Si shumë vende të tjera, dikur dhunën ndaj grave e kemi “normalizuar” bashkë, dhe për këtë arsye një në tri gra përjeton dhunë.

Brikena Avdyli

Një nivel global, një në tre gra përjeton dhunë. Këto të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se diku 33% e grave në botë përballen me dhunë fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike, apo forma të tjera të dhunës. Një problem i kësaj shkalle i sfidon edhe shtetet më të zhvilluara të cilat vazhdimisht punojnë në këtë drejtim, e aq më shumë shtetet në zhvillim ku dhuna ndaj grave mund të mos hyjë as në vargun e prioriteteve.

Në Kosovë kemi qenë dëshmitarë të tranzicioneve shoqërore që kanë ndikuar në perceptimin dhe menaxhimin e dhunës ndaj grave. Një shoqëri patriarkale që dikur e ka kuptuar disiplinimin e grave si përgjegjësi të burrave dhe rrjedhimisht as nuk e ka diskutuar atë përtej mureve të shtëpisë, tash e dënon, e raporton dhe proteston kundër dhunës me bazë gjinore. Kemi krijuar infrastrukturë ligjore dhe sistem për menaxhimin e rasteve të dhunës. Të gjitha këto kanë kontribuar në rritjen e numrit të raportimeve dhe gatishmërisë së grave  për të mos toleruar shkelje të të drejtave dhe dinjitetit të tyre.

Në anën tjetër, sado që tranzicioni shoqëror i Kosovës në këtë çështje ka qenë i shpejtë në raport me shumë shtete të tjera në pozitë të ngjashme, dhuna ndaj grave ende mbetet sfidë shumë dimensionale. Edhe pse reagojmë shumë më shumë kundër këtij fenomeni dhe e dënojmë atë, dhuna ndaj grave ende është në përmasa shqetësuese. Përkundër shtimit të kapaciteteve të institucioneve relevante për të menaxhuar rastet e dhunës, kur bëhen raportimet, gratë ende pyeten se çfarë kanë bërë për ta merituar dhunën apo çfarë kishin veshur kur kishte ndodhur ajo. Dënimet për ushtruesit e dhunës janë aq të vogla sa që nuk shërbejnë as për t’i ndalur këto sjellje tek ata vetë, e lërë më tek të tjerët. Ani pse kemi disa mekanizma dhe strehimore për t’u përkujdesur për të mbijetuarat e dhunës, ne ende nuk e kemi krijuar një sistem që u ofron grave mundësi për ta vazhduar jetën e tyre të pavarura, dhe për shkak të kushteve ekonomike ato shpesh kthehen tek abuzuesit e tyre.

Një problem kompleks kërkon zgjidhje shumë dimensionale, e këtu kemi rol të gjithë. Nisur nga familja në mënyrën se si i edukojmë gjeneratat e reja, tek institucionet të cilat duhet të ju prijnë ndryshimeve që kërkohen për të adresuar këtë çështje e deri tek sektori privat që mund të përfshihet më shumë duke ofruar mundësi për të mbijetuarat dhe duke i kontribuuar rritjes së vetëdijes në aspekt të parandalimit.

Ndryshimeve shoqërore në çështje të barazisë gjinore tradicionalisht ju kanë prirë nisma të ndryshme qytetare, dhe në Kosovë,  shoqëria civile vazhdon të kontribuojë në adresimin e dhunës ndaj grave në forma të ndryshme. Por si sfidë shumë dimensionale, nuk mund të presim zgjidhje vetëm nga shoqëria civile dhe institucionet. Zgjidhje afatgjatë mund të kemi vetëm atëherë kur të gjithë marrim rol më aktiv në kuadër të funksionit që kemi.  Si shumë vende të tjera, dikur dhunën ndaj grave e kemi “normalizuar” bashkë, dhe për këtë arsye një në tri gra përjeton dhunë. Kështu edhe adresimin e kësaj njëherë e mirë duhet ta bëjmë bashkë.

 

Brikena Avdyli, drejtor ekzekutiv i fondacionit Jahjaga