Për politikanët tanë, sidomos kur ata shndërrohen në politikanxhinj që të qëndrojnë në pushtet sa më gjatë, me çdo kusht e me çdo çmim, siç është rasti aktualisht, Një Prilli nuk ngjan të jetë i përvitshëm, as i përmuajshëm, madje as i përjavshëm, por i përditshëm dhe premtimet e tyre janë thjesht gënjeshtra sterrë të zeza të qepura me fill borë të bardhë.

Edmond Tupja

Në dritën e taoizmit që përfshin një sërë parimesh, nga të cilët ai i ekuilibrave midis jinit dhe jangut, dy përbërës këta të ndryshëm të një çifti, njëherazi të kundërt e bashkëplotësues, mund të pohojmë – madje pa rënë tërësisht në kundërshtim me dialektikën, qoftë edhe me atë marksiste (le të kujtojmë “unitetin e të kundërtave”) – se gënjeshtra formon me të vërtetën një çift më vete. Gjithsesi, kur u themi gënjeshtra të njohurve e të panjohurve, kur i shkruajmë ato në FB dhe në rrjetet e tjera sociale, qëllimi është të zbavitemi, të harrojmë streset e ditës, por edhe zbavitja e ka një kufi, sepse mund të sjellë pasoja të papëlqyeshme, sidomos kur streset të pengojnë pikërisht edhe të zbavitesh.

Mirëpo, siç na mësojnë disa psikologë e edukatorë, që fëmijët të mbrohen nga gënjeshtarët, atyre u duhet mësuar ç’është gënjeshtra jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht, jo vetëm në familje, por gjithashtu në shkollë, u duhet mësuar me saktësi ç’është një gënjeshtër me qëllim zbavitës, por domosdoshmërisht edhe ç’është një gënjeshtër me synim mashtrues. Sidoqoftë, edhe ne, të rriturit duhet të mbrohemi nga gënjeshtrat helmuese të mbështjella me një cipë të hollë sheqeri të karamelizuar që mashtruesit përhapin në nivel kombëtar, rajonal e ndërkombëtar për të na hedhur hi syve, për të na joshur, mashtruar e grabitur duke futur hundët deri edhe në jetën tonë intime apo në llogaritë tona bankare.

Nga ana tjetër, në të gjitha kohët e në të gjitha vendet ka patur të kamur e të varfër, të fuqishëm e të dobët, shfrytëzues e të shfrytëzuar, qeveritarë dhe të qeverisur, dukuri kjo sociale, ekonomike e sidomos politike që vazhdon të jetë krejt aktuale dhe burim pasojash që pareshtur na shtyjnë të mendojmë se planeti Tokë është i sëmurë dhe se njerëzimi vuan. Për këtë arësye, qysh në shekullin XVIII, francezi D’Alembert, matematikan dhe enciklopedist mendjendritur, e përkufizonte politikën si “artin e të mashtruarit të njerëzve”. Oh, sa i vërtetë tingëllon ky përkufizim, më saktë ky aforizëm me vlerë aksiome, veçanërisht në Republikën e Shqipërisë të këtyre viteve të fundit. Për politikanët tanë, sidomos kur ata shndërrohen në politikanxhinj që të qëndrojnë në pushtet sa më gjatë, me çdo kusht e me çdo çmim, siç është rasti aktualisht, Një Prilli nuk ngjan të jetë i përvitshëm, as i përmuajshëm, madje as i përjavshëm, por i përditshëm dhe premtimet e tyre janë thjesht gënjeshtra sterrë të zeza të qepura me fill borë të bardhë, të cilat ia bëjnë aq muuuuuu, saqë edhe lopëve u ndizet dëshira e ethshme të merren me politikë për të kullotur e për të lëshuar bajga në majë të pushtetit! Kjo është aq e vërtetë, saqë gjithmonë e më të shumtë janë shqiptarët, të cilët po ua dallojnë dukshëm pushtetarëve tanë hundën gjigante në mes të syve kur i shohin të gënjejnë pa pikë turpi nëpër ekranet e mëdha e të vogla, me gojë e me shkrim, madje edhe me vështrimet e gjestet e tyre të neveritshëm.

Shkrimtari Fatos Kongoli, i përkthyer në dymbëdhjetë gjuhë, ka botuar para dy vjetësh një roman me titull “Gënjeshtarë të vegjël”. Ah, sikur ai të shkruante një trilogji duke e quajtur vëllimin e parë “Gënjeshtarë të mëdhenj”, të dytin “Mashtrues të mëdhenj” dhe të tretin “Përbindësha të mëdhenj”!

 

Edmond Tupja wshtw pwrkthyes dhe shkrimtar shqiptar.