Në shoqërinë tonë është i përhapur mendimi se një shkallë e caktuar ngacmimi ose dhune edhe mund të tolerohet nga punëmarrësit, kjo veçanërisht për punonjëset gra.
Elona Dhëmbo
Sa herë që vëmendja drejtohet nga çështje të dhunës dhe ngacmimit, përveç problematikës në vetvete, shqetësim të madh përbën nënraportimi i tyre. Ky ka qenë një konstatim i vazhdueshëm edhe përsa i takon ngacmimit dhe dhunës në punë. Dhuna dhe ngacmimi në vendin e punës nuk janë fenomene të reja dhe asnjë sektor i ekonomisë nuk është imun ndaj tyre.
Një studim i vitit 2021, nga CLR (Qendra për të Drejtat në Punë), u fokusua në 6 sektorë strategjikë të ekonomisë: administratë publike, arsim, shëndetësi, hoteleri-turizëm, fasoneri, dhe sektori i call-center-ave. Me një sondazh kombëtar me 1538 të anketuar si dhe me diskutime në fokus grupe dhe intervistat me punëdhënësit (45), u gjeneruan evidenca të cilat konfirmonin përhapjen dhe jepnin ngjyrime të kompeksitetit të problematikës në vendin tonë.
Gjetjet treguan se dhuna dhe ngacmimi në punë konsiderohen si fenomene të përhapura në të gjithë vendin, dhe se problematika është thellësisht e gjinizuar, ku punonjëset – vajza dhe gra, perceptohen si më të rrezikuara nga dhuna dhe ngacmimi. Ato perceptohen në më të shumtën e rasteve si gjeste fizike, tentativa për prekje dhe ngacmim fizik. Dhuna verbale renditet e dyta, ku gratë tregojnë një ndjeshmëri pak më të lartë krahasuar me burrat. Kombinimi i të gjitha formave të dhunës raportohet sërish më shumë nga gratë sesa tek burrat.
Në shoqërinë tonë është i përhapur mendimi se një shkallë e caktuar ngacmimi ose dhune edhe mund të tolerohet nga punëmarrësit, kjo veçanërisht për punonjëset gra. Disa shfaqje ose forma të ngacmimit ose dhunës përkufizohen si “të papranueshme”, si për shembull dhuna fizike, ndërsa disa të tjera si dhuna verbale janë më “të tolerueshme” apo edhe “të pranueshme”, duke krijuar një kulturë që i kushtëzon punonjësit që të pranojnë / tolerojnë sjellje të caktuara.
Më shpesh dhuna dhe ngacmimi haset në raportet e varësisë si epror-vartës apo punëdhënës-punëmarrës. Inicidenca më e lartë raportohet në sektorin e arsimit (62%) dhe atë të call-center (55%). Në shëndetësi më shpesh haset një formë tjetër, ajo e dhunës nga persona të jashtëm kundrejt punonjësve të institucionit (62%). Kjo formë dhune është shqetësuese edhe për sektorin e hoteleri-turizmit (51%), apo edhe për administratën publike (48%). Incidenca më e lartë e dhunës midis gjinive të kundërta raportohet në sektorin e call-center-ave (61%), ndërsa ajo midis kolegëve të së njëjtës gjini raportohet në sektorin e fasonerisë (40%).
Një veçori dalluese e dukurisë së ngacmimit ose dhunës në punë është hezitimi i personave që pësojnë ose janë dëshmitarë për të folur dhe për pasojë për të mos-raportuar. Pjesa dërrmuese e punëmarrësve të pyetur (84%), perceptojnë se ka më shumë raste të dhunës dhe ngacmimit sesa ato që raportohen. Niveli i ulët i raportimit vjen nga një mori të faktorësh, duke filluar nga nivelet e ndryshme të perceptuara të ngacmimit apo dhunës së pësuar (ose normalizimi i tyre), te disponueshmëria dhe efektiviteti i mekanizmit/sistemit të raportimit në vendin e punës, e deri tek qëndrimet ose reagimet e punëdhënësit dhe/ose kolegëve ndaj rastit dhe kompromentimi i marrëdhënieve të punës si rrjedhojë.
Punonjësit listojnë si masat më efektive në parandalimin e rasteve të dhunës dhe ngacmimit në punë fushatat e sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit, përmirësimin e kuadrit ligjor e rregullator, ndjekur nga rregullore më të rrepta në vendin e punës. Shumica e punëmarrësve mendojnë se punëdhënësit e tyre duhet të marrin njohuri dhe aftësohen për të ngritur dhe menaxhuar sisteme për parandalimin e dhunës dhe ngacmimit në vendin e punës. Ata shohin si efektive aplikimin e dënimeve më të rënda për dhunuesit/ngacmuesit dhe ofrimin e mbështetjes dhe mbrojtjes për viktimat, si dhe të raportuesve dhe dëshmitarëve. Emërues i përbashkët duket se mbetet nevoja për bashkëpunim midis institucioneve shtetërore, punëdhënësve dhe punëmarrësve, si dhe organizatave të tyre përkatëse në mënyrë më intensive, me një qasje më të mirë-koordinuar dhe gjithëpërfshirëse për të parandaluar, adresuar dhe eliminuar dhunën dhe ngacmimet në botën e punës.
Elona Dhëmbo është prof. e asoc. në Departamentin e Punës dhe Politikës Sociale, Universiteti i Tiranës
Leave A Comment