Kemi ende rrugë të gjatë deri sa t’i besojmë sistemit tonë të mangët që pastaj t’i vlerësojmë mësuesit që të kryejnë punën e tyre për të cilën shteti nuk ka luajtur asnjë rol.

Edlira Dibrani

Në një shoqëri të dalë nga lufta tash rishtazi, pothuajse 24 vite, nuk është se e kam të lehtë ta gjykoj. Jo kur unë thuaja jam po aq në moshë dhe ende s’më ka sfiduar jeta mjaftueshëm të shoh e të mësoj shumë gjëra. Por diçka që e shoh që e kemi të zakontë në shoqërinë tonë është “gjykimi i tjetrit”: si flet dikush, si sillet dikush, si ecin punët e si zhvillohet politika, edhe kur nuk kemi shumë dijeni e njohuri për të komentuar. Duket sikur ta kemi në gjak, sepse besojmë që opinioni ynë duhet të shprehet në çdo rast edhe atëherë kur nuk kërkohet fare.

Shihet kjo më së shpeshti te sistemi i arsimit, ku mendimi i çdo njërit sot dihet: “sistemi i arsimit në Kosovë është katastrofë, mas paku punohet në arsim”.  Këto fjalë ndëgjohen gjithmonë në diskutimet në kafene, rrugë  mes prindërve por edhe nga “dijetarët” e arsimit.

E sa vlerësohet dhe çmohet puna e mësimdhënësit në baza ditore, këtë e shohim çdo ditë. “Mësuesja i paska dhënë detyra shumë sot, qysh nuk po e edukon fmijën në shkollë, kah po i merr këto sjellje fëmija im.” Ani pse mësimdhënësi shkrin tërë qenien e tij në udhëzimin dhe ngritjen e diturive të nxënësve, duket se asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Si për prindër ashtu edhe për vet shtetin. Ne po jetojmë në një shoqëri ku çdo lëvizje e vogël, çdo orë mësimore, çdo aktivitet klasor, duhet të raportohet në institucionet arsimore, diçka që jo që nuk ua lehtëson punën mësimdhënësve por vetëm sa ua ngarkon edhe më shumë, deri në pikën ku mësimdhënësit nuk i mbet kohë për planifikim të mirëfilltë të orës, sepse duhet të miret me burokraci duke mbushur formularët e ministrisë për të marrur dritën jeshile që të vazhdojë punën. Se çfarë niveli i arsimit del nga kjo, as nuk mundem ta paramendoj.

Në krahasim me vendin tonë, shoh se si një shtet si Finlanda ka arritur të bëhet kampione e arsimit në botë dhe a thua vallë se ku është sekreti që finlandezët po arrijnë të tejkalojnë SHBA-të, Kinën e plot sisteme të tjera? Liria. Besimi. Një shtet si Finlanda i cili beson plotësisht mësimdhënësin brenda klasës pa pasur nevojë për raportime të tepërta të çdo lëvizjeje, ku liria e zhvillimit të mësimit përmes praktikave më të mira lejon lulëzimin e nxënësve dhe në lumturi të tyre, lë të impresionuara plot vende të tjera. E tërë kjo u mundësua fal besimit dhe lënjes së duarve të lira mësimdhësve. Pra çelsi është kur sistemi i shtetit i beson sistemit të vet të kualifikimit dhe vlerësimit të mësimdhënësve që ata to të kryejnë punën për të cilën janë kualifikuar dhe ua jep lirinë e nevojshme që ata të avancojnë nxënësit në mënyrë të natyrshme.

E ne si Kosovë e vogël jemi larg Finlandës. Kemi ende rrugë të gjatë deri sa t’i besojmë sistemit tonë të mangët që pastaj t’i vlerësojmë mësuesit që të kryejnë punën e tyre për të cilën shteti nuk ka luajtur asnjë rol.

Është obligim shoqëror dhe instituctional që të jemi kritik dhe të punojmë profesionalisht dhe së bashku që ti marrim praktikat e mira nga këto modele të suksesshme shkollimi dhe ti aplikojmë në Kosovë.   

 

Edlira Dibrani puno Komunikimeve në Shkollën Finlandeze