Në komunitetet tona autoritare dhe përjashtuese, jo tolerante ndaj Tjetrit dhe atij që është Ndryshe, dhuna ndaj grave në politikë është bërë pothuajse normale.  Fatkeqësisht, dhe vetë gratë i diskriminojnë gratë në politikë, duke siguruar kështu mbështetjen e shumicës për regjimet që i diskriminojnë ato. 

 Bozena Jelusic

 Në historinë e vonë të Malit të Zi, hyrja e grave në jetën politike u ndërmor nga Fronti Antifashist i Grave pas Luftës së Dytë Botërore, megjithatë, nëse nuk do të ishin kuotat dhe Ligji për Barazinë Gjinore, agjencitë e politikaneve malazeze sot do të ishin pothuajse të paimagjinueshme. Sfidat janë të ngjashme si në nivel global, ashtu edhe në nivel lokal: rregullimi i politikave, ripërtëritja e praktikave fetare, ekstremizmi dhe fondamentalizimi, sfidat digjitale të dhunës ndaj grave në politikë … Së fundi, COVID-19-a ekspozoi një sistem pothuajse të paprekur të dhunës gjinore dhe diskriminimit në të gjitha fushat e jetës.

Gjithsesi politikanet malazeze veprojnë më me vendosmëri dhe ndërgjegje se më parë, pavarësisht mjedisit ku ndodhen.   Ato e kuptojnë dhunën ndaj të cilës janë të ekspozuara, si çmim që duhet ta paguajnë. Kuotat dhe rregullimet e listave zgjedhore janë arsyeja pse thuhet se e kanë pasur më të lehtë për të ngjitur shkallët’. Megjithatë, gjysma e politikaneve malazeze janë të pamartuara ose të divorcuara, gjë që në vetvete tregon një ndarje të padrejtë të kohës ndërmjet kujdesit familjar dhe zhvillimit individual.   Me këtë abuzohet veçanërisht nga partitë politike, dhe ‘natyra konfliktuale’ menjëherë i atribuohet një gruaje që imponohet në ndonjë mënyrë. Qendrat joformale të pushtetit ende nuk janë të arritshme për gratë dhe ato janë vendet ku merren vendime thelbësore politike.  Paratë e partive menaxhohen kryesisht nga burrat, kështu që pak investohet në promovimin e drejtueseve gra në fushata. Kjo është arsyeja pse forumet e tyre shpesh janë një ‘e keqe e domosdoshme’ dhe reduktohen në dekor partie.    Fakti që burrat i artikulojnë lehtësisht motivet e përfshirjes së tyre në politikë – për shembull, ato që lidhen me ekonominë dhe lidershipin, dhe gratë kryesisht nuk dinë ose nuk duan të përgjigjen, është një lloj treguesi i turpit të imponuar si rezultat i këtyre shkeljeve të roleve të përcaktuara gjinore.

Trajtimi diskriminues i politikaneve femra që synon t’i dekurajojë dhe tu mbyllë gojën është një produkt i sistemit të patriarkatit.  Shpesh kalon pa u vënë re edhe nga burra të arsimuar dhe të sensibilizuar, gjithsesi ata e praktikojnë rregullisht këtë. Një fenomen i ri është dhuna digjitale dhe dhuna në mediat sociale.    Autorët janë zakonisht anonimë, megjithëse është e lehtë të njohësh qendrat e tyre politike dhe ato të interesit.  Megjithatë, viktimat nuk janë anonime dhe breshëria e sulmeve ndaj politikaneve të caktuara femra shpesh merr formën e një lufte të vërtetë.   Diskreditimi publik i politikaneve malazeze nxjerr në pah faktin se të gjitha levat e pushtetit, si në fushën e politikës ashtu edhe kudo tjetër, janë kryesisht në duart e burrave.

Fatkeqësisht, dhe vetë gratë i diskriminojnë gratë në politikë, duke siguruar kështu mbështetjen e shumicës për regjimet që i diskriminojnë ato. Gratë në politikë shpesh përshtaten me ‘tipin’ e votuesve, njerëz jeta e të cilëve përcaktohet nga formimi i shteteve kombe në ish-Jugosllavi pas viteve 1990, që forcoi në thelb mizogjininë dhe krijoi një model nacional-populist të grave të karakterizuar nga historia, gjuha, tradita, atdheu, amësia.  Kështu politikanët femra imponohen me një konstrukt ‘mashkullor’, që më pas përcakton intensitetin dhe natyrën e sulmit ndaj tyre. Artikulimi politik ‘mashkullor’ rivendos patriarkatin si kategori themelore dhe forcon në thelb spiralen e dhunës ndaj grave për shkak të konstruktit të lartpërmendur.

Nuk është më pak e rëndësishme që pas tridhjetë viteve endjesh në arsim, brezat e rinj kanë dalë të pasigurt madje dhe se çfarë është fashizmi, të pasigurt për vlerat e padiskutueshme përgjatë historisë, njerëz që i marrin njohuritë për veten dhe të tjerët në dhomat e jehonës së rrjeteve sociale dhe në teoritë konspiracioniste.      Në komunitetet tona autoritare dhe përjashtuese, jo tolerante ndaj Tjetrit dhe atij që është Ndryshe, dhuna ndaj grave në politikë është bërë pothuajse normale.

Megjithatë, politikanet malazeze sot janë më të vendosura për ta kundërshtuar atë dhe po luftojnë për pozicionin e tyre në hapësirën politike.

 

Božena Jelusic, Anëtare Parlamenti në Malin e Zi