Rasti brutal i policisë në Manastir, kur tre romë u sulmuan nga oficerët e policisë, ka marrë një vëmendje të madhe nga publiku.    Gjykata ende nuk ka marrë një vendim për ngjarjen dhe ndërkohë tensionet midis jo-romëve dhe romëve në vend janë rritur. 

Elvis Shaqiri

Pandemia globale ka ndryshuar sjelljen e përditshme, dhe për disa nga romët ka thelluar sfidat dhe ka nxjerrë në pah problemet e vazhdueshme me të cilat janë përballur romët gjatë 20 viteve të fundit.  Sfida e parë që u vu re ishte kthimi i muzikantëve romë nga jashtë vendit në mes të Marsit 2020, kur punonjësit e Ministrisë së Brendshme në mënyrë diskriminuese vendosën ti lënë nëntë muzikantët romë në karantinë shtetërore, në kushte të këqija higjienike dhe lejuan treqind udhëtarë jo romë të izolohen në shtëpinë e tyre. Pas presionit nga AVAYA dhe organizata të tjera, grupi i muzikantëve u zhvendos dhe u izolua në një vend tjetër.

Rasti brutal i policisë në Manastir, kur tre romë u sulmuan nga oficerët e policisë, ka marrë shumë vëmendje nga publiku. Gjykata ende nuk ka marrë një vendim për ngjarjen dhe ndërkohë tensionet midis jo-romëve dhe romëve në vend janë rritur, sidomos gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale.   Shtimi i gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit ndaj Romëve u vu re edhe në Kocani, ku një fëmijë rom 10-vjeçar u sulmua fizikisht nga disa persona që kishin vendosur të vinin në vend drejtësinë.  Rasti bëri që jo-romët të mbështesin autorët e krimit duke propozuar që të bëhen patrullime në banesat e romëve.     Ashtu si dhe e para, kjo ngjarje ende nuk ka një zgjidhje ligjore, e cila tregon se romët e kanë të vështirë të gjejnë drejtësi.

Përveç rasteve të dhunës dhe trajtimit diskriminues, pandemia ka shkaktuar një boshllëk më të madh tek studentët romë të cilët nuk i ndjekin mësimet në internet. Kjo sepse shumë familje rome nuk kanë pajisje elektronike as internet, në mënyrë që fëmijët e tyre të mund të ndjekin klasat në internet.  Romët që ishin pjesë e ekonomisë informale mbetën pa të ardhura për shkak të kufizimeve të vendosura si rezultat i gjendjes së jashtëzakonshme.   Për më tepër, hyrja në sistemin e mbështetjes sociale është e vështirë për shkak të procedurave administrative dhe informacionit jo të mjaftueshëm në dispozicion të popullsisë.   Sfidat u rritën edhe për personat pa certifikatë lindje, veçanërisht në fushën e shëndetësisë.

Pandemia ngadalë po qetësohet, por ne ende duhet të shqyrtojmë përqindjen e romëve që vdiqën nga KOVID-19. Jetëgjatësia e shkurtër e romëve është dokumentuar në shumë raporte, ku rezultatet e Zyrës Shtetërore të Statistikave tregojnë se 7% e komunitetit Rom vdesin në moshën 25 deri 44 vjeç, 37% vdesin në moshën 45 deri 64, 49 % vdesin në moshën 65 deri 84 vjeç, dhe vetëm 7% jetojnë deri në 85 vjeç. Mungesa e qasjes së duhur në përparësinë e vaksinimit është problem për kategoritë e rrezikuara dhe vetë komunitetin Rom. Të dhënat tona tregojnë se lagjet rome ku nuk ka qasje në internet ose pajisje elektronike, janë jashtë qarqeve të vaksinimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për njerëz pa dokumente.  Rekomandohet që dozat e ardhshme tu drejtohen kategorive të rrezikuara të qytetarëve drejtpërdrejt në terren.

Pandemia theksoi ndjeshëm pabarazinë social-ekonomike me të cilën përballen romët në vend.  Masat e marra në periudhën afatshkurtër, në një farë mase, kanë zbutur pasojat e krizës. Sidoqoftë, mbetet që shteti të drejtojë politikat dhe investimet afatgjata tek komuniteti rom në mënyrë që të kapërcejë mangësitë e sistemit.

 

Elvis Shaqiri është Drejtuesi Ekzekutiv dhe një nga themeluesit e Institutit për Kërkime dhe Analizë të Politikave – Romalitico. Master për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest.