Episodet e dhunës kanë qenë të shumta, teksa ajo shënjohej edhe nga bashkëshorti se ajo ka “faj” pse djali i saj është homoseksual. Përveç dhunës në marrëdhëniet familjare, Bledi ka përjetuar bullizëm dhe dhunë fizike nga bashkëmoshatarët, duke e çuar atë në tre tentativa për vetëvrasje.
Entenela Ndrevataj
“Kemi qenë duke zbritur nga shkallët e pallatit, nga kati i pestë në kat të dytë dhe djali më thotë ‘Mami, jam homoseksual’”.
Episodi i mësipërm, i ndodhur shumë vite më parë, i vjen në mendje Ersildës teksa e pyes rreth momentit kur e ka kuptuar orientimin seksual të të birit. Megjithëse ky ishte çasti i parë që Bledi* e artikuloi verbalisht, asokohe më pak se dhjetë vjeç, indikatorë të tjerë e kishin bërë të kuptonte se djali i saj mund të mos ishte heteroseksual.
Teksa e përshkruan pikërisht këtë fragment, Ersilda kujton se e gjitha bota për të ndaloi.
“Mbaj mend një ndjesi si tërmet, sikur me ra pallati në kokë. Nuk ecja dot më, u shtanga në vend”, pohon ajo, teksa vijon rrëfimin.
“Mami, – më tha, çfarë ke? E di që nuk ndjehesh mirë, por unë ky jam”. “Aty kam bërë një mbledhje të vetes, i kam thirrur trurit fort dhe i kam thënë: ‘Ti je fëmija im dhe do të të suportoj sa të jem gjallë’”.
Teksa flet për Bledin, në timbrin e zërit të saj dallohet përmallim, krenari dhe forcë e pashoq. Ajo rrëfen si ka dalë kundër të gjithëve dhe gjithçkaje, për ta mbrojtur djalin e saj, i cili nuk pranohej nga rrethi familjar e as nga babai.
“Të afërmit e mi më vendosën kufij, mos të vijë më djali në shtëpi. Atje ku nuk shkon djali, nuk shkoj as unë!”, citon e bindur Ersilda.
Episodet e dhunës kanë qenë të shumta, teksa ajo shënjohej edhe nga bashkëshorti se ajo ka “faj” pse djali i saj është homoseksual. Ersilda beson se në dashuri nuk ka fajtorë dhe pavarësisht presionit nuk ka ndalur së mbështeturi djalin e saj.
“Mbaj mend që na ka nxjerrë i ati me thikë, në mes të natës, jashtë. Kishte pirë dhe i kishin thënë shokët ‘Pse djali flet ashtu?” Kemi kontaktuar policinë, nuk na ofroi ndihmë, kërkonin të shkonim në komisariat. Ishim fshehur në një shkallë të pallatit, djali duhet të ketë qenë 7-8 vjeç”.
Përveç dhunës në marrëdhëniet familjare, Bledi ka përjetuar bullizëm dhe dhunë fizike nga bashkëmoshatarët, duke e çuar atë në tre tentativa për vetëvrasje. Shumë prej këtyre fragmenteve Ersilda thotë se nuk i mban mend, si pasojë e traumës së madhe. Ky mjedis kaq i dhunshëm, e ka zhytur për disa vite Ersildën në depresion.
“Kam kaluar depresion. Kam frekuentuar terapistë dhe ka qenë investimi më me vlerë që kam bërë. Në qoftë se bota do ta kuptojë që pas një homoseksuali është një nënë që vuan, do të ishte më ndryshe”.
E rritur në një shoqëri tejet patriakale dhe me role gjinore të ndara, Ersilda pohon se puna me veten ende vijon. “I vura vetes detyre që të shpërfillja çdo gjë tjetër dhe do të punoja me veten që ta ndihmoja djalin”.
Ajo beson se prindërit e tjerë mund të bëjnë njësoj në këtë aspekt dhe të jenë shtyllë mbështetjeje për fëmijët e tyre.
“Jam e gatshëm te bëj çdo gjë për komunitetin sepse çdo fëmijë është fëmija im. Ndjej dhimbje kur i keqtrajtojnë prindërit, kur nuk gjejnë suport. Është detyrë njerëzore ta pranosh, do të ndjehet më mirë”, – përfundon Ersilda, teksa pohon se pranimi vjen përmes edukimit.
*Emrat janë ndryshuar për të ruajtur privatësinë
Entenela Ndrevataj, gazetar. Ajo është aktivistë e shoqërisë civile, e fokusuar kryesisht në barazinë gjinore dhe të drejtat e komuniteteve të disavantazhuara
Leave A Comment