Përballë korrupsionit dhe vëmendjes plotësisht në politikëbërje, të drejtat e personave LGBTI shihen si çështje periferike, përkundër faktit që ato janë të drejta fundamentale njerëzore.

Blert Morina

Kosova ka filluar të trajtojë çështjen e të drejtave LGBTI në domenin publik tepër vonë.

Derisa personat LGBTI sigurisht kanë pasur një jetë të tyre te fshehur, hapësirat e sigurta përtej hapësirave private kanë qenë dhe mbeten mjaft të kufizuara.

Kështu, ata/ato filluan të organizohen përmes mbledhjeve në shtëpi si vende ku mund të artikulonin kërkesat e tyre, si dhe t’i ndanin sfidat e përditshme.

Me hapjen e organizatave që punojnë për të drejtat LGBTI dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi, aktivizmi filloi të zgjerohej përtej hapësirave private, pra nga shtëpia në hapësira publike – gjë që vazhdon të jetë ende e kufizuar për shkak të diskriminimit dhe shtypjes së madhe ndaj personave LGBTI. Diskutimi publik për të drejtat e personave LGBTI sjell sfida në vetvete. Në një shoqëri që po kalonte nëpër tranzicion, ku kishte një përplasje brezash, me informacione shumë të kufizuara për personat LGBTI (ka akoma keqinformim se çfarë është LGBTI), me mendësinë, sipas së cilës, personat LGBTI nuk ishin pjesë e kësaj shoqërie, por u sollën pas luftës, u ‘inportuan’ nga ndërkombëtarët, nga Perëndimi. Përballë korrupsionit dhe vëmendjes plotësisht në politikëbërje, të drejtat e personave LGBTI shihen si çështje periferike, përkundër faktit që ato janë të drejta fundamentale njerëzore. Kështu, edhe përpjekjet e ndërrmarra nga institucionet e reflektojnë këtë trajtim.

Personat LGBTI janë grup shoqëror parimisht i vecantë, por kjo s’do te duhej te perkthehej në trajtim të pabarabartë ndaj tyre. Mbase, veçantia e këtij grupi shoqëror rrjedh pikërisht prej shtypjes së shumëfishtë që ata e përjetojnë dhe prej perceptimit të shumicës që ata janë ‘ndryshe’, ‘të papranueshëm’, ‘të sëmurë’. Derisa të çnormalizohet ky përjashtim, shtypja do të vazhdojë.

Personat LGBTI në Kosovë, disa në nivel ditor, disa në nivel mujor, disa në më rrallë se kaq, do të përballen me stuhi të ndryshme në jetën e tyre. Por, rruga e lëvizjes LGBTI karakterizohet nga solidariteti, një frymë që transmetohet nga aktivisti në aktivist. Solidariteti do të jetë nxitësi kryesor i personave LGBTI duke u mundësuar atyre të përballen me çdo sfidë dhe do të jetë një faktor kryesor i fuqizimit të komuniteteve LGBTI. Për vite me radhë, rrugët janë bërë të njohura nga aktivistët, por sa herë që është e nevojshme ne do të vazhdojmë t’i zgjerojmë ato me protesta derisa çdo individ, pavarësisht nga orientimi seksual, identiteti gjinor, raca, gjuha, feja te trajtohet në mënyrë të barabartë.

 

Blert Morina,  Drejtor Ekzekutiv në Qendrën për Barazi dhe Liri Kosova