jetojmë në  këtë konfuzion të krijuar nga pandemia , edhe … nga teknologjia. Jam rritur në një epokë kur nxënsi i mirë mësonte në bibliotekë të shkollës apo qytetit, tani teknologjia ofron mundësi për të mësuar nga distanca dhe në kohë pandemie për të siguruar distancën e domosdoshme sociale mes fëmijëve. Por, sistemi i vjetruar nuk funksionon pa zilen e shkollës dhe tufën e nxënsëve. Ku do të marrin paga dhjetra mijëra mësimëdhënës?

Një nënë tjetër e ankon teknologjinë po aq sa virusin, aq më tepër edhe virusin që e futi botën në karantinë e sheh si produkt të bio-teknologjisë. Tjetra ankohet se modeli i vjetëruar është joadekuat nën masat e pandemisë. Ja vlen apo jo, gjithë ky shqetësim dhe rrezik, për të shkuar dhe për të u ulur përballë me një arsimtar, bashkë me 30-40 të tjerë për të marrë dijen të cilën sot e gjen në çdo pajisje komunikimi pyet qajo pa i shkëputur sytë nga Ipadi i saj.

A nuk ka të drejtë? Google, Youtube dhe aplikacione të tjera sjellin në shtëpinë tënde, pedagogët dhe shkencëtarët më eminent botëror përballë teje, derisa ti ende i shtrirë, pi ndonjë pije “digjitale” dhe arsimohesh. Edukimi i kthehet sërish nënës (apo babës tash, duke marrë parasysh se tash në fushatë ka parti që promovojnë “amësinë”, pavarësisht gjinisë).

Si mund te jesh mësues, nëse nuk ka klase, apo nxënës nëse nuk bie zilja, apo kur nuk ka pushime dimërore? Si të jesh nxënës në pixhama, apo nxënës i cili nuk ka shokë  dhe shoqe klase? Si do të lindin edhe dashuriçkat e para? Përmes rrjetit”? A nuk janë pyetje legjitime?

Virusi dhe pandemia nuk na e sollën konfuzionin. Sistemi byrokratik nuk po gjen përgjigje për një reformë në arsim, e cila duke përdorur teknologjinë dhe organizimin më të mirë do të arrinte rezultate më të mira, fëmijtë do të lodheshin më pak dhe prindërit nuk do të detyroheshin të kryenin nga disa herë shkollën. Të kesh një fëmijë në shkollë, është punë e dytë me orar të plotë. Po kur i ke dy? Tjetra nënë ankohet, se i iku truri nga fëmijtë që i sillen nëpër shtëpi tërë dtën, dhe është ajo që i bënë dhe i dërgon detyrat e tyre me email…!

 

Fadil Lepaja, shkrimtar, kolumnist i rregullt mediave të shkruara në kosovë, Shqipëri, Maqedoni veriore, komentues politik për mediat në gjuhën shqipe dhe serbe në Kosovë, Serbi  etj. Publicist.