Thuhet se homo sapiens është e vetmja specie shtazore që është në gjendje të imagjinojë gjëra që nuk ekzistojnë. Nëpërmjet një bashkëpunimi teatror, versioni Mostar i homo sapiens-it ka treguar se ai nuk është vetëm imagjinativ, por gjithashtu mund të jetë një udhërrëfyes dinjitoz dhe një alternativë ndaj bordellit të përhapur shtetëroro-politik.

Dragan Komadina

Kur bëra shfaqjen “Le të shkojmë për kafe” (shënim i përkthyesit: titulli origjinal përfshin zhargon lokal për kafe, një përmbysje shkronjash, ‘fe-ka’) me miqtë e mi të dashur Robert Pehar dhe Sasa Orucevic shtatë vjet më parë, nuk kisha asnjë ide se do të bëhej një markë kulti(urale) e Mostarit të pasluftës, një shfaqje që me të drejtë mund të quhet një nga të mirat e pakta të përbashkëta kulturore të të dy pjesëve të qytetit të shkatërruar nga lufta dhe të ndarë pas luftës. Me reagimet e para pas premierës, tashmë ishte bërë e qartë se diçka nuk shkonte me shkëmbimin e zakonshëm të urrejtjes kombëtare dhe fetare në media. Në vend të kësaj, dikush mund të lexonte portalet e lajmeve të qytetit dhe të shihte komente anonime të ndërthurura me shprehje të entuziazmit të përgjithshëm dhe të kuptuarit të jashtëzakonshëm emocional për pozicionin e të tjerëve në luftë. Nuk i fshihja dot lotët as atëherë e as sot. Këta njerëz anonimë, kryesisht veteranë lufte të ushtrive kundërshtare, dhe pikëpamjet e tyre kishin më shumë domethënie për mua sesa të gjitha vërejtjet kritike dhe teatrale ndaj të cilave shfaqja jonë nuk ishte imune. Krejt e kundërta!

Përballja e audiencës me një grumbull paragjykimesh të ndryshme që ushqehen sistematikisht në të gjitha hapësirat publike – nga parlamenti në shkollat fillore – dhe krahas duartrokitjeve teatrale fitojnë gjithashtu kaq shumë lëvdata virtuale, ishte një përpjekje e jashtëzakonshme artistike dhe mbi të gjitha morale për të gjithë ne. Disa na kanë vënë në dukje se sekreti i suksesit të shfaqjes me publikun – suksesi i vazhdueshëm, nëse mund të shtoj – qëndron në përmasat dramaturgjike me të cilat ne shpërndamë me mjeshtëri dhe në mënyrë të barabartë thumbin satirik në të dy anët, Lindjen dhe Perëndimin, Këshilli Kroat i Mbrojtjes dhe Ushtria, Brazili dhe Argjentina… Ata ndoshta e kanë një të drejtë. Të paktën pjesërisht. E shihni, unë jam i mendimit se suksesi i vërtetë i kësaj drame nuk është se ajo balancohet në mënyrë eksplicite me ideologët tanë dhe trashëgiminë simbolike të luftës së agonisë politike federale ende të pavendosur, por se ajo gjeti rrugën e saj në zemrën e çdo individi në audiencë. Ajo e solli jetën tonë të përditshme të paraluftës, luftës dhe pasluftës në nivelin e njohjes individuale, ashtu siç mund dhe duhet ta bëjë vetëm teatri dhe arti. Publiku i kuptoi problemet e dy luftëtarëve që takohen me njëri-tjetrin në jetën e përtejme, këtu në Mostar, si të tyret dhe thjesht ndjeu dashuri për ta. Mund të tingëllojë pretencioze, por në prodhimtarinë dhe papretenciozitetin e tij estetik, si dhe përfshirjen emocionale dhe morale, “Le të shkojmë për kafe” ka arritur dukshëm më shumë se shumë projekte ndërkombëtare të ndërmarra në këto 27 vjet për të ndërtuar paqen dhe besimin në shoqëritë pas konfliktit.

Nuk e di nëse kam të drejtë. Por e di që në karrierën time në teatër, si dramaturg, shkrimtar apo regjisor, nuk kam dokumentuar apo kritikuar kurrë nga një pozicion i lartë moral. Unë jam një nga ata njerëz për të cilët shkruaj, një prej tyre. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund dhe nuk duhet të turpërohem për veten dhe për ta. Kjo shfaqje doli nga ky mikrokozmos moral dhe artistik, si një mrekulli e vogël ndërkulturore, në të cilën ish-ushtarët dhe ish-armiqtë shpërndajnë errësirën e intolerancës universale dhe mungesës së dëshirës për të kuptuar dhe dëgjuar Tjetrin me një pishtar teatror.

 

Dragan Komadina, profesor në Departamentin e Dramaturgjisë në Akademinë e Arteve Skenike në Sarajevë dhe këshilltar artistik në Teatrin Kombëtar Kroat në Mostar