Në mes të një krize që duket në horizont dhe një sistemi energjetik që dëshprimisht kërkon zhvillim e transformim, ka stagnuar miratimi i strategjisë së re e energjisë, ende nuk është miratuar ligji i paralajmëruar për burimet e ripërtrishme të energjisë…

 Dardan Abazi

Kriza e çmimeve të energjisë elektrike ka trubulluar të gjitha qeveritë e Ballkanit perendimor. Vendet si Kosova që varen kryesisht nga prodhimi i koncentruar i elektricitetit, po përballen me mundësinë e varësisë nga importi për shkak edhe të problemeve teknike, planifikimeve të pamjaftueshme dhe një kërkese në rritje. Por a është kjo krizë një rrjedhojë e politikave të gabuara të së kaluarës, mungesës së veprimit të tanishëm apo e të dyjave?

Ndërsa ditët shkurtohen dhe temperaturat fillojnë të bien, sektori i energjisë po përgatitet për atë që do të jetë një dimër i gjatë dhe i ftohtë. Kur kërkesa për naftë për ngrohje dhe gaz natyror pritet të jetë e lartë në Evropë, nivelet e prodhimit tashmë kanë filluar të bien me fillimin e motit të dimrit. Kjo mund të çojë në çmime më të larta dhe mungesa të mundshme të furnizimit në javët dhe muajt në vijim.

Për më shumë se pesëmbdhjetë vite, qeveritë e Kosovës kishin shtyërë idenë për projekte të reja të qymyrit. Projekte të cilat do të varfëronin qytetarët dhe do të ngujonin Kosovën plotësisht në një teknologji të së kaluarës dhe me kosto shkatërruese ekonimike, mjedisore dhe shëndetësore. Por ndonëse iu gëzuam dështimit të ndërtimit të termocentralit të ri, prezenca kaq e gjatë në diskursin dhe sistemin politik të Kosovës e një teme të tillë la pasoja. Iu kushtuan vite, miliona asistencë teknike, një Strategji e tërë dhe çka tjetër. Nuk mbeti hapësirë e as kohë të mendonim sa duhet për diversifikim të prodhimit dhe tranzicion të energjisë.

Një tjetër shansë e humbur ishin pakot e njëpasnjëshme të rimëkëmbjes. Ato, kryesisht u fokusuan në ndihma direkte financiare dhe në targetimin e sektorëve ekonomik, por jo edhe sektorit të energjisë. Nuk kishin efektin e kërkuar transformues por shërbyen vetëm për t’i lënë në lojë sektorin e biznesit dhe për t’ua lehtësuar jetën sektorit residencial. Një tjetër shansë e humbur! Në mes të një krize që duket në horizont dhe një sistemi energjetik që dëshprimisht kërkon zhvillim e transformim, ka stagnuar miratimi i strategjisë së re e energjisë, ende nuk është miratuar ligji i paralajmëruar për burimet e ripërtrishme të energjisë, ende Fondi i Efiçiencës është i kufizuar në kompetenca dhe kapacitete dhe ende nuk ka progres të mjaftueshëm në liberalizimin dhe integrimin e tregut tonë.

Megjithatë, ka ende kohë. Të paktën për të shpallur efiçiencën e energjisë një prioritet kombëtar. Për të afatizuar miratimin e strategjisë së energjisë, për të miratuar ligjin dhe për të organizuar të paktën dy ankande për burimet e ripërtrishme të energjisë gjatë vitit 2022, për të reformuar Fondin e Efiçiencës dhe për të themeluar një fond të konsumatorëve në nevojë.

Pandemia ka vënë në dukje rëndësinë e të paturit të një furnizimi të sigurt dhe të besueshëm me energji. Vendet që kanë diversifikuar burimet e tyre të energjisë dhe kanë rritur prodhimin e tyre vendas të lëndëve djegëse fosile janë të pozicionuara mirë për të përballuar stuhinë ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Ata që nuk i kanë ndërmarrë këto hapa mund ta gjejnë veten duke shtypur butonat e reduktimeve të energjisë dhe ndezur qirinjë. Zgjidhja është e kundërta e stagnimit: dinamika dhe guximi.

 

Dardan Abazi ka një përvojë të gjatë në politikat publike me theks të veçantë në monitorimin e legjislacionit dhe politikave në fushën e energjisë, tranzicionit të energjisë, politikës klimatike dhe SDG-ve, kërkimit parlamentar dhe avokimit