Nuk është e lehtë që më në fund të pranosh se fëmija yt është LGBT.  Dhe, më pas, kuptova se gjëja më e mirë që mund të bëja për fëmijën tim ishte ta mbështesja dhe të isha pranë saj.

Damira Kalac

‘Më shqetëson fakti që ata do të duhet të jenë të fortë, më të fortë se sa duhet për moshën e tyre dhe se do të duhet të luftojnë në thelb kundër botës për gjëra shumë të thjeshta, si gjetja e dashurisë ose gjetja e një pune … Gjëja më e vështirë për mua është të merrem me faktin se ata mund të lëndohen në çdo moment kur thjesht vendosin të jetojnë jetën dhe identitetin e tyre me ndershmëri, megjithatë, e di që është më mirë për ta të jetojnë ashtu sepse është e vetmja mënyrë që ata të jenë të lumtur’, na tha një prind me të cilin biseduam.

Mezi e gjetëm.  Në Mal të Zi, këto gjëra ende diskutohen me vështirësi dhe kryesisht në mënyrë anonime. M’u kujtua deklarata e Gjorgjina Gvozdenoviq-it nga Podgorica, në vitin 2017. Në atë kohë ajo tha se Mali i Zi është një mjedis homofobik. Gjorgjina është njëra nga dy nënat që mbështetën publikisht vajzat e tyre, anëtare të grupit LGBT, në Paradën e Krenarisë një vit më parë. Sot, Gjorgjina ishte e vetmja që pranoi të fliste publikisht për orientimin seksual të fëmijës së saj. Unë në të vërtetë do doja të ishte dikush tjetër dhe të mos pyesja Gjorgjinen, thjesht për të shmangur situatën që u ndodh gazetarëve kur kanë njerëz të afërt për një temë të caktuar, dhe më pas ndodh që pyesin pikërisht ata.

‘Asnjë nga prindërit me të cilët punojmë nuk janë të gatshëm të flasin për këtë’, më tha shkurtimisht një aktivist i LGBT-së dhe aktivist i të drejtave të njeriut prej një kohë të gjatë.

“Mund të bëhet në mënyrë anonime,” i thashë një organizate tjetër.

U ktheva te Gjorgjina. Pastaj, ishte edhe J, motra e të cilës u deklarua publikisht si lezbike. Ajo preferon të flasë në mënyrë anonime.

Dhe pikërisht kur mendova se kaq ishte, erdhi përgjigjja nga një tjetër prind.   Anonim.

Duke kujtuar kohët kur e kuptoi se e motra ishte homoseksuale, J thotë se ishte në shkollë të mesme dhe se i konfirmoi dyshimet e saj kur i hodhi një sy ditarit të së motrës.

‘Ishte një kohë kur njerëzit nuk flisnin kurrë për homoseksualët dhe se kjo ishte diçka shumë e turpshme. T ka qenë gjithmonë si djalë, kështu që ne ja linim kësaj. Unë ndoshta edhe sot e kësaj dite nuk do të besoja se ajo është lezbike dhe se të gjithë ‘shoqet’ e saj janë vërtet shoqet e saj.  E lexova në ditarin e saj.  Kështu e zbulova. Në fillim ishte turp. Ua fshihnim të gjithëve. Dhe kur dikush më pyeste, bëja sikur nuk ishte e vërtetë ‘, thotë J.

Ajo ndikohej dhe nga komentet rreth së motrës, por ato, thotë ajo, ndodhnin kryesisht në hapësirën virtuale.

‘Më lëndon vërtetë kur lexoj komente të tmerrshme në fotot e saj në Facebook.  Në përgjithësi nuk e kam hasur këtë personalisht.  Ndoshta sepse njerëzit kanë guxim të pështyjnë mbi të tjerët në mediat sociale, ose thjesht sepse kështu reagon ambienti im ndaj ndryshimeve’, thotë ajo.

J sot është më e qetë kur bëhet fjalë për orientimin seksual të motrës së saj.

‘Madje e them haptazi se motra ime është homoseksuale dhe ambienti im e ka pranuar këtë, madje dhe pjesa më konservatore e familjes, me sa duket.

Gjorgjina njihet prej kohësh si një nga dy nënat që i mbështesin fëmijët e tyre duke marrë pjesë në paradën e Krenarisë.

Kur flet për kohën kur e kuptoi se vajza e saj ishte LGBT, ajo thotë se ky moment nuk shoqërohet me asnjë ndjenjë të veçantë.

‘Ti e pranon dhe pastaj fillon të luftosh me demonët e tu, pastaj e pranon përsëri dhe shpreson që të jetë vetëm një fazë në jetë. Shumë gjëra ndodhin deri sa ta pranosh përfundimisht, nuk është e lehtë’.

Dhe pastaj e kuptoi se gjëja më e mirë që mund të bënte për fëmijën e saj ishte ta mbështeste dhe të ishte pranë saj.

Kur pyetet nëse ka ndryshuar diçka gjatë viteve të fundit, nëse prindërit e tjerë janë fuqizuar ndërkohë, ajo thotë se nuk është optimiste.

‘Përkundrazi, si ata, si komuniteti në përgjithësi, për mendimin tim, janë në një pozitë më të keqe se një ose dy vjet më parë’, thotë Gjorgjina.

 

Damira Kalac, gazetare, blogere dhe aktiviste civile